Viteve të fundit në Dibër është interesimi i madh tek të rinjtë për të marrë patentë për vozitës. Mes tyre është numri i madh i femrave të cilat janë të interesuara që të drejtojnë automjete
Vjollca SADKU
Dibër, 28 mars – Nga fillimi i këtij viti e deri më sot në Dibër është ndërprerë dhënia e provimeve për vozitje. Për këtë shkak afro 100 dibranë edhe pse kanë përfunduar shkollën për vozitje me sukses, nuk kanë mundësi që të japin provimin për patentën e vozitësit për kategoritë të cilët deri tani jepej mundësi të kenë.
Nga autoshkolla e vetme në komunë “Di-Ti”, thonë se problemi nuk qëndron tek ata por tek Komisioni rajonal për dhënien e provimeve për vozitës që ishte në Kërçovë. Nga Qendra e deritashme për dhënien e provimeve në Kërçovë thonë se problemi qëndron tek përfundimi i licencës dhe pritja e Qendrës të re e cila do të merr licencë për vitet e ardhshme.
Viteve të fundit në Dibër është interesimi i madh tek të rinjtë për të marrë patentë për vozitës. Mes tyre është numri i madh i femrave të cilat janë të interesuara që të drejtojnë automjete. Në autoshkollën “Di-ti” të familjes Koleci thonë se janë të kënaqur nga numri i kandidatëve të cilët janë si nga qyteti ashtu edhe nga fshatrat. Shpesh herë mes kandidatëve ka edhe mërgimtarë nga Italia dhe shtete të tjera të Unionit Evropian të cilët vijnë në vendlindje që të marrin patentën për vozitës.
Në lidhje me problemin të ndërprerjes së dhënies së patentave për vozitës, në autoshkollën “Di-ti”, thonë se problemi nuk qëndron tek ata. Sipas tyre kanë patur një sugjerim të sanohet dhe zgjerohet poligoni për ushtrime, por njëkohësisht sipas tyre problemi qëndron tek kalimi i licencës që ka patur deri tani Qendra për dhënien e provimeve nga Kërcova. Edhe këtu pohojnë se është i madh numri i kandidatëve të cilët kanë përfunduar me sukses autoshkollën dhe presin dhënien e provimit.
Në lidhje me problemin biseduam edhe me përfaqësues të Qendrës për dhënien e provimeve për vozitës ë Kërçovë.
Nikolla Kukovski nga kjo qendër tha se ndërprerja e provimeve për vozitës që ka realizuar pikërisht kjo Qendër e Kërçovës nuk është vetëm për komunën e Dibrës por kjo situatë është prezente edhe në Strugë, Ohër dhe Kërçovë. “Ka përfunduar afati i licencës dhe tani jemi në pritje se institucionet kompetente kujt do t’ja japin atë licencë. Ne si Qendër të cilët deri tani kemi realizuar provimet kemi konkurruar dhe presim rezultate nga vendimi i institucioneve. Shpresojmë se shumë shpejt do të ndahet licenca që përsëri do të fillojnë provimet për vozitës në qytetet të cilët i mbulojmë me provime”, thotë përfaqësuesi i Qendrës për dhënien e privimeve në Kërçovë, Nikolla Kukovski.
Në pritje të tejkalimit të këtij problemi, respektivisht me marrjen e licencës nga ana e Qendrave për vozitës reagimet të kandidatëve për provime në Dibër janë të mëdha. Poashtu ka raste kur mes kandidatëve ka edhe mërgimtarë që punojnë dhe jetojnë në shtete të tjera por që kanë kohën e kufizuar për prezencën e tyre në vendlindje për të dhënë provimet për patentë të vozitjes. (koha.mk)