HIMNI QË S’MUND T’I QËNDROJNË “GATITU” SHQIPTARËT! Kompleksiviteti i simboleve shtetërore (3)

Dy konceptet kombëtare të kundërta mes vete, e bëjnë të vështirë edhe gjetjen e një himni në të cilin do ta gjenin veten të gjithë qytetarët

Nga Daut DAUTI

Maksim Dimitrievski nga fundi i vitit të kaluar, bëri një thirrje për një unitet kombëtar maqedonas, në të njëjtën kohë kur ministrja e arsimit doli me propozim ligj për të intonuar himnin nëpër shkolla për të rritur lojalitetin dhe patriotizmin…

Ndryshe nga Dimirievski partia e të cilit lindi si fraksion nga LSDM-ja, ministrja e arsimit vjen nga partia që këto tema i ka “fah” dhe nuk ishte për t’u habitur. Për t’u habitur ishte se si një gjë e tillë do të realizohej me himnin aktual! Logjika e thotë se përkundër familjarizimit të himnit aktual te maqedonasit, ka nevojë të rihapet debati se çfarë himni i duhet Maqedonisë? Sikundër që ka mbetur e hapur çështja e stemës, për çka u bë fjalë në kolumnën e kaluar, nuk është pa kontestime as himni.

Një lojë futbolli zgjat 90 minuta, por për Enis Bardhin, Ezxhan Aliovskin, Visar Musliun, Arjan Ademin…, dikur Nexhmedin Memedin ose Artim Shaqirin dhe të gjithë futbollistët tjerë shqiptarë, minutat më të gjatë se sa vetë ndeshja do të kenë qenë 2-3 minutat e sikletit gjersa intonohej himni para çdo ndeshje. Sikleti i madh, sepse shokët maqedonas të skuadrës i lëvizin buzët dhe e këndojnë himnin, ndërsa ata rrinë drejt, si dru, sepse nuk mund ta këndojnë himnin i cili thotë “maqedonasit po luftojnë për të drejtat e tyre” e ku nuk përmenden shqiptarët!

Ata janë në të njëjtën gjendje shpirtërore si çdo shqiptar tjetër i Maqedonisë, i cili sado që të ketë mirëkuptim për luftën e fqinjëve të vet për të drejtat e tyre historike, në fund e kanë patjetër të rrinë në distancë, sepse vetë përmbajtja e himnit e vë këtë distancë.

Për hir të së vërtetës, te himni ka vargje që mund të jetë e pranueshme për të gjithë, si psh dy vargjet e para të strofës së parë:

Денес над Македонија се раѓа

/Sot mbi Maqedoni përsëri po lind dielli /

ново сонце на слободата.

/diell i ri i lirisë/

Ose strofa e fundit, nëse atributi “gorite makedonski” nënkuptonte atribut gjeografik “malet e Maqedonisë”:

Горите македонски шумно пеат

/malet e Maqedonisë buçasin nga kënga /

нови песни, нови весници:

/këngë të reja, kasnecë të ri/

Македонија слободна,

/Maqedonia e lirë/

слободно живее!

/e lirë jeton/

Por, pjesa problematike gjithsesi mbeten gjashtë vargjet ku himni që duhej të pasqyronte realitetin shoqëror të shtetit, përkufizohet si etnocentrik:

Македонците се борат

/maqedonasit luftojnë/

за своите правдини.

/për drejtësitë e tyre/

dhe:

Одново сега знамето се вее

/Sërish valon flamuri/

на Крушевската Република,

/i Republikës së Krushevës/

на Гоце Делчев, Питу Гули

/së Goce Dellçevit e Pitu Gulit/

Даме Груев, Сандански.

/të Dame Gruevit dhe Sandanskit/

Debati për përshtatshmërinë e himnit etnocentrik në një shoqëri multietnike, me dy bashkësi të mëdha kryesore, është legjitim. Par së gjithash, është legjitime pyetja nëse himni duhet të jetë refleks i aspiratave historike të një populli(në rastin konkret, atij maqedonas, apo e shtetit. Teksti i himnit, siç shihet, është i orientuar nga populli, e jo nga shteti. Është legjitim edhe mendimi i çdo maqedonasi që thotë përse ju (shqiptarët) na e kontestoni himnin dhe simbolet tjera, pasi ju keni himnin dhe simbolet tuaja shtetërore apo kombëtare, kemi edhe ne të drejtë t’i kemi tonat. Nisur nga odiseada historike, duhet pasur një ndjeshmëri ndaj kësaj qasje. Por, tendencat që gjithçkaje shtetërore t’i jepet nishane etnike, nuk është praktikë gjithkund nëpër botë. Vërtet flamuri shtetëror i Shqipërisë është edhe kombëtar, por kjo është në një shtet ku shqiptarët përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë. Në Maqedoni nuk është ashtu. Himni i Shqiëprisë nuk është krejtësisht etnik, aty flitet për atdhedashurinë dhe luftën për çlirim, ku nuk përmenden shqiptarët! Edhe pse vargjet janë të Asdrenit, muzika është marrë nga një kompozitor rumun! Pikërisht një kësi himni i duhet edhe Maqedonisë. Sepse edhe në shumë himne shtetesh, nuk vihet etnia përherë në plan të parë.

Ky është këndvështrimi shqiptar ndoshta. Por ka dhe një të vërtetë tjetër për (pa)përshtatshmërinë e përmbajtjes së himnit, dhe ai është brenda maqedonas! Tekstin e himnit e ka shkruar shkrimtari maqedonas Vllado Maleski (nuk e di nëse e ka shkruar si poezi, apo enkas për himn), një autor për familjen e të cilit ndjej respekt të veçantë për shkak të raporteve korrekte me shqiptarët(kanë qenë bukëpjekës në Shkodër para Luftës, Vllado Maleski dhe Parshqevija Maleska kanë qenë në redaksinë e parë të redaksisë shqipe të Radio Shkupit në vitin 1945… Teksti nga këndvështrimi i kohës së re, mund të ketë edhe ngjyrime ideologjike, pasi flet “për diellin e ri” (nëse kujtojmë Migjenin, mund t’i ngjajë “diellit alegorik” të tij, i cili flet për një njeri të ri…jo pa ideologji të re) që paralajmëron një rend të ri shoqëror, atë komunist. E vërteta është se dielli simbolizon lirinë, por a është ajo liri e vënë në kontekst të atij “rendi të ri”(komunist)? Edhe sikur të ishte kjo, nuk është ndonjë e pavërtetë historike, por sa ajo do të korrespondonte me shekujt histori ku ideologjia nuk duhet të dominojë?

Pjesa tjetër etnocentrike është përmendja e emrit të disa figurave historike. Por këtu është edhe një enigmë që u përket vetë maqedonasve, sepse në tri versionet e deritashme (1941-1989, 1989-1991, 1991-deri tash) në bazë të të njëjtit tekst, herë janë vënë, e herë janë hequr disa emra, për motive të panjohura (mungon kryetari i Republikës së Krushevës, Nikolla Karev, është përmendur e pastaj është hequr Gustav Vllahov…), ose të supozueshme ideopolitike ose artistike. Nëse disa figura historike kanë qenë të përshtatshme në një periudhë, e në tjetër jo, atëherë në të njëjtin rang ka figura që ndërkohë janë rehabilituar dhe konsiderohen edhe më të mëdha se ato të himnit (psh., i rehabilituari Todor Aleksandrov), për të cilin dikush mund të thotë përse nuk përmenden?!

Këto janë çështjet problematike brenda etnike dhe bashkë me ato ndër-etnike, imponojnë nevojën që para se ministrja e arsimit ta riaktualizojë idenë për intonimin e himnit nëpër shkolla si akt të ngritjes së vetëdijes patriotike, të hapet debati për një himn përbashkues në të gjitha linjat, që do të reflektonte realitetin shoqëror të shtetit dhe të interesave kombëtare edhe maqedonase në kohë të re. Kjo do të thotë që të braktiset koncepti etno(centrik) i simboleve dhe të përqafohet ai shtetëror.

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm