Para se të largohej nga Barcelona për pushime për festat e fundvitit, klubi ia dha urdhër yllit të skuadrës, Lionel Messit, se ai duhet të pushojë gjatë kësaj kohe dhe të mos bëjë asgjë që mund ta lodhë apo ta stresojë ata para fillimit të pjesës së dytë të sezonit.
Messi, bashkëshortja e tij, Antonella Roccuzzo dhe tre fëmijët e tyre e festuan së bashku Natën e Vitit të Ri duke i kaluar pushimet në Arroyo Seco të Argjentinës, transmeton Gazeta Express.
Por, urdhri nuk kishte vlejtur vetëm për argjentinasin, pasi që Daily Mail raporton se Barcelona i kishte udhëzuar të gjithë lojtarët e klubit katalonas që vetëm të pushojnë dhe të distancohen nga gjithçka tjetër gjatë kësaj kohe.
Kapiteni i Barcelonës e përfundoi vitin 2018 me 51 gola të shënuar, dy më shumë se rivali i tij, Cristiano Ronaldo. Gjatë pjesës së parë të këtij sezoni, ai i shënoi 15 gola në vetëm 15 ndeshje të La Ligës, si dhe gjashtë gola në katër ndeshje të Ligës së Kampionëve.
Barcelona e luajti ndeshjen e fundit të vitit 2018 më 22 dhjetor, kundër Celta Vigos në La Liga. Pas kësaj ndeshjeje, Messi dhe bashkëlojtarët e tij shkuan për pushime për festat e fundvitit.
Të gjithë lojtarët kanë qenë të detyruar të kthehen sot te klubi i tyre në Spanjë, pasi që më 7 janar do të zhvillohet ndeshja e parë e vitit të ri, kur katalonasit të përballen me Getafen.