E diel, 12 Janar, 2025
0.8 C
Skopje

Tetovë-Prizren, projektimi i tunelit në vendnumëro

Kreu i Tetovës është shprehur se janë ndarë mjete për projektin e tunelit, por pa saktësuar se sa mjete janë ndarë. “Nuk mund të futet në Program nëse nuk është paraparë në buxhet. Pra, derisa jemi dakorduar që të jetë në program dhe derisa janë formuar grupet e punës, sigurisht se është pjesë buxhetit”, tha Kasami

Urim HASIPI

Tetovë, 12 janar – Rruga e shumëpërfolur Tetovë-Prizren, përderisa nga pjesa e Kosovës ka filluar të ndërtohet, nga pjesa e Maqedonisë së Veriut – projektimi i tunelit ende mbetet në labirintet institucionale. Bashkë me tunelin pritet që të projektohet edhe rruga nga Tetova. Nga pjesa e Kosovës, marrëveshjet janë miratuar dhe buxheti është ndarë, ndërsa informacionet e fundit janë se atje punohet pa ndërprerë edhe në këtë periudhë. Nga ana e Maqedonisë, rruga është në fazën e përgatitjes së projektit të tunelit në gjatësi prej 6.2 kilometrave. Lajm i mirë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut është se deri më tani është se është formuar grupi i punës i cili do të punojë për shpalljen e tenderit për projektin e tunelit. Këtë e thotë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shkruan gazeta KOHA.

Sipas tij, krahas projektimit të tunelit, po ashtu do të projektohet edhe rruga nga Tetova deri tek tuneli. “Veçmë janë formuar grupet e punës të cilët punojnë në drejtim të shpalljes të tenderit për projektimin e tunelit dhe në bashkëbisedim me drejtorinë e rrugëve shtetërore, jemi dakorduar që edhe projektimi i segmentit të rrugës nga Tetova deri në hyrje të tunelit të futet në Programin e Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore”, tha Kasami.

Kreu i Tetovës është shprehur se janë ndarë mjete për projektin e tunelit, por pa saktësuar se sa mjete janë ndarë. “Nuk mund të futet në Program nëse nuk është paraparë në buxhet. Pra, derisa jemi dakorduar që të jetë në program dhe derisa janë formuar grupet e punës, sigurisht se është pjesë buxhetit. Besoj se këtë vit do të shpallet tenderi edhe për projektimin e tunelit, por edhe do të nisë projektimi i segmentit të rrugës nga Tetova deri në hyrje të tunelit”, deklaroi Kasami.

Rruga Tetovë-Prizren është premtuar disa herë nga ana e përfaqësuesve të koalicionit VLEN, madje kjo është premtuar edhe gjatë qëndrimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë dhe në fshatrat e Malësisë së Tetovës. Megjithatë, për dallim nga pjesa e Maqedonisë së Veriut, nga qeveria e Kosovës ky projekt është avancuar edhe më shumë.

“Kjo rrugë i lidhë dy autostrada ndërkombëtare të cilat kalojnë në të dy anët e maleve të Sharrit, dhe lidhja e këtyre dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i afron dy qytetet dhe dy shtetet tona, ajo mundëson edhe hapjen e një korridori të ri rrugor me ndikim ekonomik për të dyja vendet” deklaroi kohë më parë Ministri i Transportit në Kosovë, Liburn Aliu. Ministri i Mjedisit të Kosovës, Aliu u shpreh se ky projekt përpos që e lidh Autostradën “Ibrahim Rugova” me koridorin Jon-Adriatik dhe me Koridorin 8 nga ana tjetër që është Tetova, shërben edhe për turizëm malor nga të dyja anët dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Ndryshe, vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm