Shqipëria ka siguruar zyrtarisht biletën për vendin e dytë në grupin K, që të dërgon në play-off dhe një hap më afër Kupës së Botës 2026. Shqipëria vuajti shumë në transfertën ndaj Andorrës, por në fundi fioi 0-1 dhe mori 3 pikët e arta. Kuqezinjtë e nisën në sulm takimin, Arbër Hoxha del bukur në krahun e majtë, por ndalet në fund nga portieri vendas. Në minutën e 12-të, ishte Manaj që kishte një mundësi të mirë, por goditja e tij bllokohet nga mbrojtësit vendas.
Në minutën e 16-të, Asllani provon nga goditja e dënimit, por topi përfundon pak mbi portë. Në minutën e 22-të, një gjysmë krosim apo goditje e bukur e Hoxhës por që nuk pati harkun e duhur, përfundon afër shtyllës. Në minutën e 27-të, rast shumë i rrezikshëm për vendasit, që i afrohen golit me Rodrigo-n, por goditja e tij përfundon pak sipër traversës. Rasti më i mirë për Shqipërinë ishte në fund të pjesës së parë, kur goditja e Gjimshitit u ndal nga traversa. Pjesa e parë mbyllet 0-0.
Sylvinho e nis pjesën e dytë me të njëjtin formacion, pa bërë asnjë ndryshim. Në minutën e 46′, Hoxha merr një pasim nga Asllani dhe ka një mundësi të mirë për të zhbllokuar shifrat, por ndalet në momentin e fundit. Në minutën e 51-të, Broja futet bukur brenda në zonë, godet Asllani, por portieri vendas tregohet i vëmendshëm. Në minutën e 58-të, Manaj rrëzohet në zonë, por arbitri jep faull në favor të vendasve për prekje të topit me dorë nga sulmuesi kuqezi.
Në minutën e 60-të, Sylvinho bën dy zëvendësimet e para: Dalin Broja dhe Laçi, në vendin e tyre futen Uzuni dhe Bajrami. Duhej të kalonin mbi 65 minuta, që Shqipëria të zhbllokohej më në fund ndaj Andorrës. Pas një kundërsumi të shpejtë, Uzuni asiston për Asllanin dhe mesfushori elbasanas dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 73-të, Manaj i afrohet golit të dytë. Sulmuesi kuqezi devijon goditjen e Bajramit, por topi përfundon ngjitur me shtyllën. Në minutën e 76-të del Manaj dhe futet Tuci.
Në minutat në vijim, Shqipëria mbron rezultatin por kërkon edhe golin e dytë, por shifrat nuk ndryshuan deri në fund. Kuqezinjtë fitojnë 0-1 dhe misioni kryhet me sukses. Në sfidën tjetër, Anglia fitoi 2-0 ndaj Serbisë në “Wembley”, duke bërë pikërisht atë që i interesonte më së shumti Shqipërisë.
Fatin e pjesës së parë e vendosi goli i Bukayo Saka në minutën e 28-të. Fillimisht ishte një goditje e fuqishme nga O’Reilly, e cila ndalet nga mbrojtësi serb, dhe më pas Saka e dërgon në rrjetë me një goditje plot klas. Në fund të kohës së rregullt, Eberechi Eze vulosi fitoren 2-0 të Anglisë.
Më datë 16, luhen ndeshjet e fundit në grup. Shqiëpria pret Anglinë në “Air Albania”, Serbia pret Letoninë.
- Anglia 21 pikë
- Shqipëria 14 pikë
- Serbia 10 pikë
- Letonia 5 pikë
- Andorra 1 pikë




