Zejnulla VESELI
Shkup, 23 shkurt – Nga 80 komuna sa ka gjithsej Maqedonia, 20 prej tyre për gati pesë vjet punojnë më xhirollogari të bllokuara për shkak borxheve që kanë ndaj furnizuesve, shkruan gazeta KOHA. Përfundimisht me muajin maj të vitit 2017, borxhi total i komunave ka shënuar shifrën prej 82 milionë euro, gjegjësisht borxhi i 22 komunave arrin shifrën totale të borxhit prej 57 milionë euro apo 70 për qind të borxhit të përgjithshëm që komunat kanë ndaj furnizuesve.
Të dhënat e Ministrisë së Financave për vitin 2016 dhe 5 muajt e parë të vitit 2017, tregojnë se detyrimet e pashlyera të komunave ndaj furnizuesve kanë arritur vlerën prej 82 milionë euro. “Për periudhë pesë vjeçare, borxhi i komunave ndaj furnizuesve është rritur për 50 për krahasuar me vitin 2012. Ky borxh mund të jetë edhe më i lartë dhe të tejkalojë shifrën mbi 120 milionë euro nëse llogariten dhe edhe borxhet që kanë komunat në bazë të vendimeve të shqiptuara gjyqësore së bashku me kamatat në favor të furnizuesve për mos pagesë të borxheve në fatin kohor të paraparë nga ana e komunave. Njëherësh, edhe raporti i fundit i Revizorit shtetëror rezulton se shumë komuna aspak nuk e respektojnë Ligjin për disiplinë financiare dhe nuk i respektojnë afatet kohore që duhet të paguajnë borxhet që kanë ndaj kompanive, ndërsa kompanitë nuk kanë mundësi të paguajnë borxhet që u kanë komunave për shkak të xhirollogarive të bllokuara të komunave.
Kjo, njëherësh ka bërë që shumë komuna të rrisin borxhet që kanë ndaj furnizuesve dhe se borxhi i disa komunave tejkalon 80 për qindëshin e buxheteve që kanë duke i bërë kështu komunat financiarisht jo stabile dhe si rrezik potencial për funksionim e tyre normal, sepse nuk kanë kapacitete për të paguar borxhet e vjetra e aq më shumë borxhet e reja. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, përfundimisht me muajin maj të vitit 2017, janë 22 komuna që kanë borxhe shumë të larta se 1 milion euro, prej tyre 10 komuna janë shqiptare apo borxhi total i komunave shqiptare kap shifrën prej 22 milionë euro. Komuna e Ohrit ka borxhin më të lartë në vlerë prej 11 milionë euro dhe nëse bëjmë krahasime me buxhetin që ka kjo komunë, borxhi është 78 për qind më i lartë se sa ka buxhet komuna. Komuna e dytë që ka borxh më të lartë është Komuna e Tetovës prej 8.1 milionë euro, ndërsa Komuna e Karposhit radhitet në vendin e tretë me borxh prej 7.7 milionë euro.
Struga zë vendin e katërt me borxh prej 3.5 milionë euro. Në vendin e pestë radhitet Komuna e Çairit me borxh prej 2.3 milionë euro dhe vendi i gjashtë i takon Komunës së Kumanovës me 2 milionë euro borxh ndaj furnizuesve. Me borxh në vlerë prej 1.8 milion euro në vendin e shtatë radhitet Komuna e Gazi Babës, vendi i tetë i takon Komunës së Vrapçishtit me borxh prej 1.8 milion euro. Në vendin e nëntë është renditur Komuna e Gjevgjelisë me borxh prej 1.8 milion euro. Vendi i dhjetë si komunë që ka borxh më të lartë se 1 milion euro është Komuna e Kisela Vodës në vlerë prej 1.7 milion euro. Komuna Qendër me borxh prej 1.6 milion euro zë vendin e 11, ndërsa Komuna e Velesit po ashtu me borxh prej 1.6 milion euro zë vendin e 12. Në vendin e 13 është Komuna e Resnjës me borxh prej 1.5 milion euro dhe Strumica në vendin e 14 me borxh total prej 1.4 milion euro, kurse vendi i 15 i takon Komunës së Sopishtes me borxh 1.4 milion euro. Qyteti i Shkupit radhitet në vendin gjashtëmbëdhjetë me borxh prej 1.39 milion euro, ndërkaq në vendin shtatëmbëdhjetë është Komuna e Bogovinës me borxh prej 1.38 milion euro.
Gostivari radhitet në vendin e 18 me borxh prej 1.37 milion euro, Kërçova zë vendin e 19 me borxh prej 1.3 milion euro. Në vendin e 20 është radhitur Komuna e Dibrës me borxh prej 1.2 milion euro. Komuna e Sarajit mban vendin e 21 me borxh prej 1.2 milion euro dhe në vendin e 22 si komunë që ka borxhe mbi 1 milion euro është radhitur Komuna e Bërvenicës me borxh 1.1 milion euro. Nga gjithsej 80 komuna që ka në Maqedoni, 22 komuna kanë borxhe më të larta se 1 milion euro, ndërsa komunat e tjera kanë borxhe nën 1 milion euro. Vetëm tre komuna në Maqedoni nuk kanë aspak borxhe e ato janë Komuna e Valandovës, Gjorçe Petrov dhe Debarca. (koha.mk)