“Më se 15 vite, sistemi është jashtë përdorimit. Vjedhja dhe shkatërrimi i stacionit dhe pajisjeve i la bujqit pa ujë për të vaditur sipërfaqet e tokës pjellore në fushën e Dibrës. Nga 1000 hektarë, as 10 për qind nuk përpunohet toka meqë nuk ka ujë. Dëmet që kanë bujqit janë milionëshe. Por besojmë se pas elaboratit, tani edhe projekti për rekonstruimin e sistemit për ujitje të fushës së Dibrës do të realizohet në tërësi”, thotë prof. Abdyl Koleci nga Shoqata për ujërat në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 9 nëntor – Shoqata e ujërave në Dibër, e cila me sukses funksionon më se një dekadë, jep një kontribut të madh rreth mbrojtjes të ujërave nga ndotjet, por njëkohësisht edhe për angazhimin e saj në tejkalimin e problemeve që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e Sistemit për ujitje të fushës së Dibrës. Dibra dhe rrethina e saj kanë shumë ujëra, të cilët luajnë një rol pozitiv në sferën e bujqësisë, prandaj sipas shoqatës, ruajtja nga ndotjet e ujërave është primare në aktivitetin e shoqatës. Por edhe pse aktivitetet janë të mëdha të kësaj shoqate, ka disa pika në fushën e Dibrës ku ka ndotje nga kanalizimet e ujërave të zeza që vijnë nga qyteti, dhe deri sot problemi nuk është tejkaluar edhe pse kanë dështuar dy projekte. Po ashtu, edhe pse kanë kaluar 15 vite nga shkatërrimi i sistemit për vaditje, deri sot bujqit vazhdojnë të kenë dëme të mëdha nga thatësira që mbretëron në fushën e Dibrës.
Kryetari i shoqatës së ujërave në Dibër, prof. Abdyl Koleci për gazetën KOHA thotë se ndikimi i shoqatës në drejtim të mbrojtjes të ujërave është shumë i madh, megjithëse përsëri ka probleme të cilët janë të lidhur me realizimin e projekteve që kërkojnë shumë mjete.
“Edhe pse kemi ndërmarrë shumë aktivitete në sferën e mbrojtjes nga ndotjet, përsëri problemi me ndotjen të një pjese të fushës së Dibrës ëhstë alarmante. Një pjesë e kanalizimeve nga ujërat e zeza përfundojnë në pjesën e fushës së Dibrës, tek pjesa e lokalitetit i quajtur ‘Trap i Dacit’. Ka patur dy projekte për ndërtimin e sistemit për pastrimin e ujërave në fjalë, por deri tani sistemi komplet nuk është realizuar. Si shoqatë, edhe pse jemi interesuar, nuk kemi informatë zyrtare se ku qëndron problemi. Po ashtu kemi ndërmarrë aktivitete për verifikimin e situatës me disa ujëra që janë në afërsi të deponisë së qytetit, me qëllim që ta zyrtarizojmë kualitetin e ujit, meqë deponia është në afërsi të ujërave. Probleme tjera nuk kemi kur është në pyetje pastërtia e ujërave në komunë”, thotë Koleci dhe shton se në kontinuitet ndiqet edhe situata e kualitetit të ujit në Liqenin e Dibrës, lumenjve Radikë dhe Drini i Zi, përroskave dhe burimeve. Po ashtu kontrollohen edhe ujërat për vaditje në disa fshatra të Dibrës që kanë rrjedhë nga Shqipëria.
Koleci tregon edhe situatën dhe lartësinë e dëmeve që kanë bujqit nga mosfunksionimi e sistemit për vaditje të fushës së Dibrës. “Më se 15 vite, sistemi është jashtë përdorimit. Vjedhja dhe shkatërrimi i stacionit dhe pajisjeve i la bujqit pa ujë për të vaditur sipërfaqet e tokës pjellore në fushën e Dibrës. Nga 1000 hektarë, as 10 për qind nuk përpunohet toka meqë nuk ka ujë. Dëmet që kanë bujqit janë milionëshe. Por besojmë se pas elaboratit, tani edhe projekti për rekonstruimin e sistemit për ujitje të fushës së Dibrës do të realizohet në tërësi”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Sipas Kolecit, pritet që Dibra përsëri të ketë një sistem modern, meqë sistemi i mëparshëm kishte edhe dobësitë e tij, pasi teknologjia e pompave ishte shumë e vjetër. Punët për projektin në fjalë që e financon Ministria e Bujqësisë kanë filluar. Ky sistem për bujqit dibran, por edhe për Dibrën në përgjithësi është jetik. Pronarët e tokave në fushën e Dibrës përsëri do ti kthehen tokës, meqë para më se një dekade – rendimentet ishin shumë të mëdha. Sistemi u ndërtua në vitet e para të viteve të 70-ta, pas përmbytjes të tokave pjellore të Fushës së Udovës pas ndërtimit të pendës të Liqenit të Dibrës, për prodhimtari të rrymës elektrike nga hidrocentrali “Spile”. Por siç kalonte koha, ai shkatërrohej dhe para 15 viteve u vodhën pompat dhe u ndërpre puna e sistemit. (koha.mk)