Më shumë politikanë izraelitë po dalin tani për të kritikuar komentet e kryeministrit të vendit, Benjamin Netanyahu, ku ai fajësonte shefat e sigurisë së vendit për sulmin e 7 tetorit, të ndërmarrë nga Hamasi, i cili la të vrarë mbi 1 mijë e 400 persona.
“Problemi nuk janë paralajmërimet specifike, por i gjithë keqkuptimi. Politika e frenimit, parandalimi imagjinar dhe blerja e paqes së përkohshme me një çmim të tepruar, këta janë baballarët e të gjitha mëkateve”, tha Ministri i Sigurisë Kombëtare dhe lideri i ekstremit të djathtë Itamar Ben Gvir në platformën sociale X.
Megjithatë, një diskutim i tillë “nuk është tani për tani”, tha ai, duke shtuar se do të ketë “shumë kohë më vonë për një llogari të mprehtë”.
Më herët, udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Benjamin Netanyahu, duke thënë se ai “kapërceu vijën e kuqe” pasi fajësoi institucionet e sigurisë së vendit për dështimet që çuan në sulmin e 7 tetorit.
“Ndërsa ushtarët dhe komandantët e IDF po luftojnë me trimëri kundër Hamasit dhe Hezbollahut, ai po përpiqet t’i fajësojë ata në vend që t’i mbështesë”, tha Lapid përmes një postimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter.
“Përpjekjet për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe për t’ia vënë fajin institucionit të sigurisë dobësojnë IDF-në, ndërkohë që ajo po lufton armiqtë e Izraelit. Netanyahu duhet të kërkojë falje për fjalët e tij”, përmbylli Lapid.
Nga ana tjetër, krisje ka pasur edhe në kabinetin e emergjencës, ku Benny Gantz, theksoi se ka ardhur koha që Netanyahu të tërhiqet nga deklaratat se nuk ka pasur njoftime e paralajmërime për sulmin e përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor.
“Kryeministri duhet të tërhiqet nga komentet e djeshme, lidhur me faktin se shërbimet e sigurisë nuk kanë marrë asnjë paralajmërim, se Hamasi po kërkonte të fillonte një luftë”, shtjelloi Gantz.
Netanyahu ndërkaq, dha një deklaratë tejet të paqartë sa i takon situatës, duke përmendur edhe se “ai nuk e di me siguri nëse Irani qëndron apo jo pas sulmit të Hamasit”.
Megjithatë, përforcoi se “pa Iranin, nuk ka Hamas”.
Edhe më parë, menjëherë pas sulmit, i cili e kapi në befasi Izraelin, Netanyahu u përfshi në një debat në distancë me autoritetet egjiptiane, të cilat disa herë theksuan se e kishin paralajmëruar Izraelin për një goditje të fuqishme të Hamasit.
Por, shteti hebre me në krye Netanyahun nuk e pranoi se ka pasur në realitet paralajmërime të tilla, lidhur me një sulm aq masiv, sa ai i Hamasit.




