E martë, 30 Shtator, 2025
18.8 C
Skopje

Osmani prezantoi “Syri Qytetar”: Hapje publike e tenderëve dhe monitorim i të gjitha prokurimeve nga OJQ-të dhe mediat

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot e prezantoi iniciativën e tij të paralajmëruar antikorrupsion “Syri Qytetar”, për të cilën tha se do ta shndërrojë komunën në më transparenten në shtet.

“Korrupsioni është problem thellësisht i rrënjosur, një rrënjë e kalbur që e gërryen komunën, i gërryen paratë e qytetarëve dhe i shndërron taksat e tyre në pasuri të individëve. Më 19 tetor, këtë rrënjë do ta presim dhe do ta shkatërrojmë. Nuk do të lejoj të abuzohet as me një denar,” theksoi Osmani.

Ai shpjegoi se “Syri Qytetar” përfshin katër reforma kyçe që do ta hapin komunën ndaj publikut dhe do të vendosin një sistem që askush nuk do të mund ta anashkalojë. Osmani paralajmëroi hapje publike të të gjitha tenderëve me transmetim direkt dhe me incizime të qasshme në internet, monitorim të pavarur nga ekspertë dhe organizata qytetare të specializuara për antikorrupsion, arkë publike përmes së cilës qytetarët do të kenë pasqyrë në të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e komunës në kohë reale, si dhe kontroll automatik me inteligjencë artificiale që do të alarmojë në çdo devijim nga ligji.

“Këto katër mekanizma janë garanci se më nuk do të ketë marrëveshje të fshehta, keqpërdorime dhe pagesa të dyshimta. Çairi do të jetë komuna e parë në rajon me një sistem të tillë evropian, ndërsa çdo denar do të shkojë për qytetarët,” deklaroi Osmani.

Ai shtoi se vizioni i tij për Çairin është i thjeshtë dhe i realizueshëm: ndershmëri, transparencë dhe efikasitet.

“Nuk ju premtoj gjëra të pamundura. Ju premtoj se Çairi do të bëhet komunë e qytetarëve, moderne dhe e drejtë, shembull për tërë shtetin. Më 19 tetor, së bashku do t’i themi stop korrupsionit,” tha Osmani, duke ftuar për mbështetje për ndryshimin që e meritojnë qytetarët.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm