E enjte, 9 Tetor, 2025
15.8 C
Skopje

Tensione parazgjedhore në Butel: Dëmtohet fotografia e kandidatit shqiptar, prof.dr. Isamedin Azizi

Në prag të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, tensionet politike në Komunën e Butelit kanë filluar të përshkallëzohen. Sonte, autorë të panjohur tani për tani, kanë dëmtuar pllakatën zgjedhore të kandidatit për kryetar të Komunës së Butelit nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), prof. dr. Isamedin Azizi, e vendosur në një nga lokacionet qendrore të kësaj komune, shkruan gazeta KOHA.

Siç shihet në fotografinë e siguruar nga gazeta KOHA, pjesa me fotografinë e kandidatit shqiptar është shqyer dhe e dëmtuar, duke e lënë të qartë gjurmën e një akti vandalizmi me motive politike.

Ky incident ndodh vetëm pak ditë para zgjedhjeve, në një klimë të ndezur fushate ku për herë të parë pas shumë vitesh, komuna e Butelit mund të drejtohet nga një shqiptar.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në Butel votuesit shqiptarë përbëjnë 50.3% të trupit elektoral, ndërsa pjesa tjetër janë maqedonas dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera etnike. Kjo e bën garën për Butelin një nga më të rëndësishmet dhe më simboliket në kryeqytet.

Simpatizantët e kandidatit Azizi e kanë cilësuar aktin si “përpjekje të dëshpëruar për të frikësuar votuesit shqiptarë dhe për të ndalur valën e mbështetjes që po rritet në Butel”.

Ndërkohë, qytetarët kërkojnë nga organet kompetente që incidentet e tilla të mos mbeten pa ndëshkim, pasi, siç thonë ata, “Buteli meriton një garë të qetë, demokratike dhe të ndershme – jo vandalizëm dhe provokime politike”. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm