E martë, 18 Nëntor, 2025
12.8 C
Skopje

S’ka më uzurpim dhe ndërtim afër Liqenit!

Sipas kompetentëve, ka shumë uzurpime të tokave shtetërore, por edhe ndërtime në parcela private të blera nga pronarë të ndryshëm. Një problem i madh mbetet ndërtimi joligjor pranë liqenit, pasi ELEM, si pronar i hidrocentralit dhe i liqenit artificial, nuk lejon ndërtime afër ujit

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 18 nëntor – Prej disa vitesh në bregun e Liqenit të Dibrës janë bërë uzurpime dhe ndërtime pa leje. Për shkak të mungesës së planit urbanistik për këtë zonë, situata është bërë kaotike dhe janë ngritur objekte banimi e objekte shërbyese në mënyrë joligjore. Edhe pse ka pasur debate nga pushteti lokal, shoqëria civile dhe vetë banorët, ndërtimet pa leje kanë vazhduar. Pushteti i ri vendor ka ndalur këtë praktikë dhe ka stopuar uzurpimin dhe ndërtimin në një sipërfaqe pranë liqenit.

Kryetari i ri i Dibrës, Fisnik Mela, për gazetën KOHA deklaroi se nuk do të lejohen ndërtime pa leje në asnjë moment. “Ditët e fundit, në zonën e Liqenit në Dibër, u konstatua një tentativë për uzurpim të pronës publike. Falë reagimit të menjëhershëm të Komunës së Dibrës dhe bashkëpunimit me strukturat përgjegjëse, hapësira publike u lirua pa vonesë dhe vendi i ngjarjes u rrethua me shirita zyrtarë për të parandaluar çdo ndërhyrje të mëtejshme. Dua të theksoj me vendosmëri se fenomene të tilla i përkasin së shkuarës. Në Komunën e Dibrës nuk do të lejojmë asnjë tentativë për keqpërdorimin e pronës së përbashkët. Reagimi institucional do të jetë i menjëhershëm, i vendosur dhe i pakompromis ndaj çdo shkeljeje që synon uzurpimin e hapësirave publike. Prona publike për ne është e shenjtë. Ajo u përket të gjithë qytetarëve dhe do të mbrohet me përkushtim maksimal. Ne do të vijojmë të punojmë çdo ditë që as edhe një pëllëmbë tokë e komunitetit të mos keqpërdoret apo cenohet”, tha Mela.

Sa i përket ndërtimeve të deritashme, ai shtoi se do të ndërmerren të gjitha masat ligjore. Për shkak të kësaj situate kaotike me ndërtimet pa leje në bregun e liqenit, para tre viteve, pas presioneve të shumta, dha dorëheqje inspektori i ndërtimit pranë Komunës së Dibrës. Aktualisht, në bashkëpunim mes Komunës së Dibrës dhe asaj të Vrapçishtit, këtë fushë në Dibër e mbulon inspektori i Vrapçishtit. Sipas kompetentëve, ka shumë uzurpime të tokave shtetërore, por edhe ndërtime në parcela private të blera nga pronarë të ndryshëm. Një problem i madh mbetet ndërtimi joligjor pranë liqenit, pasi ELEM, si pronar i hidrocentralit dhe i liqenit artificial, nuk lejon ndërtime afër ujit. Sipas rregullores, ndërtimet duhet të jenë të paktën 200 metra larg nivelit të ujit. Situata është pasojë edhe e mungesës së një plani urbanistik për këtë zonë.

Udhëheqësia e re e komunës, në krye me kryetarin Fisnik Mela, thekson se për ndërtimet e deritashme do të vendosin organet kompetente në përputhje me ligjin, ndërsa nga sot nuk do të lejohet asnjë ndërtim i ri në këtë zonë. Qytetarët e kanë përshëndetur këtë vendim të komunës. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm