Zëmblaku është fshati prej ku iku një familje shqiptare për t’u zhvendosur në Kavala, ku sollën në jetë shqiptarin që më vonë mundi të gjente ngjashmëri mes shqiptarëve dhe egjiptianëve. Ai udhëtoi drejt Egjiptit, ra në dashuri me të. Egjipti po ashtu e respektoi dhe e pëlqeu atë aq shumë, sa i shkroi Sulltanit në Stamboll duke i thënë se donin që Mohamed Ali, Shqiptari të ishte sundimtar i Egjiptit
Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i Korçës, shpërngulet për në Kavala të Greqisë. Janë vitet 1700 dhe kryefamiljari është tregtar. Më 4 mars 1769 familja shqiptare bëhet me djalë, historia e njeh si Mohamed Ali, sundimtari i Egjiptit. Dinastia e tij e drejtoi Egjiptin prej 1805-ës deri më 1952. 3 shekuj më pas, një tjetër Mohamed mbërrin në Zëmblak. Është shkrimtari Mohamed Salmawy nga Egjipti, që ka mbërritur në fshat për të kërkuar gjurmët e babait të Egjiptit modern. Ka gjetur këtu të vetmen gjë që nuk mund të gjente në Kajro, shpirtin shqiptar të udhëheqësit të kahershëm.
Mohamed Salmawy në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon projektin për një film për Mohamed Alinë me ndihmën e shoqatës së Miqësisë Arabo-Balkanike (Arab Balkans Friendship Association), që drejtohet nga Salah Abou El Magd dhe regji të Ilir Harxhit. Skenari do të jetë i Salmawy, i cili ndan me lexuesit edhe detaje interesante dhe frymëzuese nga jeta e tij si shkrimtar, si kujtimet nga sheshi “Tahihr” ku mes më shumë se 20 milion qytetarëve kundërshtoi regjimet autokrate dhe bashkë me kolegë intelektualë mbrojtën Shtëpinë e Operës.
Sipas Malmawy, bashkimi i intelektualëve me qytetarët që gjetën fuqinë e tyre, ka shpëtuar Egjiptin nga ajo që mund të quhet dimri arab.
“Ndjej sikur kam qenë në të gjithë vendin, sepse kam qenë në Gjirokastër dhe kam ndaluar në shumë vende. Kam qenë në Korçë dhe në Pogradec dhe kam shkuar deri në Zëmblak, një fshat të vogël, shumë larg, pothuaj afër kufirit grek. Zëmblaku është fshati prej ku iku një familje shqiptare për t’u zhvendosur në Kavala, ku sollën në jetë shqiptarin që më vonë mundi të gjente ngjashmëri mes shqiptarëve dhe egjiptianëve. Ai udhëtoi drejt Egjiptit, ra në dashuri me të. Egjipti po ashtu e respektoi dhe e pëlqeu atë aq shumë, sa i shkroi Sulltanit në Stamboll duke i thënë se donin që Mohamed Ali, Shqiptari të ishte sundimtar i Egjiptit. Ai u bë sundimtar i vendit, e modernizoi dhe e transformoi në arsim, ushtri, agrikulturë, ekonomi, politikë, duke e bërë Egjiptin një vend me peshë në skenën ndërkombëtare të kohës. Dinastia e tij qëndroi me ne (në Egjipt) për 200 vjet, deri në kohën e revolucionit më 1952.
Kur lexoj tani, disa prej letrave të Mohamed Ali, që i kisha lexuar edhe ne Egjipt, i shoh ndryshe. Janë letra që ai ua çon të bijve, që ishin udhëheqës ushtarakë: Ibrahim Pasha pushtoi Sirinë, Arabinë Saudite; Ismail Pasha pushtoi Sudanin. Ai u shkruante letra ku u thoshte të bijve: duhet të jeni të sjellshëm me njerëzit që pushtoni, nuk duhet t’i poshtëroni ata, duhet të respektoni kulturën e tyre. Kur e them këtë, pasi kam parë njerëzit këtu, karakterin e tyre, kuptoj që Mohamed Ali ishte thjesht si ata. Ky udhëtim më ka ndihmuar të takoj Mohamed Ali. Nuk kam marrë këtu informacione të reja për të, informacionet i kam në Egjipt, por doja të njihja njeriun. Unë në Zëmblak kam takuar njerëz që nuk kishin ikur kurrë nga fshati dhe prej aty erdhi familja e tij, ndaj mund ta shihja Mohamed Alinë aty në secilin njeri që takova. E ndjej se ky film do të ndryshojë konceptin për Mohamed Ali. Ka diçka për Mohamed Ali – kur ai erdhi në Egjipt, Egjipti qeverisej nga ata që ne i quajmë ‘mamlukë’- të ardhur si skllevër në Egjipt për t’u bërë më vonë, liderë dhe qeveritarë të provincave të ndryshme. Pra, Egjipti ishte i ndarë mes mamlukëve. Mohamed Ali që kishte tjetër vizion për Egjiptin kuptoi që duhej të çlirohej nga këta mamlukë në mënyrë që të bashkojë vendin. I ftoi të gjithë në pallatin e tij në Kajro, erdhën dhe para se të iknin u vranë të gjithë. Njerëzit përpiqen ta shohin Mohamed Alinë përmes kësaj ngjarjeje, që është ngjarje e përgjakshme, por të gjitha letrat dhe sjellja e tij me njerëzit në Egjipt tregojnë një njeri tjetër. Tregojnë një njeri human, të dashur e të sjellshëm. Gjatë kërkimit tim kam zbuluar se ai në fakt nuk ishte i bindur për vendimin e vrasjes së mamlukëve. Ai nuk ishte për masakrën, për këshilltarët i thoshin se duhej ta bënte. Mendoj se e kishte këtë konflikt, mes humanizmit të tij në një anë dhe nevojës për të sunduar vendin dhe për t’u çliruar nga mamlukët. Kur u bë masakra, ai refuzoi të shihte trupat, edhe kur i thanë që i kemi kokat e tyre, ai nuk pranoi”, ka deklaruar për Gazetën Shqiptare , Mohamed Salmawy.
Mohamed Salmawy është shkrimtar egjiptian i njohur gjerësisht në të gjithë botën arabe. Ka qenë për një kohë të gjatë president i Unionit të Shkrimtarëve të Egjiptit, sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Shkrimtarëve Arabë dhe i Unionit të Shkrimtarëve afrikano-aziatikë. Autor i më shumë se 30 librave, që nga botimet letrare e deri te temat politike dhe kulturore. Ai botohet njëkohësisht në disa prej gazetave kryesore të vendit të tij dhe veprat letrare të Salmawy janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Romani i tij i jashtëzakonshëm, “Krahët e fluturave”, në të cilin parashikoi revolucionin e 25 janarit 2011 në Egjipt, u përkthye në italisht, anglisht, frëngjisht, rumanisht dhe në gjuhën urdu, ndërsa autobiografia e tij, “A day or just about” është cilësuar si një nga më të mirat në vitet e fundit. Gjatë gjithë karrierës së vet, Mohamed Salmawy ka mbajtur disa detyra, përfshirë atë të nënsekretarit të Shtetit për Kulturë, Ndihmësministrin e Informacionit, kryeredaktorin e gazetës “Al-Ahram Hebdo” etj. Ka qenë anëtar i “Komitetit të Pesëdhjetëve”, të cilëve iu besua hartimi i kushtetutës së Egjiptit më 2014 dhe është votuar unanimisht si zëdhënësi zyrtar i Komitetit.
Salmawy është dekoruar në vende të ndryshme. Mban sot dekoratat Chevalier des Arts et des Lettres (Francë) 1995, Grande Officiale (Itali) 2006, Medaljen e Kurorës – Commandeur (Belgjikë) 2008, Urdhrin Shtetëror të Meritës për Letërsinë (Egjipt) 2013.
Mohamed Salmawy është i martuar me piktoren Nazli Madkour. Ata kanë dy fëmijë dhe pesë nipër e mbesa.