E shtunë, 1 Nëntor, 2025
2.8 C
Skopje

“VERA TETOVARE 2025”: Program cilësor kulturor

Manifestimi “Tetova n’Festë Vera Tetovare 2025”, sipas kryetarit të Tetovës, nuk është një ngjarje spontane, por pjesë e një vizioni afatgjatë për krijimin e një kalendari të qëndrueshëm kulturor dhe për nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në jetën publike

 

Urim HASIPI

Tetovë, 15 korrik – Nga 16 korrik e deri më 3 gusht, në Tetovë do të mbahet manifestimi kulturor, sportiv dhe artistik “Tetova n’Festë – Vera Tetovare 2025”. Ky aktivitet, sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përfaqëson një platformë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e jetës publike, avancimin e kulturës qytetare dhe promovimin e vlerave shumëdimensionale: sportive, kulturore dhe artistike. Ai tha se programi është konceptuar për të ofruar përmbajtje cilësore dhe funksionale në disa segmente kryesore.

“Sfera sportive përfshinë aktivitete të ndryshme si gara në not dhe tenis, turne futbolli për mërgatën, ndeshje miqësore ndërkomunale, basketboll në shesh, gara biçikletash si dhe ekspozita të veturave old-timer dhe luksoze. Qëllimi është promovimi i një jetese aktive, të shëndetshme dhe të qasshme për të gjitha grupmoshat. Segmenti kulturor do të përmbajë orë letrare, promovime të autorëve lokalë dhe rajonalë, ekspozita të artit pamor, tryeza mbi trashëgiminë kulturore dhe historike, si dhe aktivitete leximi për fëmijë në format të hapur veror. Synimi është zhvillimi i kapaciteteve kulturore dhe përforcimi i kujtesës kolektive”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Në pres konferencën me gazetarë, Kasami tha se programi i netëve të komuniteteve, që do të zhvillohet në sheshin qendror, është i ndarë sipas përfaqësimit të komuniteteve që bashkëjetojnë në Tetovë edhe atë shqiptar, maqedonas, turk dhe rom. Në këtë drejtim kryetari Kasami tha se përmes muzikës, valleve dhe ansambleve tradicionale do të promovohen kohezioni social dhe respekti i ndërsjellë. “Netët rinore do të zhvillohen në fund të korrikut, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur të muzikës moderne shqiptare. Aktivitetet janë menduar si hapësirë argëtimi, por edhe si mbështetje ndaj skenës kreative të të rinjve. Në datat 29, 30 dhe 31 korrik, janë planifikuar tre mbrëmje muzikore me përmasa masive, ku do të performojnë artistë të njohur nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Më 1 gusht, do të organizohet Panairi i Artizanatit dhe i Gastronomisë Lokale, me qëllim promovimin e trashëgimisë materiale, zejtarisë tradicionale dhe vlerave kulinarike të rajonit të Tetovës”, tha Kasami.

Manifestimi “Tetova n’Festë – Vera Tetovare 2025”, sipas kryetarit të Tetovës, nuk është një ngjarje spontane, por pjesë e një vizioni afatgjatë për krijimin e një kalendari të qëndrueshëm kulturor dhe për nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në jetën publike. “Kjo festë verore është një ftesë për gjithë shoqërinë që të jetë pjesë aktive e zhvillimeve pozitive, duke e përjetuar qytetin si hapësirë të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse. Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve të favorshme për zhvillim kulturor, sportiv dhe social. Ftoj qytetarët tanë, mërgatën dhe të gjithë miqtë e Tetovës që t’i bashkohen këtij edicioni dhe ta bëjnë këtë verë një përjetim të përbashkët të vlerave tona më të mira”, tha ai. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm