Në bisedën që patëm me dibran të cilët japin me qira banesat e tyre, u informuam se dy muajt e fundit kanë marrë telefonata nga mërgimtar tanë që jetojnë në Amerikë për të bërë rezervimin e banesave. Ata thonë se dukshëm është rrit numri i kërkuesve, por normalisht ata që japin banesa me qira kanë rritur edhe çmimet
Vjollca SADIKU
Dibër, 17 qershor – Kapacitet të kufizuara hotelerike kanë detyruar një pjesë të madhe të mërgimtarëve dibran të cilët nuk kanë shtëpi apo banesat të tyre në vendlindje, të bëjnë rezervime para disa muajve për të marr banesa me qira kur fillon edhe ardhja e tyre në vendlindje. Është kjo një dukuri e cila për herë të parë ka filluar para dy viteve por që këtë vit disa muaj para ardhjes të tyre në Dibër interesimi për të marr banesa me qira për qëndrimin e tyre kanë marr përmasa të gjëra. Dibranët të cilët kanë banesa të lira e që nuk i përdorin për vete, kanë filluar t’i japin ato me qira për një, dy apo tre muaj. Kjo ka rritur interesimin e mërgimtarëve të cilët kryesisht vijnë nga SHBA që të rezervojnë banesa të cilët do t’i shfrytëzojnë gjatë pushimeve verore në vendlindje. Interesimi është shumë i madh meqë siç thonë ato, Dibra ka kapacitete të kufizuara hotelerike, por njëkohësisht edhe marrja me qira e banesave do t’ju kushtoj më lirë.
Në bisedën që patëm me dibran të cilët japin me qira banesat e tyre, u informuam se dy muajt e fundit kanë marrë telefonata nga mërgimtar tanë që jetojnë në Amerikë për të bërë rezervimin e banesave. Ata thonë se dukshëm është rrit numri i kërkuesve, por normalisht ata që japin banesa me qira kanë rritur edhe çmimet. Biseduam me R.Z. nga Dibra i cili gjatë vitit të kaluar respektivisht gjatë verës që kaloi ka dhënë me qira banesën e tij dy dhomëshe në Dibër në vendbanimin Venec 1 për 700 dollar në muaj. Ai sqaron se këtë vit çmimi është 900 dollarë, meqë dukshëm janë rritur edhe harxhimet për mirëmbajtjen e banesave. “Unë jetoj në shtëpi dhe banesën e kam trashëgimi. Më parë mërgimtarët tanë që jetojnë në Amerikë pushimet verore i kalonin tek gjaku i tyre. Vitin e kaluar kisha një familje në banesën time me qira që jetonin në Nju Jork. Ishte familje katër antarëshe dhe sigurisht komoditetin e kishin më të mirë se sa ai që i ofrohet në familjen e vëllait të tyre”, tha bashkëbiseduesi i jonë dhe shtoi se nga dita në ditë është rritur numri i dibranëve për shkak të kërkesave të cilët japin me qira banesat e tyre.
Biseduam edhe me M.T, një dibrane e cila poashtu posedon banesë që ka trashëguar nga prindërit. Ajo thotë se për herë të parë këtë vit ka dhënë banesën e saj e cila gjendet në qendër të qytetit një familje dibrane që jeton në Amerikë. Ajo sqaron se në bisedën telefonike që ka patur me familjen nga SHBA është arrit marrëveshje që për një muaj mërgimtarët të paguajnë 800 dollar. Me qëllim që të sqarojmë më gjerë këtë dukuri, biseduam me një familje dibrane që jeton në Nju Xhersi. Ata gjatë bisedës telefonike na informuan se këtë verë do të vijnë në Dibër dhe kanë bë rezervim të një banese poashtu në qendër të Dibrës për dy muaj. M.A. nga Nju Jersi na informoi se ai me bashkëshorten në Dibër do të jenë një muaj por dy fëmijët e tij do të qëndrojnë dy muaj. Duke marrë parasysh prezencën e tyre dy mujore në vendlindje siç thanë shumë më lirë është të merret banesë me qira se sa të rezervohet dhomë në ndonjë hotel.
Kjo dukuri dukshëm ka rritur numrin e dibranëve të cilët janë të gatshëm të japin banesat që kanë si rezervë për nevojat e mërgimtarëve. Jozyrtarisht këtë verë pritet mbi 70 banesa të jepen me qira për nevojat e mërgimtarëve dibranë që jetojnë në Amerikë. Fitojnë pronarët e banesave, por përfitime kanë edhe mërgimtarët meqë për një natë në kapacitete hotelerike të Dibrës të cilat janë të kufizuara paguhet mesatarisht 50 euro. (koha.mk)




