Yulia Navalny, zëri i ri që nuk i frikësohet Putinit

Yulia Ambrosimov u lind në Moskë më 1976. Është vajza e shkencëtarit të respektuar Boris Ambrosimov. E diplomuar në ekonomi, Yulia ka pasur karrierë në bankë, por e la punën për shkak të kujdesit të fëmijëve, në kohën kur Alexei u bë politikan me emër. Ishin takuar më 1998 gjatë pushimeve në Turqi. U martuan dy vjet më pas. Atë kohë, asnjëri s’kishte menduar se do të bëheshin të famshëm

 

Yulia Navalny gjithmonë ka qëndruar në hije, duke insistuar se roli i saj kryesor është të jetë grua dhe nënë dhe jo politikane. Por pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Alexei, dhe fjalimit emocionues për drejtësi në Konferencën e Sigurisë në Munih, Yulia është kthyer në lidere të papritur të opozitës në Rusi. Është bërë përfaqësuese e zërit që s’i frikësohet Vladimir Putinit. Pavarësisht rolit në të kaluarën, Navalny ka qenë gjithmonë përkrahëse e madhe e bashkëshortit të saj dhe ishte vendimtarja në nxjerrjen e tij jashtë Rusisë për trajtim urgjent kur u helmua me substancën nervore “Novichok” më 2020. Është quajtur në vazhdimësi “zonja e parë” e opozitarit rus. Dhe Alexei vetë pati thënë se pa bashkëshorten nuk do të mund ta vazhdonte luftën e zorshme kundër regjimit të Kremlinit.

Dashuria e tyre dhe jeta familjare – kanë dy fëmijë – është konsideruar inspirim për përkrahësit e çiftit. Yulia Ambrosimov u lind në Moskë më 1976. Është vajza e shkencëtarit të respektuar Boris Ambrosimov. E diplomuar në ekonomi, Yulia ka pasur karrierë në bankë, por e la punën për shkak të kujdesit të fëmijëve, në kohën kur Alexei u bë politikan me emër. Ishin takuar më 1998 gjatë pushimeve në Turqi. U martuan dy vjet më pas. Atë kohë, asnjëri s’kishte menduar se do të bëheshin të famshëm.

 

TË DY ISHIN PJESË E PARTISË YABLOKO

“Nuk jam martuar me një jurist premtues a lider opozitar. U martova me një djalë të ri të quajtur Alexei”, pati thënë ajo për “Sobesednik” më 2020. Të dy ishin pjesë e partisë Yabloko që nga vitet e 2000-a. Megjithatë Yulia qëndroi më shumë e fshehur nga publiku deri në vitin 2020, kur bashkëshorti i saj u helmua. Atë kohë nisi të bënte paraqitje publike e të mbante fjalime. Kur ai në fluturimin nga Siberia drejt Moskës u sëmur më 2020, Yulia i shkroi direkt presidentit Vladimir Putin, duke i kërkuar ta lironte për trajtim në Gjermani. “Çdo moment mendoja se ‘duhej ta nxirrja larg’”, pati thënë ajo për gazetarin dhe prodhuesin e dokumentarëve, Yuri Dud. Navalny ia doli të largohej nga Rusia, me ndihmën e organizatave me bazë në Gjermani. Disa muaj pas shërimit, Yulia u rikthye me bashkëshortin në Moskë. Me t’u kthyer ai u arrestua. Pjesën tjetër e kaloi prapa grilave deri në vdekje.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, që e ka quajtur Yulian “parimore dhe të patrembur”, ka thënë se atë kohë se do të ketë presion të madh në të që të luajë më shumë rol publik dhe se ajo i ka të gjitha kredencialet për këtë.

“Navalny nuk ka mundur të ketë partnere më të mirë në jetë se Yulia Navalnyn. Ajo ka ndarë me të bindjet dhe trimërinë”, ka thënë ai për rrjetin televiziv amerikan NBC. “Ajo gjithashtu ka rritur dhe mbrojtur dy fëmijët e tyre në një mënyrë që ka nxitur admirim të thellë te përkrahësit e demokracisë në Rusi. Pa asnjë mëdyshje, Yulia ia ka shpëtuar jetën bashkëshortit të saj”. Yulia Navalny së fundmi ka thënë se s’do të ndjekë rrugën e Svetlana Tikhanovskayas, lideres opozitare bjelloruse që u bë kandidate për presidente, pasi bashkëshorti i saj u burgos para zgjedhjeve të vitit 2020. Tikhanovskaya konsiderohet se ka fituar ato zgjedhje, që u vodhën në favor të presidentit aktual, Alexander Lukashenko. Në fjalimin në Munih dhe adresimin e mëvonshëm në rrjete sociale në gjuhën ruse, e shfaqur përplot emocion, 47-vjeçarja besohet se mund të ketë ndryshuar mendje.

“Ajo që ne kemi nevojë është Rusia e lirë, paqësore dhe e lumtur. Rusinë e mrekullueshme të së ardhmes që bashkëshorti im e ka ëndërruar shumë. Ky është shteti që unë dua të krijoj bashkë me ju. Shtetin që Alexei Navalny e ka imagjinuar”, ka thënë ajo. “Kjo është rruga e vetme – s’ka tjetër – në të cilën sakrifica e paimagjinueshme që ai bëri, nuk del të jetë e kotë”.

PUTINI S’E SHIKOI VIDEOMESAZHIN E BASHKËSHORTES SË NAVALNYT

Kremlini zyrtar ka thënë se presidenti Vladimir Putin s’e ka shikuar videomesazhin e bashkëshortes se Alexei Navalnyt, Yulia Navalnaya. Zëdhënësi rus, Dmitry Peskov e ka quajtur të pasaktë pretendimin se Navalny ishte helmuar nga një agjent nervor rus, duke thënë se s’do të jepte më tepër komente mbi këtë ndodhi. Sipas tij, akuzat për përfshirjen e presidentit Putin në vdekjen e Navalnyt “janë të pabaza dhe të neveritshme” ka raportuar TheGuardian. Navalnaya i është drejtuar botës të një ditë më parë me mesazh duke akuzuar haptas Putinin për përfshirje në vrasjen e bashkëshortit. Ajo ka thënë se e di pse Putini e ka bërë këtë, duke shtuar se do të vazhdojë rrugën e kritikut. Navalny vdiq të premten (16 shkurt) në një burg në Rrethin e Arktikut. Trupi i tij ende s’i është dorëzuar familjes, pasi Rusia ka thënë se do t’i kryhen analiza në dy javët e ardhshme.

FAMILJA DUHET TË PRESË EDHE DY JAVË PËR TRUPIN E NAVALNYT

Familja e Alexei Navalnyt, që vdiq ditë më parë në një burg rus, raportohet se do të duhet të presë edhe të paktën dy javë për ta marrë trupin e tij. Kritikut të presidentit rus Vladimir Putin do t’i bëhen analiza kimike, ka njoftuar një përfaqësues i familjes. Nuk ka konfirmim se ku gjendet trupi i tij, ndërsa autoritetet ruse kanë shuar përpjekjet për ta zbuluar lokacionin. Gruaja e opozitarit rus ka akuzuar pushtetin se po përpiqet ta fshehë trupin. Në një video të hënën ajo është zotuar se do ta vazhdojë luftën e Navalnyt për “Rusinë e lirë”. Yulia Navalny ka akuzuar direkt presidentin Vladimir Putin se ia ka vrarë bashkëshortin. Sipas saj, trupi po mbahet i fshehtë deri të largohen gjurmët e helmimit nga substanca nervore “Novichok”. Navalny i kishte mbijetuar helmimit me këtë substancë më 2020.

Vdekja e tij u njoftua të premten. Autoritetet në burgun në Siberi, ku Navalny po mbahej, kishin thënë se ai vetëm ka pësuar kolaps dhe më nuk ka rimarrë veten. Liderët e Perëndimit ia kanë vënë fajin për vdekjen e Navalnyt, presidentit rus Vladimir Putin. Kremlini i ka cilësuar këto deklarata si të papranueshme dhe arrogante.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm