Ndërsa partitë i drejtojnë akuzat njëra-tjetrës për neglizhencë ndaj monumenteve të kulturës, strategjitë e hartuara dhe planet afatgjate mbeten në letër dhe objektet e rrezikuara dëmtohen çdo ditë
Evis HALILI
Shkup, 20 tetor – Dëmtimi dhe shkatërrimi i pjesshëm i shtëpisë – monument kulture në Strugë i mbrojtur nga shteti i Vllado Malevskit, autorit të himnit maqedonas ka rivënë në shënjestër Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për neglizhencë ndaj mbrojtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore. Ndërsa Lidhja Social Demokrate përmes një reagimi kërkon dorëheqjen e ministrit Zoran Ljutkov, me arsyetimin se në vend që të mbrojë trashëgiminë kulturore, është i angazhuar në fushatë partiake dhe vetëpromovim, VMRO-DPMNE e hedh fajin tek keqqeverisja lokale dhe lejimi i ndërtimeve pa leje. Nga MKT kanë dekalruar se dëmtim ika ardhur si pasojë e gërmimeve në godinën ngjitur.
“MKT reagon ashpër ndaj çdo sjelljeje të papërgjegjshme dhe të pamatur që çon në dëmtim të objekteve të mbrojtura dhe u bën thirrje të gjithë investitorëve dhe qytetarëve që t’u përmbahen procedurave ligjore dhe kushteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e cila përfaqëson një pasuri të paçmuar të vendit tonë”, thuhet në reagim. Në regjistrin e Trashëgimisë Kulturore figurojnë të regjistruara 1.336 objekte dhe vende të mbrojtura si monumente kulturore, mes tyre kryesisht kisha, manastire, xhami, shtëpi…., por jo domosdoshmërisht regjistrimi nënkupton mbrojtje.
Vetë MKT e ka vendosur lart në agjendën e prioriteteve mbrojtjen e trashëgimisë, por pa precizuar masa dhe strategji të posaçme.
“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore, pavarësisht karakterit të saj historik, qytetërues dhe etnokulturor, duhet të jetë lart në agjendën e MKT. Në vitin 2025, duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar kuadrin ligjor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, me mbështetjen financiare të ofruar, duhet të zbatohen më shumë aktivitete mbrojtëse dhe konservuese sipas llojit duhet të punohet për të inkurajuar masat për menaxhimin efektiv të trashëgimisë kulturore, për të forcuar kapacitetet e shërbimeve profesionale në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe për të mbështetur aktivitete që do të shërbejnë për të rritur ndërgjegjësimin publik….”, thuhet në dokumentin e MKT.
Duke iu referuar raportit më të fundit të Revizionit Strategjia kombëtare për zhvillimin e kulturës (2018–2022) ka mbetur një dokument në letër. Nga nëntë prioritetet kryesore, gjashtë nuk janë zbatuar fare ose janë zbatuar pjesërisht. Mungesa e dokumenteve strategjike të miratuara në fushën e trashëgimisë kulturore ka ndikim në përcaktimin e objektivave prioritare dhe parimeve themelore, masave dhe aktiviteteve për ruajtjen e përhershme të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe tregon nevojën për të ndërmarrë aktivitete shtesë për të përditësuar periudhën kohore për të cilën do të miratohet Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Trashëgimisë Kulturore.
“Klasifikimi dhe rivlerësimi i zbatuar në mënyrë të paplotë vetëm për 18 për qind të numrit të përgjithshëm të aseteve kulturore të paluajtshme të regjistruara në Republikën e Maqedonisë, regjistrat e mbrojtjes të vendosura në mënyrë të mangët, të dhënat e plota dhe të azhurnuara në mënyrë të pjesshme në regjistrin e trashëgimisë kulturore të paluajtshme dhe një Sistem Informativ Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore i pazhvilluar dhe funksional, kontribuojnë në mosdhënien e informacionit të disponueshëm publikisht mbi trashëgiminë kulturore dhe mbrojtjen e saj”, konstaton revizioni. (koha.mk)




