Pastrimi i Vardarit do të evitojë vërshimet

Një projekt tjetër me rëndësi në këtë komunë është pastrimi dhe rregullimi i shtratit të Lumit Vardar. “Tash është në fazën e implementimit dhe sipas asaj që është paraparë në projekt, pastrimi i shtratit të lumit Vardar duhet të zgjasë rreth 5 muaj”, deklaroi Kostadinoski

 

Urim HASIPI

Tetovë, 12 dhjetor – Kryetari i Komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinoski në një paraqitje para banorëve të kësaj komune, ka folur rreth mandatit të tij dyvjeçar për projektet që janë realizuar vitin që po e lëmë pas. Ndër të tjera, ai ka thënë se në këto projekte bëjnë pjesë ato që kanë të bëjnë me infrastrukturën, shkollat, çerdhet, mbrojtja sociale, aktivitetet sportive dhe një sërë projekte tjera që janë në interes të qytetarëve, tha ai.

“Është lëshuar kanalizimi fekal në fshatin Zhilçë, është lëshuar në përdorim ujësjellësi në vendbanimet Zhilçë dhe Shemshovë. Në realizim e sipër është projekti për kanalizimin fekal në fshatin Ratajë që ishte në problem disavjeçar për qytetarët. Ka mbetur edhe një pjesë që duhet të lidhet me vendbanimin Zhilçë. Kështu, për vitin 2024 do të mbetet vetëm një pjesë e vogël për ta përfunduar. Një projekt tjetër që realizohet është biblioteka në fshatin Prelubisht, ku është bërë renovimi i pjesës së brendshme dhe të jashtme dhe tash ka marrë formën e një instuitucioni të vërtetë”, tregoi Kostadinoski.

Një projekt tjetër me rëndësi në këtë komunë është pastrimi dhe rregullimi i shtratit të Lumit Vardar. “Ky projekt është shumë i rëndësishëm për Komunën e Jegunocit që është një problem disa dekada me radhë, me të cilin përballeshin qytetarët e Komunës së Jegunocit, më saktësisht rreth rrjedhjes së lumit Vardar ku ndodhen edhe disa vendbanime si Tudencë, Kopanicë, Raotincë dhe Jegunocë. Tash është në fazën e implementimit dhe sipas asaj që është paraparë në projekt, pastrimi i shtratit të lumit Vardar duhet të zgjasë rreth 5 muaj”, deklaroi Kostadinoski.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se është riaktivizuar edhe Qendra për Persona me Nevoja të Veçanta në fshatin Vratnicë. Sipas tij, objekti është renovuar tërësisht me mjete të Komunës së Jegunocit dhe shpresojmë se pas kësaj do të hapim edhe një kopsht për fëmijë, në kuadër të çerdhes kryesore që ndodhet në Jegunoc. Sipas Kostadinoskit, me këtë do të mbulohen edhe pjesët tjera të komunës në sferën e mbrojtjes së fëmijëve. Krahas kësaj, tha ai, është renovuar edhe shkolla fillore në fshatin Siriçinë, ndërsa në disa shkolla është vendosur ngrohje qendrore.

Ai është shprehur se nga projektet që është premtuar dhe nuk është realizuar por që ishte planifikuar për këtë vit, ishte edhe Zona e Vogël Ekonomike. Kreu i kësaj komune ka bërë të ditur se kanë hasur në një parcelë e cila ka qenë pjesë e denacionalizimit edhe pse bëhet fjalë për një parcelë të vogël, megjithatë ka shkaktuar probleme në realizimin e kësaj zone, që sipas tij është mjaft e rëndësishme për banorët. Në këtë zonë, sipas tij, pritet që të ndërtohen biznese të vogla që do të hapin vende të reja pune dhe do të parandalojnë ikjen masive të rinisë jashtë vendit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm