Zyra e UNICEF-it në Shkup alarmon se varfëria dhe përjashtimi po ndikojnë ndjeshëm në jetën e fëmijëve, duke penguar aksesin e tyre në shërbimet themelore sociale dhe mundësitë e zhvillimit. Një paketë masash për një periudhë katërvjeçare synon mes të tjerash rritjen e ndihmës sociale, vakte falas në shkolla, sigurim shëndetësor…
Evis HALILI
Shkup, 14 maj – Një plan kombëtar për katër vitet e ardhshme është një nga masat që Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në bashkëpunim me UNICEF-it dhe BE-së do të ndërmarrë për të zbutur varfërinë tek fëmijët që është cilësuar si alarmante. Një në tre fëmijë në Maqedoni jeton në varfëri. Fëmijë me një prind, në familje me shumë anëtarë, ose romë. Ndërsa 40 për qind e fëmijëve përballen me varfëri shumëdimensionale, sipas treguesit të BE-së për fëmijët në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Sipas Zyrës së UNICEF-it në Shkup varfëria dhe përjashtimi ndikojnë ndjeshëm në jetën e fëmijëve, duke penguar aksesin e tyre në shërbimet themelore sociale dhe mundësitë e zhvillimit.
“Një në tre fëmijë jeton nën vijën e varfërisë, që është një rritje krahasuar me vitin 2019 kur kjo përqindje ishte 27.8 dhe i bën fëmijët një nga grupet më të cenueshme në shoqëri. Të dhënat e anketave familjare tregojnë se deri në 73 për qind e fëmijëve janë të ekspozuar ndaj disiplinës së dhunshme në shtëpi, dhe afërsisht 20 mijë fëmijë nuk kanë kujdes shëndetësor efektiv. Më pak se 37 për qind e fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç kanë qasje në arsimin parashkollor, ndërsa gjysma e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk përparojnë në arsimin e mesëm për shkak të mungesës së masave mbështetëse”, konstaton UNICEF.
Në konferencën e organizuar të mërkurën u theksua se Qeveria po bashkëpunon me UNICEF-in për të identifikuar grupet më vulnerabile të fëmijëve dhe për të vlerësuar shërbimet dhe programet ekzistuese për të adresuar varfërinë dhe përjashtimin social të fëmijëve. Për të kapërcyer sfidat, Qeveria, me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it, ka hartuar një Plan Kombëtar Veprimi për të Drejtat e Fëmijëve 2025 – 2029, i cili është në fazat e fundit të miratimit.
Një nga prioritetet e Planit është ulja e varfërisë së fëmijëve, duke përfshirë futjen e Garancisë Evropiane për Fëmijë, si dhe një rritje prej 15 për qind të ndihmave financiare për fëmijët. Ministri i PSDR, Fatmir Limani u shpreh se pavarësisht disponueshmërisë së shërbimeve bazë në vend, siç janë arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, fëmijët që përballen me varfëri dhe përjashtim përballen edhe me pengesa më të mëdha, sepse sistemet nuk janë të përshtatura sipas nevojave të tyre. Sipas tij, po punohet gjithashtu për zgjerimin e kapaciteteve të arsimit parashkollor në mënyrë që më shumë fëmijë të kenë mundësinë të ndjekin kopshtin dhe kështu të sigurohen shanse më të mira për sukses në nivelet e ardhshme të arsimit. (koha.mk)