Pezullohet privatizimi, ujëmatësit do të vendosen nga ndërmarrja “Sharri”

Nga ndërmarrja që menaxhon me ujin e pijshëm në Tetovë, thonë se ujë në burime dhe ujësjellës ka mjaftueshëm, pasi që qyteti furnizohet me 450 litra ujë në sekondë, por nga defektet në rrjetin shpërndarës që janë të shpeshta, shkaktohet probleme në furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm

Urim HASIPI

Tetovë, 7 gusht – Komuna e Tetovës megjithatë është tërhequr nga ideja për të dhënë në Partneritet Publiko-Privat vendosjen e ujëmatësve. Vendosja e ujëmatësve do të bëhet nga Ndërmarrja Publike “Sharri”, e cila me menaxhon me ujin e pijshëm në Komunën e Tetovës. Fillimisht, ujëmatës do të vendosen në ndërmarrjet e mëdha private në qytet dhe rrethinë. Kështu tha Valon Zeqiri, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Sharri”, në Tetovë, ndërsa informoi se të gjithë ujëmatësit do të financohen nga ndërmarrja e komunës.

“Kemi hapur tender në vlerë prej 12 milionë denarë me çka do të bëhet furnizimi me një mijë ujëmatës për ndërmarrjet e mëdha në qytet. Dua të sqaroj rreth spekulimeve se uji në Tetovë do të privatizohet, pra këto kemi të bëjmë me lajme të pavërteta. Fillimisht, uji nuk mund të privatizohet dhe të shitet, kurse sa i përket ujëmatësve, të gjithë do të financohen nga ndërmarrja ‘Sharri’. Po ashtu, do të hapet tender edhe për vendosjen e 3000 ujëmatësve në lagjen 146”, deklaroi drejtori Valon Zeqiri. Në ndërkohë, sa i përket lagjes problematike 146, drejtori Zeqiri është shprehur se atje janë bërë investime në vlerë 68 milionë denarë dhe pritet që kjo lagje ta tejkalojë problemin me mungesën e ujit të pijshëm.

“Një nga projektet më të rëndësishëm është projekti i lagjes 146, ku vetëm faza e parë ka kushtuar 7 milionë denarë, ndërsa faza e dytë është një projekt edhe më i madh, që do të kushtojë 61 milionë denarë, ku do të përfshihen 3 mijë shtëpi dhe do të kenë kyçje të reja dhe të gjithë këto shtëpi do të kenë ujëmatës. Krahas kësaj, është bërë pastrimi i pusetave të kanalizimit, vendosja e sistemit të ri të ujësjellësit në disa lagje”, tha Zeqiri. Problem në vete janë edhe defektet në rrjetin e ujësjellësit të cilët janë të shpeshta. Këto defekte shpeshherë kanë bërë që në disa lagje të mungojë uji i pijshëm. Ndërkaq, Nga ndërmarrja që menaxhon me ujin e pijshëm në Tetovë, thonë se ujë në burime dhe ujësjellës ka mjaftueshëm, pasi që qyteti furnizohet me 450 litra ujë në sekondë, por nga defektet në rrjetin shpërndarës që janë të shpeshta, shkaktohet probleme në furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm.

Drejtori i ndërmarrjes “Sharri” është shprehur i kënaqur me pagesën e faturave të ujit krahasuar me të kaluarën, ku sipas tij, tashmë niveli i pagesës është 60 për qind. Gjatë një pres konference me gazetarë, ai ka thënë se ndërmarrja “Sharri” ka patur një borxh prej 16 milionë denarë dhe tre rroga të papaguara për punëtorët. Sipas tij, tashmë kjo ndërmarrje ka një saldo pozitive prej 4 milionë denarë dhe të gjitha rrogat janë paguar për punëtorët. Krahas kësaj, janë ndarë edhe 17 vendime pune, pasi që ka pasur punëtorë të cilët dhjetë vite kanë punuar me kontrata në vepër. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm