Plehrat mbushin rrugët, Arsovska dhe Perisnki nuk epen

Zgjidhja e vetme për mbeturinat në rrugët e qytetit dhe efikasitetin e transportin publik mbetet mbledhja e së enjtes e Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku këshilltarët duhet të gjejnë propozime që duhet të zhbllokojnë situatën. Miratimi i Programit të punës të Higjienës komunale dhe blerjes së autobusëve ekologjikë

Evis HALILI

Shkup, 21 gusht – Ndërsa kreu i Qytetit të Shkupit Danela Arskovska dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski vazhdimisht akuzojnë njëri-tjetrin, zgjidhja e vetme për mbeturinat në rrugët e qytetit dhe pengesat në transportin publik mbetet mbledhja e së enjtes e Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku këshilltarët duhet të gjejnë propozime që duhet të zhbllokojnë situatën. Takimi në Qeveri, në fillim të javës, mes kryeministrit Hristijan Mickoski, Perinskit dhe Arsovskës, më shumë sesa shtendosi, e ashpërsoi edhe më tej retorikën dhe akuzat e ndërsjella. Arsovska dje në një konferencë për media akuzoi se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së po e bllokojnë funksionimin e qytetit, ndërsa Perinski tha se Arsovska nuk është konstruktive dhe se problemet në Shkup mund të zgjidhen “nesër” nëse Arsovska do të fillojë të bëjë si duhet punën e saj. Në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit, do të prezantohen propozim-programet e reja për ndërmarrjet publike dhe të njëjtat do votohen nga këshilltarët. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski dje tha se zgjidhja më e shpejtë e problemeve në Shkup është që kryetarja Danela Arsovska të fillojë me punë, të propozojë planin e duhur të koordinuar me këshilltarët në qytet dhe të miratohet. Ai nuk përjashton mundësinë e heqjes së kredencialeve, por thekson se është një proces më i gjatë dhe përderisa të zgjasë qytetarët do të vazhdojnë të kenë probleme. Perinski nuk ka përjahstuar as mundësinë e kallëzimit penal kundër Arsovskës, sepse, siç tha, në Kodin Penal, përveç që çdo veprim jashtë mandatit është vepër penale, edhe mosveprimi në përputhje me mandatin është gjithashtu e dënueshme.

Nga ana tjetër Danela Arsovska, dje në një konferencë për media i akuzoi këshilltarët nga radhët e partisë në pushtet për bllokadë në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe tha se përgjegjësia për problemet me të cilat ballafaqohet Qyteti duhet kërkuar prej tyre. Këshilltarët e Qytetit të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, thotë Arsovska, po bllokojnë planet e punës pa të cilat kompanitë jo vetëm që nuk munden, por nuk guxojnë të punojnë.

“Kemi prezantuar zgjidhje për tejkalimin e bllokimeve në Këshillin e Qytetit të Shkupit, bllokime të krijuara nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët tre vjet i mbajnë peng qytetarët e Shkupit për mosrealizimin e politikave që janë të nevojshme për bashkëqytetarët tanë. Ne propozuam një seancë të jashtëzakonshme ku këshilltarët do të votojnë programin e punës së Higjienës Komunale dhe Pastërtisë Publike, e cila fatkeqësisht nuk realizohet për të shtatën muaj radhazi. Programet e punës zakonisht miratohen në fund të vitit ose në fillim të vitit, ndërsa tashmë jemi në gjysmën e dytë të vitit dhe ky program për pastërtinë publike ende nuk është miratua”, ka sqaruar Arsovska.

Në mbledhje pritet të shqyrtohet propozimi për blerjen e autobusëve të rinj ekologjikë, sipas të cilit këshilltarët do të formonin komisionin për blerjen e autobusëve të rinj dhe do të kryenin të gjithë blerjen dhe ajo vetëm do ta nënshkruante. Qyteti, përmes një komunikate për media, i ka bërë thirrje këshilltarit nga VMRO-DPMNE, Martin Stojanovski, nëse dëshiron të jetë në dobi të Shkupit, që në seancën e ardhshme t’i votojë programet e punës së ndërmarrjeve publike, pas deklaratës së tij se “duhet të shqyrtohet seriozisht mundësia e procedurës penale kundër kryetares së qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, për mospërmbushje të obligimeve dhe kompetencave ligjore në përputhje me ligjin”. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm