Gazeta KOHA doli në terren për të parë taketuket e vendosura në qytetin e Shkupit dhe duhanpirësit rreth saj. Fatkeqësisht shumë duhanpirës gjuanin lirshëm cigaren në tokë, pavarësisht se ndodheshin afër shpuzoreve apo të ashtuquajturave taketuke. Nga kjo vërtetojmë se ligji është avulluar krejtësisht dhe nuk respektohet pothuajse aspak nga qytetarët
Anëmsha SHABANI
Shkup, 28 prill – Pasi Ligji për pastërtinë publike nga viti 2008 parashikonte gjobë për hedhjen e cigareve në hapësira publike, qeveria e atëhershme në vitin 2010 në billborde i paralajmëronte qytetarët se nëse harrojnë se ku është shpuzorja, lehtë do të humbin 3.000 denarë. Mirëpo, sot siç duket ligji anti-duhan nuk po merr zbatimin e duhur. Gazeta KOHA doli në terren për të parë taketuket e vendosura në qytetin e Shkupit dhe duhanpirësit rreth saj. Fatkeqësisht shumë duhanpirës gjuanin lirshëm cigaren në tokë, pavarësisht se ndodheshin afër shpuzoreve apo të ashtuquajturave taketuke. Nga kjo vërtetojmë se ligji është avulluar krejtësisht dhe nuk respektohet pothuajse aspak nga qytetarët.
Ndërkohë, kalimtarët e rastit u shprehën për gazetën KOHA se ligji anti-duhan nuk është zbatuar ndonjëherë nga qytetarët as në kryeqytet. Një qytetarë tha se as policët nuk parashtrojnë gjoba pavarësisht se çdo gjë duket, madje edhe ata vetë veprojnë ashtu. “Si të respektohet ky ligj, ne shpesh shohim polic me cigare në dorë, madje shpesh i hedhin në tokë. Mendoj që kjo ndodhë edhe si pasojë e rrugëve të papastra por edhe për shkak mungesës së dënimeve nga ana e policisë”, tha një qytetarë i Shkupit.
Duhanit sherrin nuk i ‘a shohin vetëm duhanpirësit, por edhe një pjesë e madhe e qytetarëve që qëndrojnë në hapësira të mbyllura ku pihet duhani. Në përputhje me ligjin, pirja e duhanit është e lejuar vetëm jashtë objekteve, përkatësisht në tarraca, por afaristët kanë gjetur mënyra për të manipuluar me zbrazëtirat ligjore, përkatësisht ata i mbulojnë tarracat me xhama apo materiale të tjera.
Ndërkaq, ish Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në dhjetor të vitit të kaluar paralajmëroi masa rigoroze për duhanpirësit për vitin 2024. “Gjatë vitit 2024 do të ketë masa të rrepta për pirjen e duhanit në hapërsirat ku ndalohet me ligj. Do të nënshkruajmë një protokoll me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Epo, tani duhanpirësit të mendojnë se çfarë të bëjnë më pas”, kishte theksuar Mexhiti.
Gjobat për shkelësit e ligjit janë nga dy mijë deri në katër mijë euro për personin juridik ndërkaq për personat fizik nga 100 deri në 300 euro. Inspektorati Shtetëror i Tregut është përgjegjës për kontrollin e duhanit në ambientet e hotelerisë dhe në ambientet publike.
Nga ana tjetër, Salim Shabani nga Shkupi tha për gazetën KOHA se duhanin e ka filluar qysh nga mosha 19 vjeçare dhe prej atëherë nuk ka ndodhur që të merr ndonjë gjobë apo vërejtje. “Nuk ndalemi nëpër vende të posaçme për të pirë një cigare, edhe shpuzoret publike janë në distancë të largët, të humb kohë. Që nga mosha 19 vjeçare kam filluar me pirjen e duhanit, nuk më ka ndodhur të gjobitem. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se tymi i duhanit u shkakton edhe të tjerëve dëmtime, mirëpo është kështu si është”, tha Selim Shabani nga Shkupi. Ndër të tjera, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë nxjerrë në pah se rreth gjysma e popullsisë në vend konsumon duhan, përkatësisht përqindja e përdoruesve aktualë të duhanit arrin në 45.4 për qind të qytetarëve të vendit. Në bazë të këtyre të dhënave, rreth 70 për qind e duhanpirësve kanë filluar të tymosin duhan nën moshën 21-vjeçare. Kurse, në bazë të përkatësisë gjinore, janë meshkujt ata që tymosin më shumë duhan. (koha.mk)