Studiuesit kanë gjetur nivele më të larta të depresionit, gjumit të dobët dhe obezitetit tek fëmijët që marrin telefon që në moshë të hershme
Fëmijët që marrin një telefon të mençur para moshës 12 vjeç duket se janë më të rrezikuar nga probleme të shëndetit mendor dhe fizik, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Pediatrics. Analiza, e cila përfshiu të dhënat e mbi 10,500 fëmijëve nga studimi afatgjatë Adolescent Brain Cognitive Development në SHBA, sugjeron se ekspozimi i hershëm ndaj telefonit ndërlidhet me rritje të depresionit, shtim të peshës dhe mungesë gjumi. Sipas studiuesve, sa më i vogël të jetë fëmija nën 12 vjeç kur merr telefonin e parë, aq më i lartë shfaqet rreziku për obezitet dhe gjumë të ndërprerë. Një grup tjetër fëmijësh që nuk kishin ende telefon në moshën 12-vjeçare u ndoq për një vit, dhe ata që morën një telefon gjatë kësaj periudhe raportuan më shumë simptoma negative të shëndetit mendor dhe gjumit të keq sesa ata që nuk morën telefon, raportoi The New York Times.
“Kur i jepni një fëmije telefon, duhet ta trajtoni si një vendim me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e tij – dhe të silleni në përputhje me këtë”, tha Ran Barzilay, autor kryesor i studimit dhe psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias.
Studiuesit theksojnë se rezultatet tregojnë vetëm lidhje, jo shkak-pasojë. Megjithatë, hulumtimet e mëparshme sugjerojnë se fëmijët që kanë telefona mund të shpenzojnë më pak kohë duke socializuar, ushtruar dhe fjetur – rutina të domosdoshme për mirëqenie. Adoleshenca është periudhë delikate, ku ndryshimet edhe të vogla në gjumë apo mendje mund të lënë pasoja afatgjata. Barzilay nënvizon se qëllimi nuk është të fajësohen prindërit që tashmë u kanë dhënë telefon fëmijëve, duke pranuar se smartphone-ët janë kthyer në pjesë të pandashme të jetës adoleshente. Por, sipas tij, mosha ka rëndësi. “Një 12-vjeçar është shumë, shumë ndryshe nga një 16-vjeçar. Nuk është si ndryshimi midis një të rrituri 42 dhe 46 vjeç”.
Mosha mesatare kur fëmijët në studim morën telefonin e parë ishte 11 vjeç. Ndërkohë, pothuajse të gjithë adoleshentët amerikanë raportojnë se kanë akses të vazhdueshëm në telefona.
Jacqueline Nesi, asistente profesore e psikiatrisë dhe sjelljes njerëzore në Universitetin Brown, paralajmëroi se studimi nuk provon se telefonat shkaktojnë drejtpërdrejt dëme, por mund t’i shtyjë prindërit të presin më gjatë. Ajo theksoi se kujdestarët “nuk duhet të presin për prova të përsosura” për të marrë vendime të tilla. Sipas saj, prindërit duhet të besojnë intuitën dhe të shtyjnë sa të munden dhënien e telefonit – duke qenë se pajisja u jep fëmijëve akses te gjithë interneti, gjë që mbart rreziqe të konsiderueshme. Edhe pse ekspertët mund të diskutojnë mbi shkallën e ndikimit të telefonave, shumica bien dakord se pajisjet prishin gjumin.
Jason Nagata, pediatër në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, u referua një studimi të vitit 2023 ku 63 për qind e fëmijëve 11–12 vjeç raportuan se flenë me pajisje elektronike në dhomë, dhe 17 për qind u zgjuan nga njoftimet gjatë natës. Sipas tij, largimi i telefonit nga dhoma e gjumit gjatë natës është një ndër hapat më të thjeshtë për të reduktuar ndikimet negative – edhe nëse fëmija tashmë ka telefon. Megjithatë, ai dhe të tjerë pranojnë se kjo është shpesh e vështirë për prindërit.




