Nga 12 tetori i këtij viti Bashkimi Evropian do të fillojë me vënien graduale të Sistemit për hyrje/dalje (EES), i cili plotësisht do të implementohet deri në prill të vitit 2026, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Ky sistem i ri digjital, siç thonë nga MPB-ja, përfaqëson një nga reformat më të rëndësishme në fushën e menaxhimit të kufijve të BE-së, duke zëvendësuar përdorimin e vulave të mëparshme në pasaporta me regjistrimin elektronik të të dhënave biometrike (fotografia dhe shenjat e gishtërinjëve), si dhe të dhënat e sakta për datat e hyrjes dhe daljes.
“EES i referohet të gjithë shtetasve të shteteve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose të zonës së Shengenit, dhe që udhëtojnë për qëndrime të shkurtra (deri 90 ditë brenda një periudhe 180 ditore). Ky sistem mbulon udhëtarët që janë të liruar nga viza për hyrje në BE, si dhe ata që disponojnë vizë për qëndrim të shkurtër. Shtetasit e vendeve anëtare të BE-së dhe të zonës Shengen nuk i nënshtrohen sistemit të ri”, theksojnë nga MPB-ja.
Sistemi, siç thuhet në njoftim, do të jetë aktiv në të gjitha vendkalimet kufitare të 29 vendeve, mes të cilëve: Greqi, Bullgari, Austri, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Suedi, si dhe Islandë, Norvegji, Zvicër dhe Lihtenshtajn.
“Me EES, Bashkimi Evropian ka për qëllim të rrisë sigurinë e qytetarëve, përmes zbulimit më të mirë të dokumenteve të falsifikuara dhe mashtrime identiteti, ta përmirësoj luftën kundër krimit, terrorizmit dhe migrimit ilegal, ta lehtësojë udhëtimin përmes kontrollimeve kufitare më të shpejta dhe më efikase, të sigurojë një regjistrim digjital të saktë për kohëzgjatjen e qëndrimit, duke eleminuar ndonjë keqkuptim që ndodhë me vulat manuale”, thonë nga MPB-ja.
Nga atje shpjegojnë se gjatë udhëtimit të parë pas implementimit të sistemit, udhëtarët do të kalojnë nëpër një proces të plotë regjistrimi që përfshin fotografimin, skanimin e shenjave të gishtërinjëve dhe vendosjen e të dhënave nga pasaporta. Për të lehtësuar procedurën, në kalimet kufitare do të ketë edhe pika vetë-shërbimi, ndërsa do të jetë i mundur edhe regjistrimi paraprak përmes aplikacioneve mobile.
Për udhëtimet e ardhshme, siç thonë nga MPB-ja, kontrolli do të jetë shumë më i shpejtë, pasi të dhënat do të jenë tashmë të ruajtura në sistem dhe do të bëhet vetëm verifikimi i tyre.
“Në periudhën nga tetori i vitit 2025 deri në prill të vitit 2026 do të futet në përdorim në faza. Kjo do të thotë se një pjesë e udhëtarëve ende do të marrin vula në pasaportat e tyre, derisa të gjithë kalimet kufitare të kalojnë në regjistrim të plotë digjital. Nga 10 prilli i vitit 2026, vulat në pasaportë do të zëvendësohen plotësisht me regjistrime elekronike”, theksojnë nga MPB-ja.
Në njoftim thuhet gjithashtu se të gjitha të dhënat do të përpunohen dhe ruhen në përputhje me standardet rigoroze të Bashkimit Evropian dhe Rregullat e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave (GDPR). Me këtë garantohet mbrojtja e plotë e privatësisë dhe përdorimi i transparencës së informacioneve të mbledhura.
Ministria e Punëve të Brendshme apelon deri te të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët planifikojnë udhëtime në vendet e zonës së Shengenit që të informohen për rregullat dhe procedurat e reja, me qëllim që udhëtimet e tyre të jenë me kohë, të sigurta dhe pa vonesa të panevojshme.