Përfaqësimi i ulët i grave më së miri shihet nëpër institucione shtetërore por edhe në ato publike, ndërsa gjuha e urrejtjes në shumicën e rasteve shfaqet në rrjetet sociale e shpesh ka kaluar edhe në fizike. Gazetarët nga përvoja e tyre propozojnë ligje më të rrepta, dënime dhe edukim që nga fëmijëria
Remzije BILALLI
Shkup, 24 shtator – Grat në Republikën e Maqedonisë së Veriut në të shumtën e rasteve nuk janë të përfaqësuara në masë të duhur dhe në mënyrën e duhur. Studimet nga viti 2015 tregojnë se gratë janë të përfshira vetëm 24% në të gjitha sferat e sektorëve të ndryshme, ndërsa vetëm 16% e grave janë të përfaqësuara në politikë dhe nëpër media. Shifrat flasin më së miri për përfaqësimin e ulët të grave në politik dhe në media. Vetëm pesë ministre janë femra në RMV, gjashtë kryetare komunash nga gjithsej 80 komuna, ndërsa deri më tani nuk ka pasur asnjë femër ne RMV në pozitë të lart shtetërore. 1/5 e grave vlerësojnë se meshkujt nuk e konsiderojnë të arsyeshme përfshirjen e grave në politikë.
Femrat ende vazhdojnë të jenë cak i gjuhës së urrejtje, ndërsa rast i fundit është me ministren e Financave Nina Angelova e cila u sulmua nga mediat dhe në rrjete sociale për shkak të moshës së re dhe gjinisë. Tema “Si i paraqesin mediat femrat politikane dhe si ta eliminojmë gjuhën e urrejtjes ndaj grave në politikë” solli në vëmendje pjesëmarrësit e tryezës së rrumbullakët që u mbajt në Shkup në kuadër të Javës së të drejtave dhe barazisë gjinore. Në mesin e të pranishmëve ishin gazetarë të cilët treguan përvojat e tyre se si mediat i vlerësojnë femrat, ndërkaq pjesëmarrës kishte edhe politikane të cilat treguan se si ato perceptohen nga ana e mediave vetëm për faktin se janë gra.
Ambasadori Kelmens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup theksoi se sa i përket raportit të përfaqësimit të grave dhe diskriminimit ndaj tyre, gjendja po përmirësohet nga dita në ditë. “Raste të triumfit të gruas po shoh çdo ditë e më shumë, dikur kjo gjendje ishte e mjerueshme mirëpo bashkërisht duhet ti fuqizojmë që ato të përfaqësohen jo vetëm në politikë, por edhe në media si dhe në të gjithat sferat, e kjo do të bëhet duke i përforcuar ligjet në mbështetje të grave. Ne si burra duhet ti shtyjmë ato drejt ngritjes së tyre dhe ti mbështesim maksimalisht”,tha Koja.
Sipas tij pozitat më të larta udhëheqëse në shumicën e rasteve i mbajnë meshkujt. Nga ana tjetër femrat duhet të luftojnë për pozitën e tyre nëpër media, sepse shumica e mediave ende i japin përparësi anës mashkullore. Në RMV ende nuk ka obligim ligjor për përmbushjen e kuotës për barazimin e grave nëpër institucione private dhe publike.
Përfaqësues të OSBE-së theksuan se femrat pavarësisht pozitës të cilën e kanë, vazhdohet t’iu parashtrohen pyetje për flokët, veshjen dhe shumë pyetje të tjera të cilat kurrë nuk i parashtrohen meshkujve. Rast i tillë ishte me kandidaten për kryeministre të Zelandës së Re e cila në pyetjen se a planifikon të këtë fëmijë gjatë mandatit të saj, u kundërpërgjigj se një pyetje e tillë a u është parashtrua kundërkandidatëve burra.
Gjylymsere Kasapi deputete në RMV theksoi se ajo së bashku me deputetet tjera kanë formuar Klubin e Deputeteve, i cili është joformal ku gratë përkrahin njëra tjetrën pa dallim ideologjie, religjioni, etnie si dhe të gjitha përkatësive tjera. Në RMV gjithsej janë 48 deputete gra, prej 120 deputetëve në përgjithësi. Emilija Janevska, përfaqësuese nga Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuele sqaroi se nga viti 2012 bëhen analiza dhe hulumtime për përfaqësimin e grave.
“Tri herë më pak gratë përfaqësohen në krahasim me burrat. Gjuha e urrejtjes ndaj grave duhet të dënohet e nga ana tjetër të rritet edhe vetëdijesimi i qytetarëve ndaj dezinformatave të cilat bëhen nga ana e mediave por njëkohësisht duhet të organizohen edhe trajnime të ndryshme në këtë drejtim”, tha Janevska. Dënime, ligje më të rrepta, trajnime të ndryshme, ishin vetëm disa nga masat të cilat u propozuan, mirëpo sipas shumicës së të pranishmëve edukimi për barazi gjinore duhet të fillojë nga fëmijëria. (koha.mk)