Fëmijët me tre doza Diteper do kthehen në kopshte

Komisioni për sëmundjet infektive e ka ndryshuar sot vendimin fillestar, me të cilin ndalohej pranimi i fëmijëve të pavaksinuar me vaksinën Diteper. Nga e hëna fëmijët e vaksinuar me tre doza do të pranohen. ISHS i ka apeluar prindërve të vaksinojnë fëmijët, ndërsa paralajmërojnë se do të gjobiten ato që refuzojnë

Evis HALILI

Shkup, 15 mars – Javën e ardhshme (18 mars) fëmijët që kanë marrë tre dozat e vaksinës kundër kollës së mirë, si edhe që kanë planifikuar rivaksinimin në gjashtë muajt e ardhshëm do të mund të kthehen në çerdhe. Komisioni për sëmundjet infektive e ka ndryshuar sot vendimin fillestar, me të cilin ndalohej pranimi i fëmijëve të pavaksinuar me vaksinën Diteper nga 11 marsi, për shkak të epidemisë së shpallur të kollës së mirë në Shkup. Lajmi është bërë i ditur nga drejtoresha e Inspektoriatit Sanitar, Renata Mlladenovska, e cila tha se së bashku me kryetarin i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski, janë pajtuar që vendimi i ri t’i dorëzohet Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që nga e hëna të kthehen në kopshte fëmijët që kanë marrë 3 doza, apo kanë kryer vaksinimin parësor. Lidhur me shufrat e larta, sa i takon numrit të lartë të fëmijëve të pavaksinuar, gjysma e fëmijëve në çerdhet në Shkup janë të pavaksinuar, ose pjesërisht dhe se situata është e ngjashme me fëmijët e pavaksinuar kundër fruthit, Mlladenovska u përgjigj se problemi kryesor ka rezultuar në Shkup, dhe se në qytetet tjera të Maqedonisë, situata është shumë e ndryshme, jooptimale. “Shpresoj që situata do të zgjidhet sepse, nuk është e drejtë të kthehen sëmundjet e vjetra infektive në shekullin e 21-të…Eshtë në kompetencën tonë që ta thërrasin prindin për të vaksinuar fëmijën dhe nëse ai refuzon, atëherë mund të ketë dënim”, deklaroi Mlladenovska.

Gjatë kësaj jave janë kryer rreth 100 inspektime në çerdhe shtetërore dhe private dhe nuk janë konstatuar parregullsi sa u takon pranimit të fëmijëve. Për shkak të konfuzionit në opinion dhe interpretimit të ndryshëm të fjalës “plotësisht i pamunizuar”, prindërit reaguan, pasi nuk ishte e qartë nëse bëhej fjalë për një vaksinë, e cila merret në tre doza – në moshën dy muajsh, tre muajsh dhe gjashtë muajsh, ose nëse përfshin edhe rivaksinimin, i cili sipas kalendarit për imunizimin duhet të merret në moshën 18 muajshe, pra një vit pas marrjes së tri dozave të fundit të vaksinës. Lidhur me vaksinat për të rriturit kundër kollës së mirë, nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se kanë mbërritur dhe qytetarët që kanë nevojë mund të drejtohen në pikat e vaksinimit. Dje në një konferencë për media të Komisionit për sëmundje infektive, dr. Aleksandar Petliçkovski tha se gjendja me kollën e mirë nuk është e mirë, dhe shkak për këtë është fakti se gjysma e fëmijëve në çerdhe nuk janë vaksinuar. Pikërisht për këtë arsye tani rrezikohen edhe studentët edhe të rriturit, tha prof. Dr. Aleksandra Grozdanova, kryetare e Komitetit Kombëtar të Imunizimit.

Nuk ka certifikata për parandalim të përkohshëm për vaksinim, tha Petliçkovski dhe theksoi se certifikata të tilla nuk guxojnë të jepen dhe të pranohen, sepse, siç theksoi, mund të ketë vetëm certifikata për parandalim të përhershëm te fëmijët me probleme specifike shëndetësore. Petliçkovski informon se vetëm në Shkup janë mbi 170 fëmijë dhe të rritur me kollë të mirë dhe mbi 200 në vend me paralajmërimin se këto shufra do të rriten. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm