Çështja është, a do vazhdojmë ashtu siç ka vepruar edhe politika, edhe akademikët, edhe shoqëria civile, po edhe vetë shoqëria që mos ngremë dilemat e mos krijojmë vizione të qarta për dhjetëvjeçarin tjetër, apo për të ardhmen? Frikën e kam se cikli i heshtjes dhe fshehjes së sfidave do na kaplojë si trashëgimi e veprimit shoqëror e politik që na ka ndjekur 30 vitet që nga pavarësia. Nuk do doja të ishte kështu. Sidomos këtë cikël do të duhet ta thyejnë gjeneratat “Y” dhe “Z” që padiskutim do përballen me gjithë atë çfarë u kanë lënë pas si vlerë e barrë prindërit e tyre
Nga Nazim RASHIDI
Maqedonia e Veriut po hyn në një kohë përvjetorësh. 20 vite nga fillimi i konfliktit e dalja e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. 20 vite nga Marrëveshja e Ohrit. 30 vite nga pavarësia. Por kur ato po shënohen ashtu siç shënohen, mbetet e qartë se askush nuk ka guximin t’i shohë këto zhvillime me një ftohtësi, jo për të krijuar patetizëm, por për të bërë një analizë e vlerësim me të vetmin qëllim, ndërtimin e strategjive për të ardhmen.
Fjala strategji mbase është kyçe, sepse në kontekste të shteteve dhe shoqërive ajo ndërtohet patjetër duke marrë për bazë të kaluarën e të tashmen, e duke folur hapur për sfidat e të ardhmes. Por cilat janë sfidat e të ardhmes? Përshtypja është se askush nuk pyet sepse ka një frikë nëse bëhen pyetjet “gogolët” do të dalin. Por fshehja e vështirësive, heshtja e tyre, injorimi i tyre, moskuptimi i tyre nuk do bëjë që ato të ikin. Në fakt nëse unë e kthej kokën prapa, që nga pavarësia po edhe deri tani, ajo që karakterizon veprimin e politikës, por edhe shoqërinë, ka qenë pikërisht kjo, injorim, moskuptim dhe fshehje e problemeve. Prandaj po shtroj hapur disa pyetje të cilat e mundonin aq shumë shoqërinë tonë:
E para, që nga pavarësia e deri më sot janë marrëdhëniet ndëretnike. E para, a janë kuptuar ato? A i kuptojnë sot maqedonasit shqiptarët dhe anasjelltas? A është kuptuar dhe sqaruar diskriminimi, pabarazia? A janë mbyllur çështjet në këtë drejtim? A do të jenë sfidë marrëdhëniet ndëretnike në dhjetëvjeçarin e ardhshëm? A diskutohet hapur kjo çështje?
Si kronist i ngjarjeve, zhvillimeve, deklaratave, mund të them hapur se kjo çështje s’ka rënë në paqe. Ajo që shpesh nuk kuptohet sipas meje, është se përherë do të duhet një kujdes i vazhdueshëm për të mbajtur balancet e këtyre marrëdhënieve. Dhe në asnjë mënyrë kjo nuk duhet t’i lihet rastësisë apo vullnetit të mirë të klasës politike të kohës. Mbi të gjitha duhet të sqarohen dhe pranohen shkaqet e tensioneve dhe përplasjeve që zemërimet të kalojnë në pranim e falje dhe të çojnë në çlirim të këtyre marrëdhënieve. Por, a ka plan se si të bëhet kjo? Jo! Nga ana tjetër duhet të pranohet se ka përparime, kryesisht me rritjen e dukshme në administratë të shqiptarëve, thyerja e miteve se shqiptarët s’mund të kenë poste të larta apo edhe mungesa e tensioneve të mëdha shoqërore aktualisht. Por edhe përtej kësaj ende do të vijojnë diskutimet për marrëdhëniet ndëretnike. Bazuar nga deklarimet dhe retorika politike do të flitet për gjuhën shqipe, është apo nuk është zyrtare dhe nivelin e përdorimit. Sidomos do të diskutohet nëse përbën ose jo problem termi juridik “mbi 20 përqind” dhe a do të jetë shoqëria peng e zgjedhjeve terminologjike të para 20 vjetëve, kur u bë marrëveshja që solli paqe?
Thelbi i Maqedonisë së Veriut është qetësia ndëretnike, e cila u arrit dhe u premtua me integrimet. Pas 30 vjetësh pavarësi e 20 vjetësh të Marrëveshjes së Ohrit, sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s. Pa diskutim një arritje që e orienton vendin drejt Perëndimit përfundimisht. Por mbeten integrimet drejtë BE-së. Aktualisht ka ngecje për shkak të negociatave me Bullgarinë. Jo më larg se dy ditë më parë, Kryeministri Zaev tha se nuk do ketë integrime me çdo kusht, nëse cenohen maqedonasit në diskutimet me bullgarët. Por a nuk duhet bërë pyetja e qartë, çfarë nëse nuk ndodh integrimi në vitet në vijim? Cili duhet të jetë vizioni i së ardhmes?
Edhe për këtë çështje ka frikë e heshtje, sepse duke menduar se po su bënë pyetjet nuk trazohen ujërat. Por në këtë mënyrë nuk ndërtohet e ardhmja, dhe vetëm sa anija e quajtur Maqedoni e Veriut do hyje në ujëra të panjohur e turbulentë, e papërgatitur vetëm se ka mbyllur sytë e veshët për çështje që janë jetike për të.
Fakt është edhe tërheqja e heshtur e BE-së nga tema e zgjerimit. Deklarata, që shpesh janë më shumë përsëritje dhe aq jo bindëse kur thuhen nga zyrtarët evropian, se Ballkani e ka vendin në Evropë nuk bindin më askënd. Dhe në rregull, dinamikat përherë sjellin realitete të tjera, çështja është se ato duhen pranuar. Duhet përballur me këtë realitet, qoftë ai që vjen nga Bullgaria ose edhe nga vetë BE dhe duhet përgatitur.
Por sërish heshtje dhe disi dhe frikë të adresohen çështjet aq të rëndësishme. E ndërkohë nëse BE nuk vjen tek ne, padiskutim që njerëzit do shkojnë në BE. Aq e qartë dhe evidente është ikja që nga krahu punëtor e deri tek ekspertët, sa mos prekja e kësaj çështjeje realisht do e çojë vendin drejt humbjeve të mëdha. Por me këtë dinamikë ikjesh, sa do të kenë ikur nga Maqedonia e Veriut në 10 vjetët e ardhshëm? Çfarë do të bëhet që të mbahen njerëzit këtu? Pyetje të mëdha përgjigjet e të cilave mund të hasen vetëm në deklarime të politikës së ditës, por jo edhe ato strategjike. Në këtë pjesë miqtë evropian, institucionet akademike, shoqëria civile do të duhet të jetë brutalisht e hapur që nga pranimi i realitetit e deri tek bërja e analizave të sakta. Sfida e madhe e dhjetëvjeçarit që vjen pa diskutim janë migrimet dhe si edhe për çështjet e tjera, mostrajtimi, mosdiskutimi, nuk do të ndalojë ikjen. Ikjet në fakt lidhen ngushtë me mungesën e zhvillimit.
Kur tashmë në vend kemi 20-30 vjeçarë, që janë rritur me Marrëveshjen e Ohrit si realitet, me dinamikën politike e shoqërore pa dallime të mëdha, ajo të cilës ata i referohen si vështirësi kryesore është mungesa e zhvillimit, shoqëror e ekonomik. Pa këto zhvillime sigurisht që balancet janë vështirë të mirëmbahen. E kur konstatimi është i lehtë, pse nuk bëhen pyetje dhe sidomos, pse nuk tentohet të jepen përgjigjet. Si të arrihet ky zhvillim? Çfarë do të duhet të ketë prioritare Maqedonia e Veriut? Fushat në modë me kanabis do jenë përgjigjja e sfidave të fazës tjetër të rritjes së shtetit, apo teknologjitë dhe inovacioni? Sërish veprimet që shohim janë mbi baza impulsi dhe instinkti biznesmenësh dhe jo të bazuara në strategji.
Dhe thashë që në fillim, kjo fjalë është kyçe. Para shumë vitesh, diku nga 2012-ta në një organizim të UNDP, me muaj të tërë u ndërtua një nismë që përfshinte të gjitha segmentet e shoqërisë. U bënë anketime, analiza me elitat, forume të mbyllura, diskutime dhe do të duhej të dilte një dokument strategjik Maqedonia 2020. Dokumenti pikërisht do të duhej të prezantonte prirjet dhe në çfarë drejtimi shkonte shoqëria dhe cilat do ishin sfidat që duhej të adresoheshin në ekonomi, zhvillim, politikë. Gjetjet e dokumentit kam përshtypjen që asnjëherë nuk i pëlqyen klasës së atëhershme politike, edhe pse edhe ajo vetë ishte pjesë e përpilimit të saj dhe ato asnjëherë nuk dolën në publik.
Shkurtimisht mund të them se nga ajo strategji doli se problemi më i madh ishte ikja e njerëzve dhe mplakja e popullsisë. Gjithashtu në atë strategji për herë të parë u pa tendenca se shoqëria ishte e gatshme të votojë edhe përtej etnisë. Por çfarë ndodhi? Nga frika, e sidomos mosguximi për të parë ndryshimet dhe realitetet në sy asnjëherë nuk u folën rezultatet e studimit. Tani çështja është, a do vazhdojmë ashtu siç ka vepruar edhe politika, edhe akademikët, edhe shoqëria civile, po edhe vetë shoqëria që mos ngremë dilemat e mos krijojmë vizione të qarta për dhjetëvjeçarin tjetër, apo për të ardhmen? Frikën e kam, se cikli i heshtjes dhe fshehjes së sfidave do na kaplojë si trashëgimi e veprimit shoqëror e politik që na ka ndjekur 30 vitet që nga pavarësia. Nuk do doja të ishte kështu. Sidomos këtë cikël do të duhet ta thyejnë gjeneratat “Y” dhe “Z” që padiskutim do përballen me gjithë atë çfarë u kanë lënë pas si vlerë e barrë prindërit e tyre. Një gjë është e qartë, mungesa e guximit për tu përballë me realitetin ka qenë dhe është karakteristika e gjithë këtyre viteve. Por pa guxim s’ka zhvillim. Ndërkohë siç thotë edhe ajo shprehja, edhe fati është me guximtarin!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)