Laura PAPRANIKU
Shkup, 14 shkurt – Profesorët universitar kërkojnë largimin ose ndryshimin e nenit 132 të Propozim-ligjit për arsim të lartë, me të cilin kërkohet që në çdo program studimor i cili zhvillohet në gjuhën shqipe, të paktën tre lëndë të mësohen në gjuhën maqedonase, shkruan gazeta KOHA. Për kohën e sotme kur bota shkon drejt gjetjes së mënyrave se si t’ju bëjë studentëve më të lehtë procesin e studimeve dhe kur ekonomia e tregut lëviz me ritme të paparashikueshme, është jashtë çdo logjike tu vendosësh universiteteve kushtëzime të këtilla, vlerësojnë numër i konsiderueshëm profesorësh universitar.
Prof. dr. Murtezan Ismaili, nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se ai nen duhet të ndryshohet patjetër dhe këtë duhet ta kërkojnë vetë universiteteve. “Nuk më duket aspak e logjikshme që në universitetet në gjuhën shqipe studentët të mësojnë të paktën tre lëndë në gjuhën maqedonase. Nuk kam asgjë kundër maqedonishtes si gjuhë, mirëpo me detyrimin që tre lëndë të mësohen në këtë gjuhë nuk arrihet asgjë pozitive sa i takon cilësisë së studimeve. Është absurde”, pohon ai. Nëse është e nevojshme, në cilësinë e ekspertëve Universitete mund të marrin profesorë maqedonas dhe këtu nuk ka asnjë problem.
“Por ta detyrosh universitetin që të mbajë tre lëndë në gjuhën maqedonase, në kohën kur është në miratim e sipër edhe ligji për përdorimin e gjuhëve nuk është komteporane, nuk është e kohës”, shprehet profesor Ismaili. Prandaj, universitete në gjuhën shqipe, plotëson ai duhet të vihen në shërbim të detyrës. “Sigurisht që ndryshimin e neneve që rregullojnë përdorimin e gjuhëve duhet ta kërkojnë universitetet. Është në obligimin e universiteteve ta bëjnë këtë, normal duke kërkuar edhe mbështetjen e politikës”.
Klasa politike jo rrallë herë ka ditur të pajtohet edhe me detyrime të këtilla ligjore e, ç’është e vërteta edhe neni 132 i Propozim-ligjit është i trashëguar nga Ligji i përparshëm. Rektori i Universitetit “Nënën Tereza” prof. dr. Aziz Pollozhani, shpjegon se çështja e përdorimit të gjuhëve në universitetet publike “është diçka që tërhiqet prej shumë vitesh”. Pra, është një predispozitë e trashëguar në ligjin për arsim të lartë, por për të cilën Pollozhani beson se mund të hapet si çështje për diskutim edhe tani ose “më së shumti në fazën që vjen”, siç shprehet rektori i UNT-së. “Mund të diskutohet, pse jo, sigurisht nëse është në funksion të përmirësimit të cilësisë apo edhe të krijimit të hapësirës më të madhe të gjuhën angleze si për studimet në gjuhën shqipe ashtu edhe maqedonase”, shprehet për gazetën KOHA, Pollozhani.
Për prof. dr. Bashkim Ziberin nga Universiteti i Tetovës nuk ka diskutim që mësimi i lëndëve në gjuhë të ndryshme dëmton cilësinë e mësimit dhe vështirëson shkallën studimeve. Mes shumë vërejtjeve që ai ka për Propozim-ligjin e arsimit të lartë, gjuha thotë se është element të cilit duhet ti kushtohet vëmendje e veçantë. “Neni 132 që kërkon tri lëndë të mësohen në gjuhën maqedonase, nuk duhet të vlejë për kohën e sotme. Pra imagjinoni, ata që do të studiojnë fizikë, duhet ti detyrojmë që tre lëndë ti zhvillojnë në gjuhën maqedonase, gjë që nuk shkon, pasi neve jemi që të aftësojë fizicient dhe jo tu mësojmë atyre gjuhë”, shprehet për KOHA, Ziberi.
Kundërshtimin e këtij neni ai e argumenton me ngarkesën negative që do të sjell zbatimi eventuali i atij neni.
“Sepse, në bazë të atij neni neve duhet të punësojmë profesor maqedonas i cili do të ligjërojë për shembull lëndën ‘Fizika e trupit të ngurtë’, ndërkohë që lënda ‘Hyrja në fizikën e materialeve’ me gjithë terminologjinë e profesionit është mësuar në gjuhën shqipe. Nuk ka logjikë kjo punë, sepse ne jemi që tja bëjmë studentëve më të lehtë pjesën e studimit dhe jo më të vështirë”. Ky nen, plotëson më tej Ziberi duhet të largohet, sepse është thjeshtë demode.
Megjithatë, në rrugë zyrtare as Universiteti i Tetovës (UT), as Universiteti “Nënë “Tereza” në Shkup (UNT) dhe as Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) nuk kanë kërkuar një gjë të tillë. Në komunikimin që kanë pasur me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) as njëra dhe as tjetra nuk e kanë prekur çështjen e gjuhëve në të cilën zhvillohet mësimi në institucionet e arsimit të lartë.
Në vërejtjet, propozimet dhe sugjerimit që i kanë dërguar në MASH lidhur me Propozim-ligjin për arsim të lartë asnjëri prej universiteteve në gjuhën shqipe nuk ka përfshirë në kundërshtimet e veta neni 132 i cili obligon ata që përveç gjuhës maqedonase si lëndë e veçantë të mësohen në maqedonisht minimum edhe dy lëndë të tjera, për çdo program studimor. (koha.mk)