Transporti publik do të mbetet falas edhe gjatë vitit 2025, një masë e mbështetur nga partia në pushtet. Mirëpo, kjo ka ngjallur reagime të përziera, pasi disa qytetarë e mbështesin këtë iniciativë si një ndihmë të rëndësishme, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si një masë populiste që mund të ketë ndikime negative në cilësinë e shërbimit dhe mbështetje të pamjaftueshme për transportuesit
Anëmsha SHABANI
Shkup, 21 dhjetor – Këtë javë, gjatë seancës së rregullt të Këshillit të Komunës së Kumanovës, u miratua Buxheti për vitin 2025, ku për transportin publik janë ndarë 37.5 milionë denarë (përkatësisht mbi 600.000 euro), si dhe 3.5 milionë denarë (rreth 60.000 euro) për subvencionimin e transportit publik në linjat e përcaktuara nga Marrëveshja për organizimin e përbashkët të transportit midis Komunës së Kumanovës dhe Komunës së Staro Nagoriçanit. Në seancën e fundit, është vendosur që çmimi i transportit të rritet me 10 denarë për kilometër dhe të arrijë në 50 denarë, mirëpo, transportuesit kishin kërkuar që ky çmim të ishte 60 denarë. Sipas shpjegimit të Departamentit të Financave, kërkesat e transportuesve janë konsideruar të arsyeshme, por për momentin, Komuna mund të subvencionojë transportin më së shumti me çmimin e propozuar.
Ky vendim ka shkaktuar polemika, veçanërisht mes qytetarëve dhe transportuesve, të cilët kërkojnë më shumë mbështetje për të përmirësuar shërbimin dhe cilësinë e transportit publik. Një pjesë e madhe e qytetarëve shprehin shqetësime për mungesën e linjave dhe autobusëve gjatë periudhave të ngarkuara, ndërsa disa shprehin rezerva për mundësitë financiare të Komunës për të përmirësuar infrastrukturën e transportit. Një shofer autobusi deklaroi për gazetën KOHA se pa financime të mjaftueshme, është e vështirë të sigurohet një shërbim cilësor, pasi kërkesa për çmim më të lartë nuk u miratua.
“Transporti publik ka nevojë për më shumë mbështetje dhe investime. Kërkesat tona për një çmim prej 60 denarësh për kilometër nuk u realizuan, dhe rritja e çmimit për kilometër do të ndikojë. Pa financim adekuat, është e vështirë të sigurojmë një shërbim cilësor. Mungesa e investimeve për përmirësime mund të krijojë vështirësi për transportuesit dhe qytetarët”, tha ai. Ndërkaq, transporti publik do të mbetet falas edhe gjatë vitit 2025, një masë e mbështetur nga partia në pushtet. Mirëpo, kjo ka ngjallur reagime të përziera, pasi disa qytetarë e mbështesin këtë iniciativë si një ndihmë të rëndësishme, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si një masë populiste që mund të ketë ndikime negative në cilësinë e shërbimit dhe mbështetje të pamjaftueshme për transportuesit.
Xheneta Ismaili që përdor transportin publik në Kumanovë theksoi se edhe pse transporti falas është i dobishëm, autobusët janë shpesh të mbushur dhe nuk ka mjaftueshëm linja, veçanërisht gjatë fundjavave. “Për shumë njerëz, transporti falas është një ndihmë e madhe, por ndonjëherë autobusët janë të mbushur dhe nuk ka mjaftueshëm linja. Është e vështirë të udhëtosh në orët e mëngjesit dhe pasditeve, kur shumica e qytetarëve janë në punë. Pastaj kur ne jemi të lirë, zakonisht të dielave apo gjatë festave, autobusët nuk punojnë”, tha Xheneta për gazetën KOHA.
Ndër të tjera, Driton Sulejmani, këshilltar komunal nga radhët e Alternativës dhe Koalicionit VLEN, theksoi se ribalanci i buxhetit që do të bëhet në muajin shkurt ose mars mund të sjellë mundësi të reja për investime dhe projekte që mund të përmirësojnë shërbimin e transportit publik. Ai shtoi gjithashtu se është e nevojshme një mbështetje më e madhe për të siguruar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e transportit, për të adresuar shqetësimet e qytetarëve dhe transportuesve. (koha.mk)