Interesi i Real Madridit për Rodri Hernández ka shkaktuar shqetësim te Manchester City, pasi mundësia e një oferte të afërt nga “Los Blancos” po bëhet gjithnjë e më reale. Klubi madrilen duhet të vendosë nëse do të bëjë një ofertë që këtë verë, apo nëse do të presë deri verën tjetër, kur spanjolli do të hyjë në vitin e fundit të kontratës me kampionët anglezë.
Nëse Real Madridi vendos të veprojë që tani, do t’i duhet të bëjë një shpenzim të rëndësishëm, me shumë gjasa mbi 100 milionë euro. Kjo përfshin edhe rrezikun, pasi Rodri po rikuperohet nga një dëmtim serioz në gju, i pësuar në fillim të sezonit të kaluar.
Edhe pse ka treguar përmirësime në javët e fundit dhe gjatë Kupës së Botës për Klube, nuk ka ende garanci të plota për gjendjen e tij fizike. Ky është edhe faktori kryesor që po e bën Florentino Pérezin të hezitojë.
Për Manchester City, kjo mund të jetë një mundësi interesante, duke marrë parasysh se do të siguronte një shumë të madhe për një lojtar 29-vjeçar, që nuk është më në gjendje të ofrojë garanci të njëjta fizike si më parë.
Alternativa tjetër për Real Madridin do të ishte të presë një vit. Nëse Rodri nuk rinovon me City, çmimi i tij mund të bjerë ndjeshëm, diku mes 60 dhe 80 milionë euro. Shumë gjithsesi e lartë, por në fund të fundit bëhet fjalë për fituesin aktual të “Topit të Artë”…




