Vonesat disa muajshe gjatë fillimit të ndërtimit në vitin 2014, gabimet gjatë projektimit, por edhe vonesat për shkak të zgjidhjes së çështjeve pronësore-juridike, dhe lëshimeve të tjera, tani i janë shtuar edhe paraqitja e problemit të ri që duhet të zgjidhet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 nëntor – Problemet në ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër nuk kanë të mbaruar. Vonesat disa muajshe gjatë fillimit të ndërtimit në vitin 2014, gabimet gjatë projektimit, por edhe vonesat për shkak të zgjidhjes së çështjeve pronësore-juridike, dhe lëshimet e tjera, si mos planifikimi i hyrje-daljeve nga autostrada, tani janë shtuar edhe paraqitja e problemit të ri që duhet të zgjidhet. Sipas autoriteteve janë paraqitur 11 rrëshqitje të dheut që duhet të gjejnë zgjidhje për të përfunduar këtë autostradë.
Drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore të Rrugëve, Ejup Rustemi thotë se nevojitet të gjendet zgjidhje për problemin e fundit, duke shtuar se këto vonesa janë për shkak të projekteve projekteve jo të mira që janë bërë në të kaluarën ku që në projektimin e parë nuk janë projektuar si duhet shpatijet e rrugëve, është realizuar eksproprijimi i tokës që nuk ka përfunduar tërësisht, deri në kufijtë e ri ku janë paraqitur rrëshqitjet. Ka pasuar projektimi i ri dhe stabilizimi i shpatijeve, ndërsa tani me paraqitjen e rrëshqitjeve të reja do të duhet të realizohen edhe tjetërsime të reja të tokës. Sipas tij, tani nevojitet të vazhdohet kontrata me kompaninë Sinohidro si përgjegjëse për realizimin e punimeve në terren.
“Nuk po flasim për ndërprerje , por për vazhdimin e saj. Duhet të kemi një zgjidhje teknike për të stabilizuar të gjitha shpatijet dhe rrëshqitjet. Ne kemi angazhuar edhe një ekspert FIDIC i cili do të bëjë një analizë të plotë të kontratës me të gjitha pasojat. Pastaj Qeveria dhe Kuvendi do të vendosin se si do të vazhdojmë me projektin pas Vitit të Ri”, thekson Rustemi.
Pritet që ekspertët që do t’i angazhojë Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore do të jenë në drejtim të zgjidhjes sa më të mirë të rrëshqitjeve dhe shpatijeve, të cilat janë problem real dhe madhor në një pjesë të madhe të rrugës Kërçovë-Ohër.
Nga ana tjetër, ministri i transportit Bllagoja Boçvarski pret që raporti i ekspertëve të zgjidhë ndërtimin dhjetëvjeçar të autostradës Kërçovë – Ohër. Duke shtuar se “Sinohydro” në periudhën e kaluar ka qenë në komunikim të koordinuar me Ministrinë, Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore dhe me të gjithë nënkontraktorët në drejtim të zgjidhjes dhe sqarimit të të gjitha çështjeve që kanë dalë gjatë ndërtimit.
Sipas Boçvarskit, pa ushtruar presion politik, por me analiza të ekspertëve, do të arrihet vendimi më i mirë politik për përfundimin e autostradës, por edhe më qëllim që ajo autostradë të jetë e sigurt për të udhëtuar qytetarët.
Me fjalë tjera, afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër po i vjen fundi, por jo edhe ndërtimi i rrugës e cila ka 10 vite që është në ndërtim e sipër. Kanë mbetur më pak se dy muaj deri në vendimin nëse projekti do t’i anulohet kontraktorit kinez “Sinohydro”. Edhe nëse kontrata zgjatet edhe nëse shkëputet , shteti do të duhet të paguajë. Nëse kontrata ndërpritet, firma që ndërton autostradën, Sinohydro e Kinës, do të kërkojë drejtësi në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit. Mosmarrëveshja mund të zgjasë me vite dhe ndërtimi i autostradës nuk do të gjejë zgjidhje, dhe në fund ekziston mundësia reale që të gjitha do t’i paguajë shteti.
Për shkak të problemeve me dokumentacionin jo të plotë projektuesi u vonua ndërtimi i rrugës, ndërsa realizuesi kryesor i punëve në teren kompania kineze “Sinohydro”, kërkoi 152 milionë euro shtesë vetëm për përfundimin e tunelit të gjatë 4 kilometra tek lokaliteti Preseka, ndërsa afër 90 milionë euro të tjera janë kërkuar për harxhimet shtesë në pikat e tjera problematike të ndërtimit. Bile analizat kanë treguar se materiali ku është kryhet shpimi i tunelit “Preseka” tek fshati Vërbjan, kushtëzon çmim më të lartë të ndërtimit për shkak se tuneli, ishte parashikuar të ndërtohet mbi një shkëmb pa hulumtime paraprake gjeologjike, ndërsa tani tereni dikton çmim më të lartë ndërtimi që duhet të harmonizohet me partnerin kinez të ndërtimit. Në tetor të vitit 2013, Parlamenti miratoi ligj të veçantë për këtë projekt dhe për ndërtimin e autostradës Shkup – Shën Nikollë – Shtip.
Ndërtimi i autostradës Kërçovë- Ohër ishte menduar të kushtonte 375 milionë euro i autostradës së gjatë 57 kilometra, por pas anekseve të shumta shtesë ka arritur në gati 600 milionë euro.
Për të ashtuquajturat “autostrada kineze” janë marrë para hua nga Exim Bank kineze, me dy për qind interes. Kushti ishte që ato të ndërtoheshin nga një kompani kineze, në këtë rast – “Sinohydro”.
Dhjetë vjet më vonë, autostrada nuk është vënë në përdorim, ndonëse sipas marrëveshjes fillestare ishte paraparë të vozitet në të që pesë vite më parë. Autostrada ende nuk ishte vënë në përdorim dhe kishte “vrima” në plan, në ekzekutim, kishte rrugë të gabuara, rrëshqitje dhe çmimi gati u dyfishua. Vihen në pah fajtorët, por askush nuk ka marrë ende përgjegjësi për faktin se autostrada nuk ka përfunduar pas kaq vitesh. (koha.mk)





