Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve. Deklarata për marrëveshjen e arritur është nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Thaçi pohoi se do të ketë një trup të përbashkët, që do të punojnë bashkërisht në shënimin e vijës kufitare dhe do të rishikojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.
Kjo deklaratë e përbashkët është bazuar nga besimi i ndërsjellë dhe vullneti i mirë, si dhe nevojat për interesa të përbashkëta për avancimin e mëtutjeshëm të raporteve tona, të partneritetit strategjik në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por, edhe duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të te dyja vendeve – deklaroi presidenti i Kosovës Hashim Thaci.
Nga partia e kryeministrit Haradinaj marrëveshjen e kanë cilësuar si lajm të jashtëzakonshëm. Ndërsa, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj kërkoi që të ratifikohet marrëveshja për përcaktimin e kufirit me këtë shtet.
Mendoj se është koha e fundit që Kuvendi i Kosovës ta votojë marrëveshjen pas arritjes së kësaj deklarate të përbashkët që qytetarët të lëvizin pa viza nëpër vendet Schengen – deklaroi Enver Hoxhaj, PDK.
Ndërkohë shefi I grupit parlamentar I LDK-së Avdulla Hoti ka thënë se kjo parti do ta votojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi por më pas do të kërkojnë shkarkimin e Qeverisë.
Marrëveshja duhet të ratifikohet sa më parë në Kuvend. Këta që e kanë bllokuar deri tash këtë çështje që i ka mbajtur qytetarët e izoluar duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve të vendit – tha Avdulla Hoti, LDK.
Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se për ta kjo marrëveshje është e papranueshme duke e cilësuar të njëjtën si të padrejtë dhe mashtruese.
Lëvizja VETËVENDOSJE! dëshiron dhe synon marrëveshje të drejtë dhe të vërtetë me Malin e Zi. Ne angazhohemi për marrëdhënie sa më të mira me Malin e Zi me të cilin ndajmë përkushtimin për integrimin në BE dhe NATO – deklroi Albin Kurti, Vetëvendosje.
Marrëveshjen e ka përshëndetur edhe Qeveria e Malit të Zi, e cila ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave. Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi.
Derisa, mungesa e ratifikimit nga Kosova, deri më tani është kundërshtuar nga një pjesë e spektrit politik, të cilët janë deklaruar se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë./ALSAT/