Aida XHONI
Shkup, 22 mars – Të jetosh vetëm 15 kilometra larg qendrës së Shkupit dhe ende të ballafaqohesh me probleme elementare si mungesa e ujit të pijshëm, kjo ndodhë vetëm tek banorët e fshatit shqiptar Nigishtan të Shkupit që graviton në Komunën e Gjorçe Petrovit, shkruan gazeta KOHA. Dy vite më parë, respektivisht më 25 mars të vitit 2016, ministri i atëhershëm i Ekologjisë, Nurhan Izairi dhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Gjorçe Petrovit, Sokol Mitrevski, patën firmosur marrëveshje në vlerë prej 15 milionë denarësh për të lidhur këtë fshat me rrjetin e ujësjellësit.
Edhe pse ishte paralajmëruar që fillimi i punëve të niste për 3 javë, një gjë e tillë nuk ndodhi në afatet e përcaktuara. Disa muaj më vonë, më saktë më 10 tetor të vitit 2016, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016, ministri tjetër i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti, bashkë me Mitrevskin vendosën gurthemelin për ndërtimin e rrjetit sekondar të ujësjellësit për fshatin Nigishtan. Megjithatë, sot e kësaj dite banorët e këtij fshati janë pa ujë. Për momentin, siç ankohen banorët, janë pa ujë dhe pa infrastrukturë, pasi rrugët të cilat kishin arritur ti asfaltojnë me vetë iniciativë, i kishin gropuar gjatë vitit 2016 kur u realizua një fazë e projektit dhe u la në gjysmë.
“Ujë të bollshëm asnjëherë nuk kemi pasur. Para zgjedhjeve u paralajmërua për shpërndarjen e ujit nëpër shtëpi të fshatit, por ka dy vite që kemi ngelur edhe pa asfalt, pasi e gropuan dhe e lanë ashtu”, tha M. M. banor i këtij fshati.
Ministri aktual i Ekologjisë, Sadulla Duraku, tha për gazetën KOHA se Komuna e Gjorçe Petrovit është ajo e cila duhet të aplikojë në Ministri për të lëshuar mjete shtesë për të përfunduar me këtë projekt.
“Neve si ministri në të gjitha vendbanimet e vendit, por edhe për Nikishtan në vitin 2016 janë paguar dhe është ndërtuar në bazë të Ministrisë së Ambientit Jetësor 3.3 kilometra gjatësi që i kanë vendosur për ujësjellësin, janë paguar 3 milionë denarë nga kjo ministri. Ne jemi në komunikim dhe e kemi informuar edhe Komunën e Gjorçe Petrovit me Programin e ujit që mund të aplikohet. Nëse nuk është përfunduar ai ujësjellës, mund lirisht kryetari i Komunës të aplikoj dhe të shqyrtohen dokumentacionet se a mund të përfundohet me mjetet që do të ndahen nga ministria. Programi për ujëra dhe ndërtim të ujësjellësve është deri më 31 mars, pra tani Komuna duhet të aplikoj për mjete”, thotë pë gazetën KOHA, Duraku.
Lepa Gjorgievska, zëdhënëse e Komunës së Gjorçe Petrovit, thotë se kanë aplikuar në Programin me projekt në Ministri të Ekologjisë dhe se presin në përgjigje pozitive më së voni deri në muajin gusht.
“Në fillim të këtij muaji, Komuna e Gjorçe Petrovit aplikoi deri te Ministria e Mjedisit Jetësor për Programin për aplikim me ujërat për vitin 2018. Aplikuam me propozim-projekt për kompletim dhe ndërtim të rrjetit të tërësishëm të ujësjellësit në fshatin Nikishtan. Parashihet i njëjti të kushtojë diku 12 milionë denarë, me çka do ta rrumbullakojmë tërësisht procesin dhe çdo shtëpi të ketë ujë. Presim nga ministria përgjigje pozitive deri në gusht, që është e mundur më shpejtë nënshkrim i marrëveshjes dhe fillim i realizimit të fazës së fundit. Më këtë praktikisht lidhemi me marrëveshjen e vitit 2016 nga ana e udhëheqësisë së kaluar nga komuna dhe ministria për ndërtimin e rrjetit primar dhe sekondar të rrjetit të ujit në fshat”, tha ajo. Pas përfundimit të projektit, sistemi i furnizimit me ujë të fshatit Nikishtan do ti jepet NP “Ujesjellesi dhe Kanalizimi”, tha për KOHA, Gjorgievska.
“Do të doja të sqaroj se marrëveshja e nënshkruar në vitin 2016 është 4 milionë e 850 mijë denarë bashkë me TVSH-në. Në këtë moment, ato mjete janë tërësisht të shfrytëzuara me çka tërësisht është ndërtuara unaza e parë. Prej asaj unaze vazhdon ndërtimi i rrjetit primar dhe shpërndarja nëpër amvisëri. Me ato para është ndërtuar edhe rezervuari dhe stacioni i pompës. Ndërkohë, gjatësia e tërësishme që është projektuar është 3.304 metra. Deri tani, nga rrjeti primar është realizuar 1246 metra deri tek sekondarja. Për realizim mbeten diku edhe 2 mijë metra gjatësi dhe unaza 2. Me atë që parashihet të përfshihet me projektin e ardhshëm për të cilin kemi aplikuar në fillim të muajit. Pas rrumbullakimit të gjithë procesit, sistemi i furnizimit me ujë i jepet për menaxhim dhe mirëmbajtje NP Ujësjellësi dhe Kanalizimit”, përfundoi Gjorgievska. (koha.mk)