E enjte, 30 Tetor, 2025
5.8 C
Skopje

Nevojë për Qendër metadoni edhe në Gostivar

“Problemi shqetësues është se shumë nga të varurit, të cilët marrin metadon tërhiqen për shkak të rrugës dhe gjendjes së tyre financiare me çrast të njëjtit bëhen problem për familjet e tyre për shkak shpesh i kaplon kriza për metadon ose heroinë dhe ata bëjnë të pamundurën që të furnizohen me këtë substancë narkotike”, thotë Zoran Popovski, kryetar i Organizatës “Help”

Urim HASIPI

Tetovë, 24 shtator – Droga është shqetësimi kryesor i rinisë dhe e popullatës në përgjithësi kohët e fundit në rajonin e Pollogut. Kësaj dukurie nuk i është shmangur edhe qyteti i Gostivarit, ku policia çdo ditë ndalon të rinj, të cilët janë përdorues të lëndëve të ndryshme narkotike, kryesisht marihuanë. Por, qyteti i Gostivarit po përballet edhe me një mungesë të madhe të një Qendre për metadon, e cila do të ishte në shërbim për më shumë se 40 personave, të cilët çdo ditë udhëtojnë për në Tetovë që të marrin terapinë me metadon, shkruan gazeta KOHA.

Të dhëna shqetësuese dalin nga shoqata HELP nga e cila njofton se numri i personave të varur nga droga kalon mbi 650, numër ky vetëm për qytetin e Gostivarit dhe Kërçovës. Nga kjo shoqatë nuk kanë të dhëna për personat nën 18 vjeç për të cilët në vendin tonë nuk ka program për trajtimin e tyre. Kryetari i shoqatës “Help”, Zoran Popovski, thekson se ky problem sa më shpejt duhet të institucionalizohet me qëllim të organizimit të fushatave anti-drogë në qytetin e Gostivarit dhe në tërë Maqedoninë e veriut.

“OJQ ‘Help’ tashmë një kohë të gjatë merret me përdoruesit e drogës, të cilët në Gostivar dhe Kërçovë i kemi mbi 650 të regjistruar, ndërsa 40 prej tyre çdo ditë shkojnë në Tetovë për t’u furnizuar me metadon. Ky është një problem i madh që në shpresojmë ta zgjedhim me Ligjin e ri, ku edhe mjekët amë do të kenë mundësi që të japin metadon. Të njëjtit dy herë në muaj i inspektojmë se mos janë të infektuar me HIV dhe Hepatitin C, sepse tashmë kemi një numër të madh të përdoruesve të drogës të cilët janë të infektuar veçmë me hepatit C”, deklaroi Popovski. Sipas tij, problem në vete është se këta persona në ndërkohë tërhiqen për të marrë terapinë për shkak të distancës dhe udhëtimit të përditshëm që kushton shumë.

“Problemi shqetësues është se shumë nga të varurit, të cilët marrin metadon tërhiqen për shkak të rrugës dhe gjendjes së tyre financiare me çrast të njëjtit bëhen problem për familjet e tyre për shkak shpesh i kaplon kriza për metadon ose heroinë dhe ata bëjnë të pamundurën që të furnizohen me këtë substancë narkotike”, deklaroi ai. Qytetarët e Gostivarit nga ana tjetër thonë se policia duhet të merr masa për më shumë kontrolle, sidomos edhe nëpër shkollat e mesme dhe në vendet më të frekuentuara nga rinia. Nga policia thonë se me fillimin e vitit shkollor, krahas fushatave të ndryshme, poashtu kanë shtuar edhe kontrollet përreth oborreve të shkollave të mesme edhe në Tetovë edhe në Gostivar. Nga Policia e Tetovës theksojnë se pjesa dërmuese e vjedhjeve të vogla që kryhen në këtë territor janë vepra të përdoruesve të drogës.

“Bëhet fjalë për vjedhje të vogla ku shumë shpejt mund të arrihet të paratë. Pra, në këtë mënyrë hajnat me sasi të vogël të parave të vjedhura blejnë drogë në treg. Pjesa më e madhe e vjedhjeve të vogla të kësaj natyre kryhen nga përdorues të drogës, të cilët në momentin kur nuk kanë para për të blerë drogë, zgjidhjen e gjejnë tek vjedhjet”, thonë në Policinë e Tetovës. Ndërkaq, në kuadër të Spitalit Klinik të Tetovës, më shumë se 11 vite është hapur edhe Qendra për trajtimin e të varurve nga droga e njohur se “Qendra e Metadonit”, ku rreth 100 persona nga Tetova dhe Gostivari janë në terapi të metadonit. Në fillim, në këtë qendër kishte rreth 60 persona që ishin në terapinë e metadonit, kurse tani shifra ka arritur mbi 100 persona të cilët shërohen. Ajo që shqetëson edhe sektorin joqeveritar është se nga viti në vit shifrat tregojnë rritje të numrit të përdoruesve të drogës. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm