E martë, 14 Tetor, 2025
7.8 C
Skopje

Shkup-Bllacë, punët mund të përfundojnë në 2028!?

Autostrada Shkup-Bllacë do të ndërtohet me projektin e vjetër. Autoritetet në vend kanë hequr dorë nga anulimi i projektit fillestar dhe ndryshimi i trasesë. Fillimisht, ishte planifikuar që ndërtimi i saj të zgjasë tre vjet, kështu që përfundimi i saj mund të pritet në vitin 2028

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 qershor – Autostrada Shkup-Bllacë do të ndërtohet me projektin e vjetër. Autoritetet në vend kanë hequr dorë nga anulimi i projektit fillestar dhe ndryshimi i trasesë. Fillimisht ishte planifikuar që ndërtimi i saj të zgjasë tre vjet, kështu që përfundimi i saj mund të pritet në vitin 2028. Nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore” thonë se autostrada prej 10 km do të ndërtohet sipas projektit fillestar me ndryshimet eventuale, ndërsa projekti mund të kushtojë deri në 260 milionë euro.

“Për ndërtimin e fazës së dytë së autostradës Shkup-Bllacë, me gjatësi 10.5 km në rrjedhë e sipër është thirrja për parakualifikim për mbikëqyrjen e ndërtimit të një nënseksioni të autostradës TEN-T me gjatësi 10.5 km dhe ajo është e hapur deri më 23 të këtij muaji. Afati kohor për përzgjedhjen e mbikëqyrësit, do të varet nga procesi i parakualifikimit, i cili koordinohet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo do të pasohet nga një thirrje për oferta financiare nga firmat e interesuara për mbikëqyrje”, thonë nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore”.

Njëherësh në programin vjetor të Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore për këtë vit parashikohet ndërtimi i autostradës A4, seksioni prej vendkalimit kufitar Bllacë deri Stenkovec si nën pjesa një e autostradës dhe atë zgjerimi i rrugës ekzistuese A4 prej vendkalimit kufitar Bllacë deri në fshatin Bllacë deri në nivel të autostradës dhe ndërtimi i pjesës së autostradës me hyrje dalje dhe lidhje me rrugën lokale deri në fshatin Bllacë.

Në programin vjetor investues të punës së Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore lidhur me financimin, kreditë për autostradën Shkup-Bllacë janë parashikuar një miliardë denarë.
Njëherësh sipas programit vjetor të Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore, theksohet se ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë faza e dytë, do të financohet me grant të siguruar nga Bashkimi Evropian dhe hua nga Banka Evropiane për Zhvillimi dhe Rindërtim. Ndërtimi do të ketë implikime financiare në arkën e shtetit duke marrë parasysh ndërtimin dhe mbikëqyrjen e autostradës Shkup-Bllacë, përfshi edhe asistencën teknike që është në rrjedhë e sipër.

Ishte shpallur edhe tender për përgatitjen e një Plani për Blerjen e Tokës dhe Zhvendosjen për të përfunduar dokumentacionin e projektit për aspektet mjedisore dhe sociale për autostradën A4, Shkup-Bllacë, nënseksioni 2 – ndërtimi i një autostrade nga kryqëzimi me një rrugë lokale për fshatin Bllacë (kryqëzimi “Bllacë”) deri në Shkup (kryqëzimi “Stenkovec”), km 2+000 deri në km 12+250.

Gjithashtu, në muajin shkurt ishte parashikuar hapja e procedurës për mbikëqyrjen e ndërtimit të të rrethrrotullimeve në autostradën A4, seksioni Vendkalimi Kufitar “Bllacë” – Shkup (kryqëzimi “Stenkovec”), nënseksioni 1 – nga vendkalimi kufitar “Bllacë” deri në fshatin Bllacë.

Parashikohej me planin vjetor të hapet edhe procedura për ndërtimin e rrethrrotullimeve në autostradën A4, seksioni VK “Bllacë” – Shkup (kryqëzimi “Stenkovec”), nënseksioni 1 – nga VK “Bllacë” deri në fshatin Bllacë.

Disa vite më parë u bë e ditur se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) do të financojnë një segment të ri autostrade në Maqedoninë e Veriut, nga Shkupi deri në kryqëzimin e Bllacës, afër kufirit me Kosovën. Rruga e re do të ofrojë lidhje më të shpejta dhe më të lehta për tregtinë dhe qytetarët.

Një kredi prej 167.6 milionë eurosh nga BERZH për ndërtimin e autostradës do të plotësohet nga një grant i BE-së prej 20.8 milionë eurosh, si dhe 8.8 milionë euro në financim për bashkëpunim teknik për përgatitjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e punimeve. Këto të fundit po ofrohen përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për fazën e dytë prej 10.5 kilometrash nga fshati Bllacë deri në Shkup u nënshkrua në korrik 2022 për një vlerë prej 186 milionë eurosh. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm