Villarreal reagon përmes një komunikate për shtyp pas arrestimit të Ruben Semedo, me akuzën e heqjes së lirisë së një personi duke përdorur armë zjarri, si dhe për grabitje. Klubi spanjoll shprehu të gjithë shqetësimin e tij lidhur me këtë çështje, duke nisur dhe një hetim për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur. Villarreal siguron se do të marrë të gjitha masat e duhura disiplinore, duke i respektuar rregullat me rigorozitet, në bazë të rëndësisë së çështjes.
Cekim, Ruben Semedo, mbrojtës i Villarealit u arrestua mëngjesin e së martës nga Guardia Civil e Valencias, me akuzën e heqjes së lirisë së një personi duke përdorur armë zjarri, si dhe për grabitje. Lojtari portugez, me ndihmën e disa personave të tjera, ka marrë peng një burrë duke e çuar në shtëpinë e tij në Betera për ta bindur që t’i dorëzojë çelësat e shtëpisë, të cilën më pas e kanë grabitur.
Siç bëhet rindërtimi i ngjarjes, hetimet janë hapur në sajë të një denoncimi të bërë në 12 shkurt nga një person që është paraqitur në komisariatin e Policisë Kombëtare Spanjolle me paterica, dhe me dëmtime të dukshme në trup. Viktima që në ballafaqim ka njohur Semedon dhe kushëririn e tij, ka treguar se është sekuestruar, lidhur dhe rrahur. Një bashkëpunëtor i të akuzuarve ndërkohë ka qëlluar madje dhe disa herë me pistoletë për ta bindur viktimën që t’iu dorëzohente çelësat e shtëpisë dhe adresën e banesës së tij, që më pas është gjetur e boshatisur.