Edhe një premtim i Komunës: Transporti publik në Tetovë do të jetë falas

Vendimi që transporti publik të jetë falas pritet të merret në ndonjërën nga seancat e para të Këshillit të Komunës së Tetovës

 

Urim HASIPI

Tetovë, 10 nëntor – Edhe pse Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”, në vazhdimësi ka funksionuar me humbje dhe është subvencionuar nga komuna e Tetovës, megjithatë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nuk heq dorë që transporti publik të jetë falas. Ai ka thënë se nga shitja e biletave nuk mund të mbulohen të gjitha harxhimet e ndërmarrjes, prandaj edhe është dashur që të subvencionohet kjo ndërmarrje. Të hyrat nga shitja e biletave kanë qenë rreth 30 për qind, kurse pjesa tjetër e harxhimeve që ka bërë ndërmarrja është mbuluar nga buxheti i Komunës së Tetovës. Ndërkaq, sqarimi i kryetarit të Komunës së Tetovës është se dëmet që shkaktohen nga mos përdorimi i transportit publik janë më të mëdha se sa do të subvencionohej ndërmarrja, sidomos në aspektin e ndotjes së ajrit dhe kaosit në komunikacion.

Vendimi që transporti publik të jetë falas pritet të merret në ndonjërën nga seancat e para të Këshillit të Komunës së Tetovës.

“Shumë pak ka qenë pjesëmarrja e qytetarëve në të hyrat e kësaj ndërmarrje dhe duke e parë që nuk ishte në nivelin e duhur shfrytëzimi i transportit publik dhe po ashtu duke konsideruar kaosin në komunikacion, por edhe ndotja e cila vjen si pasojë e shfrytëzimit të lartë të automjeteve, ne konstatuam se dëmi është më i madh që bëhet në kaos dhe në ndotje se sa kontributin që mund të jep komuna në pjesën e mbetur të harxhimeve që ka ndërmarrja për të organizuar transportin publik. Kështu që, vendimi ishte që në periudhën e ardhshme të kemi transport publik falas, që edhe ajo pjesa e mbetur pra 30 për qind e mbulimit që ka qenë nga shitja e biletave të mbulohet nga këshilli komunal. Me këtë ne do të kontribuojmë në uljen e kaosit dhe të ndotjes”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami.

Nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” thonë se janë në përgatitjen e planit apo masave që do jenë konform këtij vendimi. “Jemi në përgatitjen e planit apo masave që do jenë konform këtij vendimi. Do bëhet identifikimi dhe realizimi i këtij plani në afat sa më të shkurtër të mundshëm. Shpresojmë në realizim sa më të shpejtë të kësaj që të jemi në hap me vendimet dhe kërkesat që do na vijnë nga vetë komuna apo këshilli”, njoftuan nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”.

Bëhet e ditur se Tetova është përfshirë edhe në planin e Qeverisë për sigurimin e pesë autobusëve të ri elektrikë që pritet brenda vitit të ardhshëm të arrijnë, ndërsa për mbulimin e gjithë territorit me transport, pra edhe fshatrave të malësisë, komuna planifikon blerjen e edhe katër furgonëve për fshatrat e malësisë së Sharrit. Për momentin, transporti publik në Tetovë funksionon brenda në qytet, në fshatrat Poroj dhe Xehpçisht si dhe në Reçiçë të madhe dhe të vogël. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm