Shkup, 23 janar – Anëtarët e Komisionit kuvendor për punë dhe politikë sociale sot unanimisht i votuan ndryshimet e Ligjit për rrugë dhe kompensime tjera të personave të përzgjedhur dhe të emëruar në Republikën e Maqedonisë, me të cilat parashikohet ulje e mjeteve për shpenzime rrugore për 33 për qind të deputetëve dhe personave tjerë të emëruar dhe të zgjedhur.
Deputetja e BDI-së Mirsada Emini – Asani, votoi pro ligjit, edhe pse kolegu i saj partiak Xhevad Ademi paralajmëroi se, si provokim, do të kërkojë pezullim të plotë të shpenzimeve rrugore për të gjithë funksionarët dhe se deputetët me vite kanë qenë në sulm të gazetarëve si fajtorë të përhershëm.
“Nuk mundet deputetët do të jenë fajtorë të përhershëm kur kemi funksionarë anonimë të cilët nuk dinë se çfarë beneficione kanë. Do të parashtrojë amendament për pezullim të plotë të shpenzimeve rrugore, kështu që deputetët le të organizohen dhe le të vijnë në punë me taksi apo me ndonjë transport tjetër”, tha Ademi, sipas të cilit deputetët nga më shumë përbërje kanë qenë në shënjestër për këtë punë. Theksoi se nuk ka dëgjuar që ndonjë ministër apo drejtor anonim është kritikuar për atë se sa shpenzime rrugore ka bërë apo ka shpenzuar mjete tjera.
Sipas Ademit, nevojitet plotësisht ligj i ri, i cili, siç tha, do ta heq këtë “temë të përhershme”, e cila është “sulm mbi deputetët”.
Jovan Mitreski, kryetar i Komisionit për punë dhe politikë sociale, potencoi se me zgjidhjen e tyre do të ulen mjete për shpenzime rrugore të deputetëve nga 30 deri në 20 për qind, respektivisht për 33 për qind dhe se kjo është zgjidhje afatshkurte.
“Mbetemi të hapur për të gjitha propozimet për gjetjen e zgjidhjes afatgjate”, tha Mitreski.
Ndryshimet e propozuara e përfshijnë edhe Ligjin për deputetët që është nesër në seancën e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, ndërsa propozimi në rend dite është vendosur në seancën plenare të caktuar për të hënën.