Këshilli për vlerësim të aktakuzës pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup mori vendim me të cilin kundërshtimi i mbrojtjes për rastin “Onkologjia” refuzohet, ndërsa akti miratohet.
“Pas aktakuzës së aprovuar është ngritur një çështje penale me K.Nr. 1069/25, i cili në përputhje me sistemin AKMIS do t’i caktohet gjyqtarit për procedurë të mëtutjeshme dhe me caktimin e datës për shqyrtimin kryesor do të jetë i disponueshëm në kalendarin e gjykimit në ueb faqen e gjykatës”, informojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.
Prokurori Publik i Shtetit Ljupço Kocevski, prokurori themelor publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup Gavril Bubevski dhe prokurorja e lëndës Ana Gogovska Jakimovska, në një konferencë të përbashkët për media më 22 maj të këtij viti, informuan se lënda “Onkologjia” ka përfunduar dhe janë ngritur dy aktakuza në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit.
Siç ka bërë të ditur prokurorja publike e lëndës, rasti është i ndarë në dy pjesë – e para ka të bëjë me punën ekonomike të Klinikës së Onkologjisë, ku përfshihet drejtori i atëhershëm dhe drejtori organizativ i Klinikës, ndërsa pjesa e dytë e lëndës ka të bëjë me trajtimin e pacientëve dhe përfshin katër mjekë onkologë.