PRESIDENTI I SIRISË NË UASHINGTON: Një vizitë shumë simbolike, por jo strategjike

Vizita e Ahmad el-Chareh përbën një hap të rëndësishëm në rehabilitimin diplomatik të Damaskut, por ndikimi i saj konkret do të varet më pak nga fotot në Shtëpinë e Bardhë dhe më shumë nga vendimet e Kongresit amerikan dhe kalkulimet e sigurisë së Izraelit. Kjo vizitë është një kthesë domethënëse, por efekti i saj strategjik mbetet, për momentin, i kufizuar

Nga L’Orient-le Jour

Asnjë president sirian nuk është pritur ndonjëherë në Zyrën Ovale. 11 muaj pas ardhjes së tij të papritur në pushtet, Ahmad el-Chareh do të pritet më 10 nëntor nga Donald Trump, duke u bërë kështu kreu i parë i shtetit sirian që hyn në Shtëpinë e Bardhë. Kjo vizitë, e konsideruar si një hap i madh drejt rehabilitimit ndërkombëtar të Ahmad el-Chareh, është pjesë e një strategjie amerikane për të riformuar ekuilibrin rajonal. Por ndërveprimet mes dy liderëve, të nisura që në majin e kaluar, mbeten kryesisht simbolike. Përtej imazheve diplomatike, çështjet kryesore – heqja e sanksioneve, siguria me Izraelin dhe lufta kundër Shtetit Islamik (ISIS) – mbeten të paqarta, ndërsa llogaritë politike të Donald Trump dhe Ahmad el-Chareh përputhen vetëm pjesërisht. El-Chareh kërkon njohje të shpejtë ndërkombëtare. Trump ndjek një qëllim pragmatik: të stabilizojë frontin sirian pa investuar shumë kapital politik.

LIGJI “CAESAR”: TESTI I PARË

Tre tema do të dominojnë këtë vizitë: Mundësia e heqjes së sanksioneve amerikane, krijimi i një mekanizmi sigurie midis Sirisë dhe Izraelit dhe përfshirja e Damaskut në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS-it. Në secilën prej këtyre fushave, pengesat politike mbeten ende të mëdha. Testi i parë do të jetë ai i ligjit “Caesar”, i cili prej vitit 2020 përcakton shumicën e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë. Administrata Trump është shprehur në favor të shfuqizimit të tij, pasi një votim në Senat në tetor hapi rrugën për heqjen e sanksioneve pa kushte. Megjithatë, teksti duhet ende të harmonizohet me versionin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, përmes një konference të përbashkët legjislative. Deri më sot nuk është arritur asnjë përparim i dukshëm, pavarësisht klimës politike të favorshme në Uashington.

Çështja e sigurisë me Izraelin është edhe më delikate. Shpresat fillestare për një marrëveshje normalizimi janë braktisur në favor të një mekanizmi më të kufizuar, që synon të zvogëlojë rrezikun e përshkallëzimit ushtarak. Ministri i Jashtëm sirian, Assaad el-Shaibani, kujtoi në Dialogun e fundit të Manamës se “nuk bëhet fjalë për afrimitet, por për mbrojtje të Izraelit”. As Uashingtoni, as Damasku nuk duken në gjendje të vendosin, për momentin, një strukturë sigurie që të kufizojë realisht operacionet izraelite në jug të Sirisë. Raundi i pestë i bisedimeve pritet të nisë pas vizitës së el-Chareh, por Shtetet e Bashkuara nuk duken të nxituara për të arritur një marrëveshje. Deklaratat spontane të Donald Trump gjatë udhëtimit me “Air Force One” krijuan përshtypjen se Siria nuk është ndër përparësitë e tij diplomatike.

NEGOCIATAT PËR INTEGRIMIN E FDS-ve NË NGËRÇ

Çështja e tretë lidhet me përfshirjen e Sirisë në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS-it. Njoftimi ka kryesisht vlerë simbolike dhe nuk ndryshon realisht ekuilibrin ushtarak në terren. Koalicioni, që përfshin 89 anëtarë (përfshirë edhe Libanin), e përfundoi zyrtarisht misionin në Irak në shtator, por vazhdon të operojë në Siri, ku roli amerikan është tashmë i kufizuar në mbështetjen e Forcave Demokratike Siriane (FDS).

Uashingtoni kërkon të sigurojë një tranzicion të butë të sigurisë dhe të shmangë një ndarje të menjëhershme me Mazloum Abdin, komandantin e FDS-ve. Idealisht, SHBA-të do të donin një marrëveshje koordinimi midis el-Chareh dhe FDS-ve, që do t’i lejonte ushtrisë siriane të marrë gradualisht kontrollin e luftës kundër ISIS-it, duke ruajtur njëkohësisht garancitë operative për forcat kurde. Por negociatat për integrimin janë bllokuar. Pentagoni nuk e konsideron qeverinë siriane të aftë të marrë e vetme kontrollin e zonave ku ISIS ka shtuar sulmet gjatë muajve të fundit, duke u zhvendosur nga zonat shkretinore drejt atyre urbane. Mungesa e një marrëveshjeje tranzicioni ndërlikon edhe fatin e kampit al-Hol, ku mbahen mijëra luftëtarë dhe familjarë të lidhur me organizatën xhihadiste. Pa përparim të prekshëm, prania amerikane në Siri pritet të vazhdojë, të paktën në formën e sulmeve të targetuara dhe mbështetjes logjistike, si ajo e zhvilluar në shtator në fshatrat e Idlibit.

Në këtë kontekst, vizita e Ahmad el-Chareh mund të sjellë deklarata vullneti, por jo rezultate të menjëhershme. Ky hendek mes gjestit diplomatik dhe mungesës së arritjeve konkrete pasqyron pasigurinë që rrethon politikën e re amerikane ndaj Sirisë.

PASOJAT E MUNDSHME STRATEGJIKE

Nëse Uashingtoni do të hiqte realisht sanksionet, dy zhvillime të mëdha do të duhej të vëzhgoheshin: Kthimi i investimeve ndërkombëtare për rindërtimin, që do të ndikonte në korridoret ekonomike rajonale; dhe riformësimi i arkitekturës së sigurisë, sidomos duke kufizuar hapësirën ushtarake të Hezbollahut. Një efekt domino i tillë do të prekte drejtpërdrejt Libanin. Shtetet e Bashkuara, përmes të dërguarit të tyre Tom Barrack, kanë lënë të kuptohet se presin nga Bejruti që të bëjë zgjedhje më të qarta politike. Nëse Damasku ripozicionohet si partner politik i Uashingtonit, Libani mund të detyrohet, me kalimin e kohës, të përcaktojë më qartë interesat e veta, sidomos për çështjen e armëve të Hezbollahut dhe kontrollin e kufirit siriano-libanez.

Në planin diplomatik, kjo vizitë shënon një shkëputje nga vitet e izolimit të plotë ekonomik të regjimit të Damaskut. Por ky hap mbart edhe rrezik: t’i jepet shumë shpejt legjitimitet një pushteti që ende nuk kontrollon të gjithë territorin dhe ku pajtimi kombëtar mbetet i brishtë. Mbështetja për Ahmad el-Shareh mund të forcojë autoritetin e tij, pa zgjidhur ndarjet e thella të vendit.

Nga ana amerikane, prioritetet mbeten të pandryshuara: sigurimi i Izraelit, frenimi i ndikimit iranian dhe shmangia e një vakumi të rrezikshëm që mund të shfrytëzohet nga ISIS. Për Trump, el-Chareh është i dobishëm për aq kohë sa kontribuon në këto tre objektiva, as më shumë, as më pak. Për Ahmad el-Chareh, njohja amerikane është jetike politikisht: Ajo do t’i mundësonte të lehtësonte presionin ekonomik dhe të forconte kontrollin mbi flukset tregtare kufitare. Por marrëdhënia mbetet asimetrike: Shtetet e Bashkuara nuk janë gati të sakrifikojnë partneritetin me FDS-të; Izraeli nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të zbusë qasjen e tij ushtarake në Siri; dhe heqja e sanksioneve nuk varet nga një dekret presidencial, por nga një proces legjislativ.

Vizita e Ahmad el-Chareh përbën një hap të rëndësishëm në rehabilitimin diplomatik të Damaskut, por ndikimi i saj konkret do të varet më pak nga fotot në Shtëpinë e Bardhë dhe më shumë nga vendimet e Kongresit amerikan dhe kalkulimet e sigurisë së Izraelit. Kjo vizitë është një kthesë domethënëse, por efekti i saj strategjik mbetet, për momentin, i kufizuar.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm