E diel, 20 Prill, 2025
5.8 C
Skopje

Gara për IA-në i jep Uashingtonit një arsye tjetër për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut

Gara për IA-në ofron një arsye shtesë për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut. ByteDance luan një rol qendror në financimin e ekosistemit të IA-së në Kinë, në sigurimin e kapaciteteve të llogaritjes për IA-në dhe në ndërtimin e pranisë globale të Kinës në këtë fushë. Administrata Trump ka shprehur qëndrime të ashpra për kufizimin e investimeve amerikane në teknologjitë e vendeve kundërshtare, por TikTok-u derdh çdo ditë të holla në ekosistemin kinez të AI-së

 

Nga Chris MILLER

Në fillim të këtij viti, presidenti Donald Trump deklaroi se “forcimi i dominimit global të Amerikës në fushën e inteligjencës artificiale [IA]”, ishte qëllim qendror i presidencës së tij. Marrëveshja që ai do të arrijë për të ardhmen e TikTok-ut në tregun amerikan, do të jetë një provë e hershme e asaj se çfarë nënkupton në praktikë “dominimi në IA”. Kjo sepse ByteDance – kompania zotëruese e TikTok-ut – është biznesi kryesor i IA-së në Kinë.

Përdorimi i zgjuar i algoritmeve rekomanduese të IA-së nga ByteDance, fuqizon shpërndarjen e videove të shkurtra të TikTok-ut që shkaktojnë varësi, si dhe reklamave efektive. Por, ekspertiza e saj shkon përtej kësaj. Ajo ka bërë gjithashtu punë mbresëlënëse në nënfusha të tjera të IA-së, përfshirë modelet e mëdha gjuhësore me cilësi të lartë dhe modelet për robotikë.

ByteDance është po aq qendrore për ekosistemin e IA-së në Kinë sa janë OpenAI apo Meta për atë amerikan. Në rrethet e IA-së, ByteDance ka prestigjin – dhe kapitalin – për të joshur drejtues të lartë nga Google. Ish-punonjësit e kompanisë kanë themeluar një mori startapesh, që nga tregtia ndërkombëtare elektronike deri te IA-ja për kërkime biomjekësore.

Edhe pse startapi DeepSeek ka tërhequr më shumë vëmendje këtë vit, ByteDance mbetet biznesi më i suksesshëm i IA-së në Kinë. Të ardhurat e kompanisë private iu afruan atyre të Meta-s në vitin 2023, duke arritur 40 miliardë dollarë fitime – para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit (metrika e saj e preferuar për përfitim) – nga 25 miliardë sa ishin në një vit më herët. Ndërkohë që pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga njësitë e saj në Kinë, 16 miliardë dollarë erdhën nga shitjet e TikTok-ut për përdoruesit amerikanë.

Përfitimet e ByteDance-it i kanë mundësuar kompanisë të investojë shuma të mëdha për të blerë çipa për IA-në. Vitin e kaluar, ajo bleu afro aq çipa të IA-së nga Nvidia sa edhe Meta – ndonëse varianti i përdorur ishte H20, më cilësi më të ultë, për shkak të ndalimeve të eksportit nga ShBA-ja. Këtë vit, kompania planifikon të shpenzojë 5.5 miliardë dollarë për blerjen e çipave të IA-së nga Huawei dhe kompani të tjera kineze, duke ndihmuar në financimin e zhvillimit të industrisë vendase të çipave për IA-në në Kinë. Dhe, nuk ndalet vetëm te blerja e çipave – raportimet thonë se ajo po eksploron edhe infrastrukturat e tjera teknologjike, si kabllot nënujore.

Ndërkohë që Pekini shtyn përpara përhapjen ndërkombëtare të modeleve të tij të IA-së, prania globale e ByteDance-it është një aset unik.

Trumpi, i cili më parë kishte mbështetur ndalimin e TikTok-ut, por më pas ndryshoi mendje pasi ia atribuoi aplikacionit ndihmën për të arritur te votuesit e rinj, tani po përballet me një vendim që do të ndikojë në garën për IA. Ai ka caktuar si afat datën 5 prill, për të gjetur një blerës jo-kinez për TikTok-un, përndryshe aplikacioni do të ndalohet për arsye të sigurisë kombëtare.

Natyrisht, ndërprerja e qasjes së TikTok-ut në ShBA nuk do ta fundosë ByteDance-in, duke qenë se biznesi i saj me bazë në Kinë është shumë fitimprurës. Por, tregu amerikan është tejet i madh dhe kjo është arsyeja pse ByteDance ka luftuar fort për të qëndruar aty.

Shtëpia e Bardhë ka zhvendosur balancën e diskutimit në ShBA larg rreziqeve të IA-së, duke përqafuar në vend të kësaj përparimin e shpejtë. Ajo ka vënë në prioritet ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe ka thjeshtuar rregulloret që lidhen me sigurimin e energjisë që u nevojiten atyre. Departamenti i Tregtisë ka ashpërsuar rregullat që qeverisin transferimin e teknologjisë së çipave drejt Kinës. Ndërkohë, “Politika e investimeve për Amerikën së pari” e Trumpit, kërkon kufizime më të forta për investitorët që duan të hedhin para në teknologjinë kineze të IA-së.

Këto veprime janë pjesë e një strategjie që synon të mbajë ShBA-në sa më përpara në garën me Kinën për IA-në. Ato gjithashtu u kanë dhënë mbështetje të re mbështetësve të linjës së ashpër ndaj Kinës në Uashington – për të goditur TikTok-un. Kongresi votoi fillimisht për të detyruar një shitje të plotë të TikTok-ut, për shkak të shqetësimeve se të dhënat e përdoruesve amerikanë mund të përdoreshin nga Kina. TikTok-u është kritikuar gjithashtu për ndjekjen e vendndodhjes së gazetarëve dhe për inkurajimin e përdoruesve që t’u dërgojnë mesazhe anëtarëve të Kongresit në lidhje me legjislacionin që ByteDance kundërshtonte.

Gara për IA-në ofron një arsye shtesë për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut. ByteDance luan një rol qendror në financimin e ekosistemit të IA-së në Kinë, në sigurimin e kapaciteteve të llogaritjes për IA-në dhe në ndërtimin e pranisë globale të Kinës në këtë fushë. Administrata Trump ka shprehur qëndrime të ashpra për kufizimin e investimeve amerikane në teknologjitë e vendeve kundërshtare, por TikTok-u derdh çdo ditë të holla në ekosistemin kinez të AI-së. (The Financial Times)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm