Delvina KËRLUKU
Kur gjithkush priste Vitin e Ri, në acarin e natës së fundit të vitit 1976, vjen në jetë Alma Tusha. Si fëmija i dytë, në mes të dy motrave tjera, ishte më e privilegjuara, pasi ishte më çapkënia. Prej moshës pesë vjeçare ka marrë pjesë në festivalet muzikore për fëmijë të qytetit të serenatave, Korçë. Është shpërblyer me shumë çmime, ndër to veçon vendin e parë në Festivalin për Fëmijë, viti 1989, në duet me Aurel Thellimin, me këngën ‘Përshëndetje zemre”, një këngë që fliste për minatorët e Trepçes. Shkollën fillore e ka kryer te shkolla ‘Naum Veqilharxhi’.
Ndërsa, atë të mesme në liceun artistik ‘Tefta Tashko Koço’, në degën e kantos (solo-këndim) po në vendlindjen, në Korçë. Ka marrë pjesë në aktivitetet rinore të qytetit. Për arsye emigrimi ka stagnuar me studimet, të cilat i ka rifilluar pas 17 vitesh në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin e Arteve, dega solo – këndim. Sot punon si mësimdhënëse në shkollën fillore ‘Liria’ në Çair, në shkollën e mesme ‘Vllezërit Milladinovci’ dhe ‘Boro Petrushevski’. Është nënë e katër fëmijëve, një vajzë dhe tre djemve, të cilët shprehin interesim për muzikë, por që fatkeqësisht asnjëri s’merret profesionalisht me të. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi falënderon familjen, e veçanërisht burrin, Ejupin, që i ka qëndruar gjithmonë pranë.
KOHA: Znj.Tusha, jeni profesoreshë e muzikës, si lindi dëshira për këtë profesion?
TUSHA: “Në këtë botë ku ‘njeriun’ e gjej pak te njeriu, vetëm arti mund ta rikthejë humanen te humani”.- Është kjo fjalia motivuese që ka udhëhequr jetën time. Njeriu për të ndryshuar botën, së pari duhet të ndryshojë vetë veten. Unë rrjedh nga një familje mësimdhënësish, mami ishte mësuese klasore kurse, babai historian. Më kujtohen rrëfimet e babait, ngaqë tani jetojmë larg, kur më tregonte për fillimet e njerëzimit, kur njerëzit nuk kanë ditur të flasin, por janë marrë vesh me tinguj. Ndoshta prej atëherë kam dashur të merrem me muzikë, sepse nuk dua t’iu gënjejë, unë gjithmonë e kam dashur këtë profesion dhe nuk e di se kur më ka lindur dëshira.
Arsimimi në profilet e muzikës trajtohet në kuadrin e shkollimit të mesëm, të lartë dhe ofrohet në shkollat profesionale duke i përgatitur nxënësit për të fituar njohuri profesionale nga lëmi i muzikës, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik. Por, në shkollën nëntëvjeçare cili është roli i lëndës së muzikës, në avancimin e fëmijëve?
Ndoshta jam adekuate për t’iu përgjigjur kësaj pyetje pasi që jap mësim edhe në shkollë fillore edhe në të mesme. Unë kam dëshirë të tregohem realiste, sa do që më mërzit kjo e vërtetë. Nxënësit në përgjithësi, mendojnë dhe besojnë se lënda e muzikës vetëm se ua rrit mesataren dhe mund ta shfrytëzojnë si të duan orën e saj. Padyshim që nuk mund ta mohoj se muzika është talent, është dhunti nga Zoti, mirëpo një fjalë thotë 99 për qind punë e 1 për qind talent. Nxënësit duhet ta kenë parasysh se muzika nuk është vetëm dëgjimi i muzikës trend, të kohës së fundit, por është shumë më e gjerë në vetvete. Ajo përbëhet nga teoria dhe praktika. E nëse flasim për plan programin në shkollat nëntëvjeçare, nxënësit mësojnë gjërat elementare të muzikës siç janë: notat, kohët, stilet e muzikës, interpretimin vokal, folklorin muzikor e të tjera.
KOHA: Sa në librat shkollor shihni autorë shqiptar, pra tekst-shkrues, qoftë kompozitor?
TUSHA: Si fillim dua të theksoj se nxënësit tanë janë shumë pak të informuar, madje mund të them fare, për muzikën tonë shqiptare. Familjet shqiptare nuk kanë kultivuar kurrë dëshirën për njohjen e muzikës së mirëfilltë. Ironia është që shumica e tyre nuk e dinë që Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni e ka shkruar himnin tonë kombëtar, e Ciprian Porumbescu e ka kompozuar, e më mos të flas për kompozitorët tjerë në përgjithësi. Ironia tjetër është që librat e muzikës ende mungojnë, jo që nuk ka libra, por ato nuk janë për nxënësit tanë pasi që në to ka shumë pak kompozitor shqiptar. Nuk jam kundër kulturës maqedonase e të huaj, por njeriu për të njohur botën, së pari duhet të njohë vetveten.
KOHA: Nxënësit tuaj a posedojnë shkrim – leximin muzikor në nivel bazik, që t’i shërbejë për analizë të veprave muzikore, veçmas për ata që vazhdojnë shkollën e mesme të muzikës?
TUSHA: Për të bërë analizën e një vepre muzikore, nuk është e thjeshtë. Megjithatë nxënësit e interesuar mundohen dhe përpiqen me ndihmën e arsimtarit ta kryejnë me sukses analizën e një periudhë të thjeshtë muzikore. Kjo vlen për nxënësit që mund të vazhdojnë çfarëdo lloj drejtimi në shkollë të mesme, kurse ata të cilët vazhdojnë shkollën e muzikës zakonisht janë marrë me muzikë shumë më herët. Të paktë janë ata që me një vendim të shpejtë hynë në shkollë të muzikës por, edhe këto marrin mësime ekstra.
KOHA: Shkollimi muzikor profesional kontribuon në zhvillimin sa më të plotë të personalitetit të nxënësve për t’u inkuadruar në një shoqëri demokratike si qytetarë aktivë, të kulturuar e të arsimuar nga aspekti muzikor?
TUSHA: Shkollimi muzikor profesional ndikon shumë në zhvillimin e personalitetit te nxënësit. Edhe po të shohësh një nxënës të shkollës së muzikës madje të arteve në përgjithësi dallohen me stilin e tyre të veçantë prej larg. Artistët janë më liberalë, më demokratë dhe gjithmonë më “hight” se të tjerët. Fola në përgjithësi për artistët pasi që nuk janë vetëm ata që merren me muzikë artistike. Po të ishte udhëhequr bota nga artistët siç është sot e udhëhequr nga politikanët, besomë se sot do të flisnim vetëm për gjëra të bukura.
KOHA: Në kryeqytet, por edhe në qytete brenda vendit organizohen koncerte, madje interpretim nga Filarmonia e shtetit, por të pranishmit në sallë janë në numër të vogël. Si e gjykoni ju këtë mosinteresim të publikut shqiptar në Maqedoni, ndaj këtij lloj arti?
TUSHA: Kam qenë në shumë evenimente artistike, të cilat po t’i shikonim nga numri i spektatorëve do të ishin të dështuara por që në të vërtetë ishin performanca të përkryera të vet artistit ose të artistëve. Normalisht që artisti jeton për duartrokitje dhe frymëzohet nga ato por, vendet shqiptare e në veçanti po flas për shqiptarët e Maqedonisë ndoshta edhe nga rrethanat e ndryshme qoftë edhe ato fetare gjithmonë kanë mbetur të prapambetur në këtë aspekt. Duhet një ‘revolucion’ që mos t’i humbim artistët tanë siç kemi bërë me Inva Mula, Ermonela Jaho, Sajmir Pirgu e shumë të tjerë si këta.
KOHA: Ju vini nga Korça, qyteti i serenatave. Qyteti i dashurisë. Qyteti i artit. Qyteti i birrës. Vendi i kërnackave. Ndërsa, jetoni në Shkup, në qytetin e zhurmshëm të politikës dhe hallexhinjve. Çfarë ju lidh me këtë vend?
TUSHA: Dashuria! Ika nga vendi i serenatës për të krijuar serenatën e jetës time. Korça mund të jetë vend i bukur, gjë që nuk e mohojë, por Shkupin ma ka bërë të bukur e shtrenjta familja ime. E nëse kthehemi nga këndi si artiste, mua personalisht të dy qytetet më frymëzojnë, i pari për ngrohtësinë ndaj artit që ofron e tjetri pikërisht prej mospërfilljes së tij. Unë e dua Shkupin, më shumë i dua njerëzit që jetojnë në të, prandaj edhe unë dua që Shkupi të më dojë mua dhe njerëzit si unë.
KOHA: Nëse do ta përshkruani jetën e vajzërisë në qytetin e lindjes, në udhët që ke marrë gjatë studimeve, si do ta përshkruani?
TUSHA: Energjike. Unë nuk i kam kuptuar si më kanë kaluar vitet. Kujtoj me nostalgji vitet e vajzërisë, sidomos ato të shkollës së mesme që si për këdo tjetër edhe për mua kanë qenë të paharruara. Studimet e larta për mua kanë qenë gjithë peripeci, pasi më duhej të kontribuoja në familjen e krijuar tanimë dhe normalisht mos të mbesja pas me studimet. Duke u frymëzuar nga Bethoveni që ka mësuar tabelën e shumëzimit në prag të vdekjes edhe unë thashë që nuk është vonë kurrë të bësh atë që do dhe pas katër fëmijëve, kam marrë magjistralen Shkup -Tetovë gati se çdo ditë për të kryer në afat studimet e mia. Beso, në fuqinë e ëndrrës tënde – kjo është këshilla më e mirë që mund t’ia jap çdokujt.
KOHA: Maligradi,i cili me rrënojat e një bazilike të vjetër dhe peizazhin karakteristik është një pikë e rëndësishme atraksioni në këtë rajon. Bazilika e ngritur brenda një guve shkëmbore është e njohur për ansamblin e saj me piktura murale bizantine. Si mund të na i përshkruani këto piktura?
TUSHA: Prespa, kujt do i kishte shkuar në mend se në një liqen shumë afër nesh, do kishte kaq bukuri. As mos pyet dhe as nuk po të tregojë se sa njerëz përreth nesh janë të informuar për të. Personalisht kam qenë njëherë kalimthi dhe më ka lënë pa fjalë. Vend karakteristik që normalisht persona tjerë më adekuat ndoshta do kishin dhënë një përgjigje më të mbushur dhe më të detajuar. Unë mund t’ia rekomandojë gjithkujt ta vizitojë Maligradin sidomos në këto kohëra kur teknologjia ka arritur kulminacionin, një ishull i pabanuar qoftë edhe për pak mund të na relaksojë dhe të na bëjë që të eksplorojmë.
KOHA: Cila është origjina e mbiemrit tuaj, duke pasur parasysh se Ju mbartni mbi vete mbiemrin e tenorit Kastriot Tusha?
TUSHA: Si fillim ky nuk është mbiemri im i vajzërisë. Unë mbaj mbiemrin e burrit tim. Tenori Kastriot Tusha ka qenë profesori im në studime dhe kemi biseduar bashkë, pikërisht në mos burri im dhe ai ishin familje. Mirëpo jo, Kastriot Tusha ka prejardhjen nga Elbasani, kurse burri im nga Bllaca, një fshat në kufirin Maqedoni – Kosovë. Jam krenare që mbaj mbiemrin Tusha, sado që nuk na lidhë asgjë me tenorin e madh të trojeve shqiptare. Kam djalin që quhet po kështu, Kastriot Tusha.
KOHA: Filmi “Kur xhirohet një film”, çfarë flet për Ju?
TUSHA: Është një film që e kemi shikuar shumë në kohën e xhaxhit Enver dhe që e shikoj ende me nostalgji. Fëmijët e mi shpesh qeshin me mua se si ende i shkoj, si herën e parë filmat bardhë e zi. Film i vjetër, por që trajton temë sociale, qëndrimin mikroborgjez të Kujtimit kundrejt Liljanës, të cilin e vuan djali i vogël teksa i sheh prindërit në prag të ndarjes. Unë ndjej një dashuri të madhe ndaj filmave të vjetër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.