Pasi u raportua se babai i Neymarit i kishte telefonuar drejtuesit e Barcelonës për t’ia kërkuar kthimin e birit të tij në Katalonjë, zëdhënësi i kampionit spanjoll, Josep Vives, i ka mohuar këto lajme.
El Mundo raportoi këtë javë se Neymar Sr është duke e lutur vazhdimisht bordin e Barcelonës për ta kthyer djalin e tij, Neymar Jr, në Camp Nou. Këto lajme u mohuan nga babai i Neymarit menjëherë, transmeton Gazeta Express.
Neymari e shkëmbeu Camp Nou me Parc des Princes në gusht të vitit 2017, kur e siguroi një transferim për 222 milionë euro. Ky transferim i kishte shkaktuar shumë probleme Barcelonës, që nuk kishte përgatitur transferimin e një zëvendësuesi për të, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
26-vjeçari i kaloi katër sezone të mrekullueshme me Barcelonën, duke e fituar dy herë titullin e La Ligës dhe një herë titullin e Ligës së Kampionëve, por dëshira për të mos mbetur nën hijen e Messit bëri që ai ta kërkonte largimin.
Mirëpo, përkundër që ai kishte vendosur të largohej me dëshirën e tij, gjatë afatit kalimtar të verës ishte spekuluar se ai dëshiron të kthehet të luajë për Barcelonën. Këto spekulime kanë filluar përsëri dhe mediat botërore raportojnë se Barcelona është e gatshme të shpenzojë mjaft shumë para për ta kthyer Neymarin në Camp Nou.
“Kjo nuk është e saktë. Por, ne nuk flasim për telefonata apo biseda që mund të jenë bërë në aspektin privat. Neymari është një lojtar i mrekullueshëm, mirëpo ai e ka një kontratë me PSG-në dhe nuk kam asgjë për të shtuar”, ka thënë Vives.
“Ne kurrë nuk flasim për lojtarë që kanë kontratë me klube të tjera dhe Neymari është një nga ta. Ai e mori një vendim legjitim për t’u larguar, një vendim me të cilin ne nuk u pajtuam. Nuk kam çfarë të them tjetër. Ai e ka një kontratë dhe shumë obligime me PSG-në. Ne jemi duke menduar vetëm për lojtarët e mrekullueshëm që i kemi në skuadër tani”.