Zjarrfikësit mësojnë brezin e ri si të reagojë kur ka zjarr

Këto ditë, Njësia Kundër Zjarrit në Dibër, përveç aktiviteteve të zakonshme në shuarjen e zjarreve, të cilat fatkeqësisht janë shumë të shpeshta, sidomos në hapësira të hapura, po realizon edhe aktivitete që kanë të bëjnë me dhënien e këshillave për mbrojtje nga zjarret për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme

 

Vjollca SADIKU

Dibër, 20 prill – Roli i zjarrfikësve në shoqëri është shumë domethënës për mbrojtjen nga zjarret, por edhe në sferën e shpëtimit. Në këtë drejtim janë edhe aktivitetet e Njësisë së zjarrfikësve në Dibër, të cilët përveç qytetit të Dibrës mbulojnë me aktivitetet e tyre edhe komunat rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë–Rostushë.

Këto ditë, Njësia Kundër Zjarrit në Dibër, përveç aktiviteteve të zakonshme në shuarjen e zjarreve, të cilat fatkeqësisht janë shumë të shpeshta, sidomos në hapësira të hapura, po realizon edhe aktivitete që kanë të bëjnë me dhënien e këshillave për mbrojtje nga zjarret për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Në Shkollën e Mesme Komunale “28 Nëntori” u organizua një aktivitet demonstrues nga zjarrfikësit, të cilët prezantuan aftësitë e tyre profesionale dhe dhanë këshilla praktike për nxënësit lidhur me mënyrën se si të mbrohen dhe të përballen në situata kur paraqiten zjarre. Në objektin e shkollës në fjalë, 14 anëtarët e njësisë së zjarrfikësve, të pajisur me veshje speciale dhe pajisje profesionale, realizuan një demonstrim se si intervenohet dhe shuhet zjarri në lartësi, si dhe si realizohet evakuimi i nxënësve në raste zjarri.

Nxënësit patën mundësi të ndjekin nga afër demonstrime konkrete dhe të mësojnë hapat e duhur për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, duke rritur kështu ndërgjegjësimin për sigurinë në komunitet. Në mënyrë profesionale, komisari i njësisë, Xhetan Miftaroski, para nxënësve dhe mësimdhënësve tregoi mënyrën se si duhet të veprohet kur paraqiten zjarre në objektet shkollore.

Drejtori i shkollës së mesme, Argëtim Trepça, tha se aktiviteti i Njësisë së zjarrfikësve ka qenë shumë i nevojshëm dhe efektiv, ndërsa kryetari i Dibrës, Fisnik Mela, theksoi se demonstrimi dhe dhënia e këshillave për nxënësit kanë qenë në nivelin e duhur. Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, i cili përgëzoi zjarrfikësit për profesionalizmin, theksoi gjithashtu rëndësinë e edukimit të të rinjve për sigurinë dhe reagimin në raste emergjente.

Mësimdhënësit dhe nxënësit theksuan se këto aktivitete janë shumë të nevojshme. Sipas tyre, aktivitete të tilla duhet të organizohen në vazhdimësi, pasi rreziqet nga zjarret janë gjithmonë të pranishme. Aktivitete të këtilla zjarrfikësit do të realizojnë në të gjitha shkollat e Dibrës, si dhe në shkollat fillore në komunat rurale. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm