E enjte, 9 Tetor, 2025
18.8 C
Skopje

Osmani: Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në mars ose prill

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, e komentoi deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se pas zgjedhjeve lokale, është e mundur të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke konfirmuar se, sipas njohurive dhe vlerësimeve të tij, këto zgjedhje do të mbahen në mars ose prill të vitit të ardhshëm. “Ky është, në fakt, qëndrimi që e kemi thënë unë dhe ne që nga fillimi, po, do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare diku në mars ose prill. Dhe këtë e them në mënyrën më të argumentuar, bazuar në të gjitha bisedimet dhe marrëveshjet që ekzistojnë në skenën politike”, deklaroi Osmani.

Ai shtoi se deklarata e kryeministrit vetëm e konfirmon atë për të cilën BDI dhe forcat e tjera opozitare kanë paralajmëruar prej muajsh, se qeveria aktuale është e paqëndrueshme dhe e pamundur të mbahet.

“Sigurisht që kryeministrit, ndoshta, i duheshin argumente shtesë, të cilat tani po i sheh në terren, në raportin e forcave dhe në zhvillimet që po ndodhin. Situata është e paqëndrueshme dhe për këtë arsye ai tashmë ka filluar ta përgatisë terrenin”, tha Osmani. Ai theksoi se zgjedhjet e paralajmëruara do të jenë një mundësi për të zgjedhur një qeveri të re me fokus të qartë evropian dhe ekonomik. “Ju siguroj se zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ketë në mars–prill dhe do të ketë një qeveri të re që do ta çlirojë procesin evropian, do ta rikthejë bashkëjetesën dhe do ta ringjallë përparimin ekonomik të vendit”, theksoi Osmani.

Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi dje në Strumicë se, pas fitores së pritur të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale, do të ishte logjike të mendohet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe për një mandat të ri katërvjeçar. Megjithatë, ai theksoi se kjo vendimmarrje nuk do të udhëhiqet nga interesa politike, por nga interesat e shtetit.

“Pres që pas këtyre zgjedhjeve lokale të hyjmë në një cikël të valës së përforcuar të investimeve, dhe kush e ndjek politikën do të thotë se VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni do të kenë një fitore të fortë – më të madhe, të paktën sipas parashikimeve, se ajo e vitit 2021 – dhe është logjike të mendohet për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në mënyrë që të sigurohet një mandat i ri katërvjeçar. Nëse këtë e shohim si vendim politik, do të pajtohesha, por nëse e shohim nga këndvështrimi shtetëror, atëherë mendojmë ndryshe – ne duam ta vëmë shtetin mbi gjithçka dhe interesin e ekonomisë, për të siguruar një të ardhme të parashikueshme, që të dini çfarë të prisni; pastaj e konsiderojmë interesin tonë politik. Por do të shohim. Së pari të ndodhin gjërat, pastaj do të marrim vendime”, tha Mickoski në Forumin e Biznesit të mbajtur sot në Strumicë, ku morën pjesë afaristë nga rajoni si dhe ministra të kabinetit qeveritar.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm