Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjashtë nga pjesëtarët e grupit terroristë që i sulmuan policët e Kosovës, janë duke i trajtuar plagët në Spitalin e Novi Pazarit në Serbi.
Sveçla i bëri thirrje Serbisë që t’i kthejnë në Kosovë të gjykohen.
Ministri po ashtu tha se asnjë civilë nuk është lënduar nga aksioni i Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
“Në shkëmbimin e zjarreve mes grupeve të armatosura dhe policisë sonë kanë mbetur të vrarë së paku 3 të vrarë nga ta të gjithë me unifomra dhe pajisje ushtarake ndërsa janë arrestuar dy të tjerë, dhe katër persona të cilët kanë qenë në rolin e tyre mbështetës në këtë aktivitet. Vlen të theksohet se asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion, sipas informatave të deritanishme gjashtë terrorist të plagosur të trajtohen në spitalin e Novi Pazarit, dhe kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojnë menjëherë autoriteteve të Kosovës që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste”, ka thënë ai.




