E mërkurë, 29 Tetor, 2025
18.8 C
Skopje

VLEN: Shqiptarët zgjodhën dinjitetin, jo fyerjet e Ahmetit

Shkup, 26 tetor – Koalicioni VLEN ka reaguar pas zhvillimeve të fundit zgjedhore, duke theksuar se shqiptarët kanë zgjedhur dinjitetin dhe ndryshimin, ndërsa sipas tyre, partia në pushtet BDI po përballet me fundin politik pas më shumë se dy dekadash qeverisjeje.

“Në çdo cep të vendit, në çdo lokal, në çdo mëhallë ndihet euforia e qytetarëve që BDI më në fund po merr fund. Pas më shumë se 20 vitesh keqqeverisje, mashtrime dhe arrogancë, shqiptarët janë zgjuar dhe po kërkojnë ndryshimin e vërtetë,” thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas tyre, VLEN po shërben si shembull i politikës moderne shqiptare – pa presione, pa shantazhe dhe pa kërcënime – me fokus te komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe zgjidhja e problemeve reale.

“Ne jemi pranë popullit, jo të mbyllur në zyra e bunkerë pushteti. Ne i dëgjojmë hallet e qytetarëve dhe punojmë për çdo vendbanim, për çdo familje,” thuhet më tej në komunikatë.

Në deklaratën e VLEN-it theksohet se BDI është në fund të pusit, ndërsa marrëveshja me Levicën cilësohet si “bashkëpunim i turpshëm që tradhton interesin shqiptar për pushtet personal”.

“Kjo u pa qartë më 19 tetor, kur qytetarët ua dhanë dënimin e parë. Por goditja e fundit do të vijë më 2 nëntor, në Tetovë, Dibër, Dollnen, Bërvenicë e gjithandej ku shqiptarët kanë vendosur ta mbyllin kapitullin e BDI-së”, thekson komunikata.

VLEN nënvizon se ndryshe nga Ali Ahmeti, që sipas tyre “i ofendon shqiptarët duke i quajtur ‘zagarë’ e ‘gazimestan’”, kjo forcë politike i nderon qytetarët përmes përfaqësimit dinjitoz dhe punës së përditshme.

“Ne besojmë te dinjiteti, te bashkimi dhe te politika që i shërben qytetarit, jo xhepit personal. VLEN është fryma e re, forca e ndryshimit dhe vula që shqiptarët do të kenë zë të pastër, të fortë dhe të ndershëm në çdo nivel të pushtetit,” përfundon reagimi.

Sipas VLEN-it, 2 nëntori do të shënojë “mbylljen e kapitullit të vjetër dhe fillimin e epokës së re të shqiptarëve me VLEN”.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm