Gati çdo ditë, në këto akse rrugore, bien gurë dhe shkëmbinj të mëdhenj që bllokojnë rrugën dhe pengojnë qarkullimin normal, sidomos në periudhën e shtuar të lëvizjes drejt Dibrës dhe vendkalimit kufitar “Bllatë”, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Sipas udhëheqësit të “Rrugët e Maqedonisë” në Dibër, Dear Limanoski, problemi me rrëshqitjet është shumë serioz dhe i përsëritur
Vjollca SADIKU
Dibër, 13 nëntor – Rrëshqitjet e gurëve dhe shkëmbinjve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në rrugët rajonale Dibër-Strugë dhe Dibër-Mavrovë, duke krijuar rrezik serioz për qarkullimin e automjeteve dhe udhëtarëve. Gati çdo ditë, në këto akse rrugore, bien gurë dhe shkëmbinj të mëdhenj që bllokojnë rrugën dhe pengojnë qarkullimin normal, sidomos në periudhën e shtuar të lëvizjes drejt Dibrës dhe vendkalimit kufitar “Bllatë”, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut. Sipas udhëheqësit të Njësisë së Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë” në Dibër, Dear Limanoski, problemi me rrëshqitjet është shumë serioz dhe i përsëritur.
“Punëtorët tanë janë çdo ditë në terren duke pastruar gurët dhe rrënojat. Për fat të mirë, deri më tani nuk janë regjistruar dëmtime të udhëtarëve apo automjeteve”, theksoi Limanoski. Sipas tij, rreziqet më të mëdha janë regjistruar në rrugën drejt Mavrovës, në segmentin mes urave të Melniçanit dhe Kosovrastit, një zonë e njohur për terrenin e saj shumë eroziv.
Aktualisht, përveç sanimit të një grope të madhe në rrugë, ekipet e ndërmarrjes po kryejnë rrëzimin e kontrolluar të shkëmbinjve të mëdhenj me mekanizma specialë, pikërisht në afërsi të Urës së Melniçanit. “Ky aktivitet është shumë domethënës për rritjen e sigurisë në komunikacion, pasi parandalon rënien e pakontrolluar të gurëve në mes të rrugës”, shton Limanoski. Rrëshqitje të ngjashme ndodhin vazhdimisht edhe në pjesë të tjera të aksit Dibër–Mavrovë, veçanërisht në afërsi të Urës së Rostushës, Manastirit “Shën Jovan Bigorski” dhe hyrjes në Dibër.
Situata nuk është më e mirë as në drejtim të Dibër–Strugë, ku gjatë ditëve të fundit janë regjistruar rrëshqitje në zonën e njohur si “Tre Çezmat”, rreth 20 kilometra nga Dibra. “Shkëmbinj të mëdhenj ranë në rrugën drejt Strugës dhe ne ndërhymë menjëherë për pastrimin e tyre. Fatkeqësisht, kjo ndodh shumë shpesh”, deklaroi Limanoski.
Rrëshqitjet e gurëve janë më të zakonshme gjatë stinës së vjeshtës dhe pranverës, kur reshjet dhe ndryshimet klimatike zbusin terrenin malor. Udhëtarët, të vetëdijshëm për rrezikun, tregojnë kujdes të shtuar, por paralajmërojnë se rreziku është i vazhdueshëm. Banorët e zonës përshëndesin ndërhyrjet e shpeshta të ekipeve të “Rrugët e Maqedonisë”, por theksojnë se nevojitet një zgjidhje më afatgjatë, përmes vendosjes së rrjetave metalike mbrojtëse dhe mbajtëse në segmentet më të rrezikshme të rrugëve, siç është bërë tashmë në disa akse të tjera të vendit.
Sipas tyre, vetëm një projekt serioz shtetëror mund të garantojë sigurinë e plotë të qarkullimit dhe të parandalojë bllokimet e shpeshta që po bëhen problem i përhershëm për banorët dhe udhëtarët që përdorin këto rrugë malore. (koha.mk)




