Spiropali në Senatin Amerikan: Koordinim strategjik për sigurinë dhe forcim të bashkëpunimit Shqipëri – SHBA
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një seri takimesh në Senatin Amerikan, duke u fokusuar në koordinimin strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjatë vizitës, Spiropali u takua me senatoren Elissa Slotkin, ku u diskutua mbi bashkëpunimin strategjik në çështjet e sigurisë dhe fuqizimin e lidhjeve ekonomike e politike.
Spiropali vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Michigan, të cilin Slotkin e cilëson një element kyç për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ministrja pati gjithashtu një takim me Senatorin Gary Peters, themelues dhe bashkëkryetar i “Albanian Issues Caucus”, i cili përfaqëson interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan. Spiropali e cilësoi këtë grup miqësie si një partner të besueshëm dhe konstruktiv në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Një tjetër takim i rëndësishëm u zhvillua me Senatorin Steve Daines, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, i cili mbështet fuqimisht Shqipërinë dhe ka njohuri të thella mbi çështjet e sigurisë rajonale.
Në këtë takim, Spiropali theksoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj sigurisë transatlantike dhe angazhimin për arritjen e objektivit të shpenzimeve 5% për mbrojtjen brenda kuadrit të NATO-s.
Ministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027, duke e cilësuar këtë si një çast kyç për forcimin e unitetit dhe kohezionit të Aleancës.
Më herët, kryediplomatja e Shqipërisë u prit nga Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, veterani i ushtrisë amerikane Brian Mast, i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.
Gjatë këtij takimi u theksua bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Spiropali u takua edhe me Kongresmenin Jimmy Patronis për potencialin e bashkëpunimit ndërsektorial në fusha si rritja e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.
Spiropali dhe Patronis u ndalën në rëndësinë që ka për sigurinë dhe mobilitetin ushtarak të NATO-s, ndërlidhja infrastrukturore përmes projektit strategjik të Korridorit të VIII-të.
Ministrja e Jashtme u prit edhe nga Kongresmenët Ritchie Torres, Bashkëkryetar i “Albanian Caucus”, mbështetës aktiv i komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe nga Anëtari i Lartë të Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punët e Jashtme, William R. Keating, dhe Kongresmeni Keith Self.
Spiropali i falenderoi kongresmenët për vëmendjen e posaçme ndaj Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve në rajon, vijon të jetë thelbësor për zhvillimin demokratik.
Më tej, Spiropali do të pritet në Senatin Amerikan nga Senatorët Steve Daines, Gary Peters dhe Elissa Slotkin, ku do të riafirmohet roli i Shqipërisë si partner i ngushtë i shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita zyrtare e Spiropalit do të vijojë me takimet e zyrtarëve të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me drejtuesit e “The Heritage Foundation”.




