Pas kritikave që ju bën inspektoratit kompetentë, u kërkua një angazhim më i madh edhe i institucioneve lokale dhe ato qendrore kur është në pyetje obligimi që kanë investitorët – përveç ndërtimit dhe grumbullimit të parave, të pastrojnë mbeturinat inerte që ata i krijojnë
Vjollca SADIKU
Dibër, 16 janar – Viteve të fundit, në qytetin e Dibrës ka “shpërthyer një bum” i vërtet të ndërtesave kolektive. Si asnjëherë deri tani, investitorët po bëjnë investime të shumta në ndërtimin e banesave për të cilët nga banorët lokal, por sidomos edhe nga mërgimtarët, interesimi është në rritje. Gjatë vitit 2023, ka patur shumë investime në këtë drejtim, por me ndërtimet paraqiten shumë probleme edhe me pastërtinë publike në qytet. Ata ndërtojnë, por nuk e pastrojnë hapësirën, ankohen dibranët. Problemi në fjalë u debatua edhe në seancë të Këshillit të Komunës Dibër në debatin që kishte të bëjë me Programin për mirëmbajtjen të higjienës publike. Disa nga këshilltarët shprehën revoltën për mënyrën e punimeve gjatë ndërtimit të ndërtesave kolektive, meqë në lokalitete ku ata ndërtohen, mbretëron një papastërti dhe situatë kaotike nga hedhja e mbeturinave inerteve. Një situate e këtillë patjetër duhet të tejkalohet edhe atë me masa urgjente nga ana e Inspektoratit komunal, meqë deri tani, edhe pse situata është jashtë kontrollit, nuk është gjobitur asnjë nga investitorët.
Pas kritikave që ju bën inspektoratit kompetentë, u kërkua një angazhim më i madh edhe i institucioneve lokale dhe ato qendrore kur është në pyetje obligimi që kanë investitorët – përveç ndërtimit dhe grumbullimit të parave, të pastrojnë mbeturinat inerte që ata i krijojnë.
“Përveç investitorit Ajredin Kërçishta, i cili me sukses ka realizuar deri tani disa ndërtesa kolektive mes të cilëve edhe dy ndërtesat binjake në afërsi të xhamisë së Sahat Kullës, dhe i cili është shembullor në mirëmbajtjen e higjienës publike, për rreth lokalitetit ku ndërtohen këto banesa binjakë, investitorët të tjerë nuk respektojnë pastërtinë në lokalitetin ku ata ndërtojnë. Prandaj janë paralajmëruar masa urgjente që duhet ti respektojnë të gjithë investitorët”, ka deklaruar para këshilltarëve kryetari i Dibrës Hekuran Duka. Investitorët që tani janë të shumtë kanë obligim që të mirëmbajnë mjedisin jetësor dhe të pastrojnë mbeturinat që krijohen gjatë ndërtimit, tha Duka dhe shtoi se është obligimi i tyre që të pastrojnë pjesët ku ata ndërtojnë.
Në debat u theksua se pjesët ku ndërtohen ndërtesat kolektive, gjatë reshjeve të shiut janë përplot me baltë dhe faktikisht krijojnë një situatë kaotike kur është në pyetje mirëmbajtja e hapësirave publike. Edhe pse ata nuk e kanë për detyrë të pastrojnë mbeturinat, punëtorët e ndërmarrjes komunale “Standardi” shpeshherë janë të detyruar të pastrojnë këto hapësira meqë në afërsi të këtyte lokaliteteve jetojnë dibranë, të cilët jetojnë në shtëpi private apo banesa kolektive e që janë në afërsi të kantiereve të ndërtimit. Për të tejkaluar këtë problem, u theksua në debat, patjetër duhet që mbeturinat që e krijojnë investitorët gjatë ndërtimit, t’i pastrojnë vetë. Por, situata jo e volitshme në këtë drejtim është për shkak të mos angazhimit të inspektorëve kompetentë. (koha.mk)





