Në çdo trevë shqiptare ka çalime të gjuhës së shkruar dhe të folur në media, për çka vetë gjuhëtarët duhet të jenë më të zëshëm në trajtimin e tyre
Nga Daut DAUTI
1. Para disa ditësh shkrimtari Kim Mehmeti, si rrallë herë ka kritikuar nivelin e kulturës gjuhësore ndër ne, më saktë, atë në Kosovë. Normalisht, ka vënë në dukje atë gjuhë që na bie në veshë e sy nëpër televizione, sepse në familje, rrugë e gjetiu secili flet ashtu si e ka më lehtë. Intervista e tij për një televizion të Shqipërisë, ka gjasë dhe të jetë keqkuptuar për shkak të një fjale që ndoshta i ka shpëtuar në afekt (fjala “injorancë”), diç që ka mundur ta evitojë. Megjithatë, duke pasur parasysh bekgraundin intelektual të tij, atëherë ajo që e ka thënë mund të hapë debat të dobishëm rreth nivelit të gjuhës që e përdorim në media dhe në përgjithësi, pasi nuk është se jemi në situatë për të rrahur gjoks.
Nuk e kam ndërmend ta marr në mbrojtje, sepse ai e mbron më mirë se kushdo veten, e as ta kritikoj më shumë se në ato sulme që është gjetur përballë. Mirëpo, nëse në mediumet nacionale të Kosovës, sheh çdo ditë shprehje të tipit “me ta japë”, “du me ta japë”, për çka para disa muajsh në mënyrë shumë të argumentuar e elaboroi prof.dr.Agim Vinca, dhe ky nuk është shembulli i vetëm që bie në sy gjuhëfolësve të vërtetë, atëherë duhet të shtrojmë pyetjen se rezultat i çkahit i largohemi gjuhës standarde? A është në pyetje përpjekja për të qenë interesant, përpjekje për të folur në gjuhën e mëhallës së vet(kushdo i jep të drejtë të flasë të folmen e lagjes ose katundit të tij, apo, thjeshtë, është në pyetje injoranca kur dikush vërtet nuk e di se ajo që e flet s’ka lidhje me standardin, por një e folme plot defekt! Dhe nuk është në pyetje gjuha që flasim kur ulemi në kafene, që flasim në familje apo kur bërtasim nëpër stadiume, por kur dalim para një publiku të gjerë, të cilit duhet t’i japim shembull si gazetarë, profesorë, politikanë…
Mënyra se si e praktikojmë gjuhën në media, por guxoj të them edhe në shkrime, mund të themi se gjuha shqipe është në fazën më kritike të ekzistimit të vet. Dhe e vërteta e madhe është se nuk është vetëm Kosova “vatër e krizës”, por gjithandej shqiptarisë, madje edhe atje ku më së paku pritet, në Shqipëri.
Ka do kohë që i jap liri vetes që kudo që has shembuj drastikë t’u bëj vërejtje portaleve që i nxjerrin shkrimet e tyre në facebook. Ndër të fundit prej të cilit jam tmerruar ishte kur lexova titullin e një shkrimi si vijon: “Fatmiri pika e dobët e Zylfije Haklaj…” Në njëfarë mënyre, pas dhjetëra shkeljeve të ngjasme, i lejova vetes pak ironi duke iu thënë “a ju duhet kurs nga gjuha shqipe” dhe kur më reagoi një përgjegjëse, e nxori debatin në tjetër fushë, sikur unë t’i kisha thënë se e ka gabim shprehjen “pikë e dobët” dhe dish më mbajti leksion për metaforat dhe figurat stilistike! As pas leximit të dytë të titullit, të shkretët nuk e kishin kuptuar se kanë gabuar se edhe një emër shqiptareje nuk e kishin lakuar. Për ironi, në disa replika “më dëshmoi” shkruesja se i din rasat e lakimit, por kujt i duhen ato, nëse kur shkruan rasa gjindore na del “e Zylfije Haklaj”, e jo “e Zylfije Haklajt”!
E mora këtë shembull se ky fenomen është kanosësi më i rrezikshëm i rregullave drejtshkrimore, që ka nisur kushedi kur në fillim të ’90-tave me emrat e huaj, sikur të ishte rregull që të ruhen të paprekur ato emra, e tash sipas shembullit të tyre, gjithnjë e më shumë nuk lakohen as emrat shqiptarë. Kjo vërtet është e tmerrshme. Dhe sa i përket “injorancës”, ajo është e përhapur gjithandej dhe duhet të themi hapur se në Kosovë nuk është mëkati më i madh se i televizioneve, radiove, portaleve, revistave… të Shqipërisë. Dallimi është se nëse në Kosovë dominojnë ndikimet e të folmeve lokale dhe dialektit gegë, në Shqipëri jo vetëm që dominon toskërishtja, por ajo flitet e shkruhet sikur të ishte vetë gjuha standarde! Kanë specifikat, kuptohet, nëse në Kosovë hasen shprehja të çoroditura si “du me ta japë”, në Shqipëri, çuditërisht, nuk përshtatet nyja e foljes me shumësin dhe kemi, me përjashtime të vogla “atyre i thashë”, në vend se “u thashë”, “atyre i dhashë” (në vend se “atyre u dhashë”) …Të mos flasim për vënien e theksit në Shqipëri, apo theksimin e zanoreve në Kosovë, që menjëherë i largon gjuha standarde. Ka dhe shumë deformime për të cilat kanë shkruar edhe disa autorë të paktë…, zëri i të cilëve, sikur nuk dëgjohet fare!
Njëri prej tyre, që ishte gjetur në debat ku ai kishte mbrojtur gjuhën standarde dhe kur kishte dhënë shembuj të shumtë se si shkruhet në mënyrë të çoroditur, ishte çuar njëri për ta kundërshtuar me “argumentin” qesharak “po çka se nuk është shkruar me gjuhë letrare, me rëndësi të kuptohet”!
2. Bëri shumë bujë ndarja e bursave studentore “Boris Trajkovski” për studime në një universitet të Greqisë, pasi siç shkruan mediat, nga 20 s’paska qenë asnjë shqiptar.
Nëse merret fakti si i tillë, është për të reaguar. Mirëpo, në debat e sipër, nëpër komente të ndryshme, u shtrua edhe dilema a ka qenë ndarja e padrejtë, apo nuk ka pasur kandidatë shqiptarë. Një redaktor i një portali shkroi se në të vërtetë, nga 35 kandidatë, vetëm njëri paska qenë shqiptar, dhe ai e paska fituar.
Mirë është që shtrohet çështja, edhe pse do të ishte mirë që para reagimeve, t’i kemi faktet. Në rastin konkret, ndoshta ka rëndësi vetë problematizimi që, nëse deri tash nuk ka pasur studentë të interesuar shqiptarë për të studiuar në Greqi, kjo të ndryshojë në vitet e ardhshme. Që do të thotë, të dihet se përveç bursave që ndan Ministria e Arsimit, ka dhe bursa të tjera dhe se duhet të konkurrohet për të fituar. Nëse do të kishte më shumë kandidatë dhe do të bëhej ndonjë diskriminim, atëherë në mënyrë të argumentuar do të çonim zërin.
Në këtë kontekst, është interesant të përmendet rasti i çmimit shtetëror i “22 nëntori”. Prej se është etabluar si çmim shtetëror Dita e Alfabetit Shqip, atë vazhdimisht e kanë fituar vetëm shqiptarë. Në shikim të parë do të dukej e logjikshme që ta fitojnë vetëm persona të merituar nga përkatësia shqiptare, por nëse e lexojmë arsyetimin e çmimit se për çka ndahet, e mes tjerash edhe për kontribut në përafrimin dhe bashkëpunimin kulturor, atëherë duhet t’i kthehemi karakterit të tij si çmim shtetëror dhe të mos jetë i kufizuar etnikisht. Nuk është asgjë heretike të thuash se ka dhe duhet t’u jepet në të ardhmen edhe jo shqiptarëve, sepse mund të gjenden. Të paktën, viteve të fundit kemi disa botues maqedonas që kanë botuar vepra të autorëve shqiptarë dhe ky është një kontribut konkret që do valorizuar. E di se mund të thotë dikush se ky çmim është vetëm për shqiptarët pasi lidhet me alfabetin e tyre, por ky nuk është argument i fortë. Sepse, ka edhe dy çmime të tjera shtetërore të cilave mund t’u vishen atribute etnike: njëri është ai që lidhet me VMRO-në historike dhe i dyti, organizatë revolucionare maqedonase, dhe “Kliment Ohridski”, që mund të jetë shumë i ngjashëm me Ditën e Alfabetit, pasi Klimenti është një nga themeluesit e alfabetit sllav. Mirëpo, me gjithë këtë ekskluziviet etnik, për këto dy çmime konkurrojnë dhe deri tash edhe e kanë marrë, edhe personalitete të shquara të etnitetit shqiptar.
Pra, ajo që duhet të bëhet në të ardhmen, është që të thyhet kjo barrierë edhe te “22 Nëntori”, por me një korrigjim, që atë ta fitojnë më shumë se dy kandidatë, që të mund të bëhet një ndarje më e drejtë. Me inerci këshillin për ndarjen e çmimit e dominojnë anëtarët shqiptarë, por kjo nuk do të thotë se ata nuk duhet të jenë më zemërgjerë edhe ndaj joshqiptarëve.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)




